E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxitja e punësimit, qeveria do të japë 85 milionë lekë për ndërmarrjet private



Problemi i punësimit ka bërë që qeveria të ofrojë për vitin që vjen rreth 85 milionë lekë ndihmë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për nxitjen e punësimit. Këto janë programet që shteti financon nëpërmjet kredidhënies ndaj bizneseve. Gjatë këtij viti, programi për mbështetjen e rritjes së konkurrueshmërisë së kompanive eksportuese u financua me një fond buxhetor prej 25 milionë lekësh. Krahas tij, një fond tjetër po përdoret për mbështetjen buxhetore për linjat e kreditimit të SME-ve. Ndërsa vitin e ardhshëm qeveria parashikon të mbështesë programet e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me anë të një kredie që do të merret nga shteti italian me vlerë 85 milionë lekë. Ekspertët shpjegojnë se SME-të vlerësohen si nxitëse të rritjes së nivelit të punësimit dhe si rezultat në uljen e nivelit të varfërisë. Nisur nga ky fakt, SME-të janë përfshirë në një program zhvillimi të shpejtë 5-vjeçar të Ministrisë së Ekonomisë, që synon rritjen e konkurrueshmërisë së tyre në tregun vendas si dhe në atë rajonal. Deri në vitin 2013 parashikohet realizimi i disa objektivave në terma afatmesme dhe afatgjata, ku ndër më kryesoret janë rritja e numrit të të punësuarve me 5 për qind në vit, rritja me 15 për qind e numrit të ndërmarrjeve në vit, rritja e kreditimit dhe e aftësisë mikrokredituese gjatë 4 viteve me 3-4 herë më shumë, si dhe ngushtimi i vazhdueshëm i sektorit informal. SME-të zënë 99,5 për qind të numrit të përgjithshëm të bizneseve ndërmarrje private aktive dhe kontributi i këtij sektori është rreth 64 për qind i PBB-së, si dhe rreth 66 për qind në punësim.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›