çudia, Reali kërkon... 4 masazhatorë shqiptarë
TIRANE-Duket e çuditshme, por Reali i Madridit, klubi më i madh i botës, ka kërkuar 4 masazhatorë shqiptarë për ndeshjen e 20 janarit kundër Gramozit. Në fakt, është e vështirë të besohet se madrilenët nuk kanë masazhatorë në ekipin e tyre, megjithatë në një kërkesë të tyre drejtuar kompanisë që organizon ndeshjen "Taçi Oil", ata kanë përfshirë edhe këtë. Ata do të nevojiten për t'u bërë masazh futbollistëve të Realit në pushimin e ndeshjes, por çudia në këtë mes qëndron në faktin se si mund t'u besohen të huajve gjunjët e Ronaldo e Kakasë, të blerë të dy për 162 milionë euro në merkaton e verës së kaluar. Kompania "Taçi Oil" i ka kërkuar Federatës së Futbollit të merret me një gjë të tillë dhe ky institucion ka bërë të ditur se do të japë masazhatorë që punojnë aktualisht me ekipet kombëtare. "Do të gjejmë nga personat që janë pranë ekipeve tona kombëtare, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i FSHF-së Eduard Prodani. - është një kërkesë e çuditshme, saqë ne nuk e besuam në fillim, megjithatë jemi gati t'i përgjigjemi", tha ai. Ndërkohë, shefi i zyrës për shtyp i kompanisë "Taçi Oil", Milton Nushi, sqaroi se masazhatorët do të merren me lojtarët në pushim të takimit. Kërkesa në fakt mund të ketë ardhur për shkak se masazhatorët e Realit mund të kenë punë në Madrid me futbollistët e dëmtuar. Ndeshja Ndeshja mes Gramozit dhe Realit të Madridit do të zhvillohet më 20 janar në orën 18.00 në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa". Ajo do të jetë e vlefshme për edicionin e tretë të trofeut "Taçi Oil", i kthyer tashmë në një traditë nga kreu i kësaj kompanie Rezart Taçi. Spanjollët do të vijnë në Tiranë me formacionin e tyre të plotë, ku përfshihen yje si Kaka, Kristiano Ronaldo, Benzema, Raul apo Iker Kasijas. Në mënyrë që ndeshja të ketë përmasa më të mëdha kompania "Taçi Oil" ka kërkuar nga Federata që të mundësojë ardhjen e disa yjeve të kombëtares apo të disa prej futbollistëve më të mirë të kampionatit, por për çudi, klubet shqiptare deri tani nuk duken dakord. Shkak për këtë janë bërë impenjimet në kampionat, që nisin 3 ditë pas ndeshjes Gramozi-Real Madrid, pra më 23 janar. Kësisoj, nuk është çudi që në takimin special të 20 janarit, në fushë të jetë vetëm skuadra e Gramozit. Burime nga FSHF bënë të ditur se në ditët e ardhshme ndonjë prej klubeve elitare mund të ndryshojë mendje, duke qenë se bëhet fjalë për një ndeshje jo shumë impenjative, e dizenjuar më shumë për të dhënë spektakël për tifozët që do të jenë të pranishëm në stadium. Në fakt, Reali i Madridit do të vijë për herë të parë në Shqipëri dhe do të jetë e vështirë që të ketë një të dytë, duke qenë se bëhet fjalë për një klub, kërkesat ndaj të cilit për takime të tillë vijnë nga anembanë botës.(d.b/BalkanWeb)