Dilaveri: Ishte një ndeshje 100 % e trukuar”
Ndeshja Kievo-Katania e përfunduar në barazim 1-1 ka qenë e trukuar. Deklarata vjen nga një prej specialistëve të basteve në vendin tonë, Z.Flobenc Dilaveri, i cili tregon edhe arsyet se përse kjo ndeshje u hoq nga pjesa më e madhe e kompanive të basteve në Shqipëri. Ose, më së paku nuk lejoheshin asnjë bast tek me shumë të mëdha për barazimin në këtë ndeshje. I pyetur nga gazeta “Panorama Sport”, Dilaveri shprehet i sigurt mbi paracaktimin e rezultatit të kësaj ndeshje, e cila ka zënë faqet e parë të shtypit italian dhe atë anglez ditën e djeshme. “Unë nuk është se vetëm hedh hije dyshimi mbi atë takim, përkundrazi jam 100 përqind i sigurt se ajo ndeshje ka qenë e trukuar. Për këtë nisem nga një analizë e gjatë dhe mjaft e arsyeshme duke u bazuar në sinjalet e marra nga kompanitë e basteve simotra në Evropë. Takimi ka qenë i shumë përfolur gjatë gjithë javës dhe shumica e kompanive deri edhe në Azi patën marrë masa që ta hiqnin fare nga kuotimi. Kjo bëri që edhe ne të ndiqnim të njëjtin shembull”, ka pohuar Dilaveri. Sipas tij Kievo-Katania (1-1) është hequr nga kuotimi në Shqipëri që mëngjesin e së dielës, kjo për shkak se gjatë gjithë javës kishte pasur lajme nga kompanitë e basteve në Evropë se rezultati i këtij takimi ishte i paracaktuar. “Ne e hoqëm nga kuotimi në mëngjes, pra nuk pranonim bast tek për atë ndeshje. Natyrisht takimi u luajt si një ndeshje normale në sallat e basteve por asnjëherë si ndeshje e vetme dhe ca më pak në shuma të mëdha parash. Për shembull është luajtur në biletë së bashku me ndeshjet e çelsit, Milanit, ku më së shumti lojtarët luanin fitore për të dyja këto skuadra dhe barazimin për Kievo-Katania. çudia qëndronte në faktin se takimi kërkohej nga shumë bastexhinj si për të vërtetuar më së miri se ndeshja hynte tek ato të sigurtat. Madje qenë të shumtë ata që donin që ta luanin baste tek”, ka shpjeguar Dilaveri.