E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE, Kukan: Heqja e vizave, brenda verës



BLEDAR HOTI

Kryetari i Delegacionit Europarlamentar për Evropën Juglindore, Eduard Kukan deklaron se do të bëjë çmos që Shqipëria të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave para nisjes së sezonit veror. Një qëndrim të tillë Kukan e ka mbajtur gjatë takimit me presidentin shqiptar, Bamir Topi gjatë ditës së djeshme së bashku me anëtarët e këtij delegacioni. Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, "Kukan dhe delegacioni shprehu mbështetjen e plotë dhe pa rezerva ndaj aspiratës mbarëpopullore shqiptare për t'u integruar edhe zyrtarisht në gjirin e familjes evropiane si dhe e siguruan kreun e Shtetit se do të bëjnë çmos, pas vlerësimit dhe përmbushjes së kritereve teknike, që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë të bëhet realitet, para fillimit të pushimeve verore".
Eurodeputetët vlerësuan lart rolin moderator dhe pozitiv të Presidentit Topi për realizimin e tryezës politike mes udhëheqësve të maxhorancës dhe opozitës, që prodhoi rifillimin e dialogut politik dhe hyrjen e opozitës në Parlament, duke apeluar që ky dialog i nisur, të vazhdojë e të forcohet sa më shumë, duke i dhënë zgjidhje përfundimisht situatës politike në vend. Presidenti Topi nënvizoi se zgjidhja institucionale e saj do të t'u shërbente interesave madhore të qytetarëve shqiptarë për një të ardhme integruese në BE, një të ardhme më të sigurt dhe me prosperitet. Në takimin me Kryeministrin Berisha, Kukan vlerësoi rezultatet jashtëzakonisht pozitive të arritura nga Shqipëria gjatë kësaj periudhe në drejtim të përmbushjes së kritereve dhe standardeve të integrimit evropian, si dhe për sa i përket përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit, për liberalizimin e vizave. "Ne si deputetë të Parlamentit Evropian do të vazhdojmë të ngremë zërin lart në favor të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë sa më shpejt" - u shpreh Kukan. Kryeministri shqiptar u shpreh se "është miratuar legjislacioni i nevojshëm për kontrollin dhe survejimin e kufirit, si dhe ai për azilin në përputhje me standardet evropiane dhe është vënë në funksion të plotë kontrolli i hapësirës detare me radarë. Shqipëria ka nënshkruar gjithashtu marrëveshjen e ripranimit me të gjitha vendet e BE-së". Në takimin me kryeparlamentaren Topalli, edhe eurodeputetja Tanja Fajon tha se: "Nga muaji dhjetor Shqipëria ka arritje të jashtëzakonshme në plotësimin e kushteve teknike lidhur me liberalizimin". Ndërsa kryeparlamentarja Topalli theksoi se "Shqipëria e shqiptarët e meritojnë heqjen e vizave, pasi janë plotësuar kushtet dhe asnjë individ nuk mund të pengojë këtë arritje të madhe".

Jozefina Topalli
"Shqipëria dhe shqiptarët, e meritojnë heqjen e vizave pasi, detyrimet teknike janë plotësuar dhe vokacioni pro evropian i shqiptarëve është një promotor zhvillimi. Asnjë individ nuk mund të pengojë arritjen e kësaj ambicieje të madhe. Parlamenti po punon fort në plotësimin e të gjitha detyrimeve për këtë prioritet kaq të rëndësishëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të izoluar prej shekujsh".

Sali Berisha
"është miratuar legjislacioni i nevojshëm për kontrollin dhe survejimin e kufirit, si dhe ai për azilin, në përputhje me standardet evropiane dhe është vënë në funksion të plotë kontrolli i hapësirës detare me radarë. Shqipëria ka nënshkruar gjithashtu marrëveshjen e ripranimit me të gjitha vendet e BE-së. Tashmë ka një kontroll të plotë të integruar të kufijve, nëse të 24 pikat e kalimit kufitar janë unifikuar në sistemin TIMS, i ndërlidhur edhe me Interpol-in".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›