Kreditë e buta, miratohet aplikimi për 4523 familje
Bashkitë kanë në dorë të miratojnë emrat e 4523 familjeve që do të marrin kredi të buta për shtëpit. Ministria e Punëve Publike ka miratuar listën e re, me kuotat për të 65 qytetet e vendit, në të cilat ka kërkesa nga familjet e pastreha. Në total, deri në fillim të marsit, në bashkitë e vendit kanë aplikuar për të marrë kredi të butë, 13794 familje. Por, sipas ministrisë, për këtë vit do të përfitojnë 4523 familje, të ndara sipas qyteteve. Në listën e publikuar sot, bie në sy se disa bashki të mëdha, si Durrësi, nuk e kanë përditësuar listën e kërkesave të qytetarëve. Në tabelë, shifrat e kërkesa që janë zero, janë për shkak të mungesës së informacionit nga bashkitë, për kredi të buta. Sipas skemës, bashkitë dërgojnë në Qeveri listën me kërkesa për kredi të buta. Kjo e fundit, miraton vetëm numrin e kërkesave të pranuara. Më pas bashkitë, me vendim të Këshillit Bashkiak miratojnë emrat që përfitojnë kredinë e butë. Kjo për shkak se marrëveshja me BKT është financuar nga Qeveria. Kjo e fundit paguan interesin e kredisë, në mënyrë që familjet e pastreha të paguajnë principalin dhe një shtesë interesi prej vetëm 3 për qind. Me paratë që merren nga banka blihen apartamente në treg, por kuptohet me një çmim të caktuar. Në kushtet që duhet të plotësojnë familjet që aplikojnë për kredi të butë, janë të ardhurat minimale, që duhet të jenë mbi një nivel të caktuar, të ndara sipas qyteteve. Ndërkohë, ministria ka parashikuar edhe një të ardhur maksimale për familjet që i skualifikon ato nga gara për kredi të butë.
Procedura e bashkisë
Zyrat përkatëse në bashki evidentojnë numrin e aplikimeve. Kryetari i Bashkisë njofton ministrinë mbi numrin total të familjeve që kanë aplikuar për strehim deri në atë moment. Me marrjen e këtij njoftimi, ministria bazuar në numrin total të aplikimeve në rang vendi dhe numrin total të familjeve në projekt, llogarit numrin e familjeve që përfitojnë në atë bashki dhe ia njofton Kryetarit të Bashkisë. Me vendim të Këshillit Bashkiak miratohet sistemi i pikëzimit. Sistemi i pikëzimit bazohet në kategoritë që janë prezente (më të shumtë në numër) në atë bashki. Në të njëjtën kohë ngrihet edhe Komisioni i Strehimit në bashki. Ky i fundit miraton listën përfundimtare të familjeve që do të marrin kredi. Kjo listë pasi miratohet nga Këshilli Bashkiak, i dërgohet BKT. Në njoftimin e ministrisë theksohet se "banka do të refuzojë ato familje, të ardhurat e të cilave janë mbi nivelin maksimal të miratuar për atë qytet". Në rastet kur nga ndonjëra bashki, BKT-së i dërgohet lista totale e familjeve që kanë aplikuar dhe jo numri i përcaktuar nga ministria, atëherë BKT do t'i shërbejë klientëve që paraqiten të parët pranë degëve të bankës dhe do të mbyllë trajtimin, kur të plotësohet numri i përcaktuar për atë bashki. "Kështu, nëse bashkia X ka miratuar një listë totale prej 250 familje që kanë aplikuar për t'u përfshirë në projektin e kreditimit të lehtësuar, ndërkohë që MPPTT ka miratuar një numër prej 57 përfituesish për atë bashki, atëherë BKT do të procedojë me listën e dërguar nga bashkia, për çdo klient që paraqitet deri në plotësimin e numrit 57, pa marrë parasysh radhën numerike të listës së bashkisë".
Procedurat e kredisë
Sipas marrëveshjes me BKT, norma e interesit që do të paguhet për të marrë kredinë është 3 për qind në vit, dhe kredia do të jepet në lekë. Nga ana tjetër, sipas ministrisë, në rastet më të shpeshta kredia do të financohet vetëm për 60 për qind të vlerës. "Lidhur me pjesën e kolateralit, informojmë se mbulimi me 140% do të thotë që, nëse familja vë në hipotekë vetëm apartamentin që do të blejë, atëherë ajo duhet të bëjë një pagesë të menjëhershme të barazvlefshme me 40% të vlerës së banesës". Nga ana tjetër, vetë banka kërkon nga aplikantët që të jenë të klasifikuar në listat e përfituesve. "Të kenë të ardhura mesatare, minimumi 8.000 lekë për person në muaj dhe kësti i kredisë të mos kalojë 30% të totalit të të ardhurave". Të gjithë aplikantët mund të kërkojnë të blejnë apartamente në tregun e lirë. Për këtë arsye në tabelat që botohen sot në gazetë, janë edhe çmimet mesatare për metër/katrorë, në qytetet e vendit. Niveli minimal i të ardhurave mujore të familjes është indikativ dhe është në vartësi të shumës së kredisë dhe kushteve specifike me të cilën negociohet me bankën. Kështu, nëse familja gjen një apartament me vlerë më të vogël nga kufiri maksimal i përcaktuar për vlerën e banesës, edhe niveli minimal i të ardhurave do të ulet.
Kushtet e kreditimit
Monedha e kreditimit; Lekë
Afati maksimal i kredisë; 30 vjet
Norma e interesit:
Bono Thesari 12 Mujore + 2.2%
(nga të cilat, qytetari paguan vetëm 3%)
Komisioni i angazhimit: 1 për qind
Mbulimi me kolateral: 140 për qind