E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduken 1.2 milionë lekë, të grabitura nga pengmarrësi



TIRANE - Zhduken pa gjurmë 1.2 milionë lekë, nga shuma prej 30 milionë lekë të vjetra, që u grabitën javën e kaluar në filialin e një banke nga 25-vjeçari Romeo Leka. I riu nga Lezha hyri katër ditë më parë në filialin e një banke brenda hotel "Rogner" dhe duke përdorur kërcënimin e armës, ka arritur të marrë një shumë të konsiderueshme parash prej 30 milionë lekë të vjetra. Sipas hetimeve të prokurorisë, në momentin kur Romeo Leka ka hyrë në filialin e bankës, aty kishte vetëm pak minuta që kishte mbërritur një sasi parash për mbulimin e aktivitetit të bankës. Pasi ka marrë paratë në çantë, Romeo Leka ka dalë nga filiali i bankës, ndërkohë që një punonjës kishte shtypur sinjalin e alarmit. Punonjës të sigurisë ishin vënë në ndjekje të 25-vjeçarit, i cili doli nga "Rogner" dhe lëvizi në drejtim të ish-bllokut. Pasi ka arritur pranë librit Universitar dhe ka konstatuar policinë, Romeo Leka mori peng 19-vjeçaren Lori Hatellari, e cila nga një kalimtare e rastësishme u kthye në protagoniste të ngjarjes. Gjatë kohës që mbajti peng vajzën, ndërsa policia kishte hyrë në negociata me të riun, ai ka hapur çantën e parave dhe disa tufa prej tyre i ka hedhur në tokë. Ndërkohë në rrugë ishin mbledhur dhjetëra kalimtarë kuriozë që po ndiqnin skenën e pengmarrjes publike. Romeo Leka ka hedhur disa tufa parash në tokë, me disa të tjera ka qëlluar policinë dhe më pas u ka kërkuar punonjësve të rendit që me disa prej parave të grabitura që mbante në çantë t'i blinin pije energjike atij dhe vajzës që po mbante peng. Grupi hetimor, i cili tha se në shumën e vjedhur nga banka mungojnë 1.2 milionë lekë të vjetra, pohoi se humbja e parave ka ndodhur pikërisht pasi Romeo Leka ka hapur çantën dhe ka filluar të hedhë përtokë paratë e grabitura. Në një moment i riu e ka hedhur edhe çantën me para, ndërkohë që punonjës të policisë arritën ta marrin atë dhe me procesverbal e sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjatë këtij momenti është arritur të verifikohet se nga 30 milionë lekë të vjetra që ishin vjedhur në bankë, në çantë ndodheshin vetëm 28.8 milionë lekë, ndërsa 1.2 milionë lekë të vjetra ishin zhdukur. Ky është një nga detajet e ngjarjes të zbardhura nga hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila tha se një ditë para pengmarrjes, Romeo Leka kishte tentuar grabitjen e Union Bank në lagjen "Ali Demi". Pasi ka hyrë në filial, i riu u drejtoi armën punonjësve të sportelit, por ata nuk reaguan pasi mes tyre dhe grabitësit kishte një xham të blinduar. I çuditur nga mungesa e shenjave të frikës te punonjësit, Romeo Leka ka tentuar t'i trembë ata, por në këtë kohë dikush ka hyrë në derën e anës tjetër të sportelit. Për pasojë grabitësi është frikësuar duke dyshuar për mbërritjen e policisë dhe është larguar menjëherë, edhe pse në fakt personi që po hynte në bankë ka qenë një pastruese. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›