Skandal, trukohet Kievo-Katania
Leonard Karaj
.
Ndeshja Kievo-Katania 1-1 e luajtur të dielën, e vlefshme për javën e 29-të të Serisë A, dyshohet se është e trukuar. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat angleze, sipas të cilave janë luajtur miliona stërlina për shenjën “X”.
Në Angli kjo ndeshje është hequr nga bastet që në mesjavë sapo është parë që për të po luheshin shuma të mëdha parash. Sipas “The Sun”, rreth 220 mijë euro janë luajtur për rezultat fiks (rezultat në kokë), që takimi përfundonte me shifrat 1-1, bast ku natyrisht i fituar nga bastexhiu. Ndërsa basti që bëri të mundur edhe heqjen nga kuotimi ka qenë 2.2 milionë euro vënë për barazimin e kësaj ndeshje. Kjo ka sjellë edhe irritimin e drejtuesve të basteve të cilët kanë ndaluar kategorikisht kuotimin e Kievo-Katania. Madje ndeshja nuk u transmetua si rrallë ndonjë herë edhe nga televizionet kabllore me pagesë në këtë vend. Duke qenë se këto TV kanë blerë të drejtat për transmetimin e të gjitha ndeshjeve të Serie A për gjithë sezonin, gjithkush mund të shikojë cilëndo ndeshje që të dëshirojë përkundrejt pagesës, qoftë edhe për vetëm një ndeshje (pa qenë i detyruar të blejë kartë për të gjitha ndeshjet që luhen në fundjavë). Por duke dyshuar në një trukim të mundshëm televizionet nuk kanë pyetur shumë për telespektatorët duke e anuluar fare si ndeshje nga ekranet e tyre. Ndeshja është hequr nga bastet edhe në Itali. Një nga drejtuesit e kompanisë më të madhe të basteve në Itali Snai, Alberto Nasi pohon se deri ditën e mërkurë në mëngjes nuk kishin vënë re asgjë të çuditshme në bastvënie, por më pas barazimi për këtë takim u ul për shkak të sinjaleve që erdhën edhe nga vende të tjera të Evropës. Nga Snai barazimi për këtë takim nuk ishte më shumë se 1.65, ndër më të ulëtit historikë për një ndeshje në kampionatin italian të futbollit. “Të mërkurën u vu re një fluks i madh i bastexhinjëve për këtë ndeshje. Nga 594 skedina, 531 ishin për barazim të kësaj ndeshje. E patëm nisur kuotimin me 3 por më pas e ulëm ndjeshëm pasi dyshuam. Duhet theksuar se një gjë e tillë nuk na kishte ndodhur pasi zakonisht për barazimet në Serinë A nga fillimi i kampionatit nuk patëm vënë kuotë më të ulët se 2.50”, ka pohuar specialisti i Snai.
Analisti anglez: Si u trukua ndeshja
David Uillimas nga kompania angleze e basteve “Ladbrokes” ka shpjeguar për mediat britanike arsyen e bllokimit të kësaj ndeshje që ditën e martë të javës së kaluar. “Pamë se për atë takim po viheshin shumë baste me shuma të mëdha parash ndaj edhe dyshuam mënjehrë dhe vendosëm që ta bllokonim. Në ditët në vazhdim dëgjuam të flitej shumë për ndeshjen se kishte fjalë që takimi do të mbyllej në barazim dhe kështu që në një farë mënyre u verifikuan edhe dyshimet e para që kishim pasur. Fitoret, si për Kievon dhe për Katanin kishin një koeficient mjaft të lartë nga kompanitë e tjera në Evropë dhe Azi dhe kjo gjë na bëri të mos pranonim as ditën e ndeshjes që ajo të kuotohej në një skedinë normale me takime të tjera”, ka shpjeguar Uillimas.