Meta: Ligji i SHISH do konsultohet me BE e NATO
Qeveria konfirmon qëndrimin se ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror do të konsultohen me partnerët në Bashkimin Evropian dhe Aleancën e NATO-s. Këtë e bëri të ditur dje zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë një konference për shtyp me gazetarët, pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, ligji i vjetër ka nevojë për ndryshime dhe përmirësime, për shkak se situata nuk është e njëjtë me atë të shumë viteve më parë, kur edhe ai u miratua në Parlament. "Mendoj se për vetë faktin që ligji aktual është një ligj i vjetër, ndërkohë që ka ndryshime shumë të rëndësishme, që nga bërja e vendit me Kushtetutë, dhe në përgjithësi në sfidat me të cilat ndeshet sot Shqipëria, por me të cilat ndeshet edhe NATO, ato të terrorizmit apo edhe më gjerë, natyrisht që ka nevojë për një rishikim, apo edhe për një përmirësim të tij. Sigurisht që kjo do të bëhet në konsultim të ngushtë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Në radhë të parë me Bashkimin Evropian ku duam të anëtarësohemi, dhe me NATO-n ku jemi anëtarë", tha dje Meta. I pyetur nëse do të ketë konsultime me ekspertët e NATO-s, përpara se drafti të miratohet në Parlament, kreu i diplomacisë shqiptare u shpreh se "Në këtë drejtim, raportet tona me NATO-n janë shumë konstruktive, dhe çdo përmirësim i tij do të jetë sipas standardeve të NATO-s". Maxhoranca tentoi dy herë të kalojë për votim në Kuvend draftin për disa ndryshime në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Por opozita dhe faktori ndërkombëtar në Tiranë reaguan ashpër, duke i bërë thirrje Qeverisë që të mos nxitohej në këtë drejtim dhe ligji të merrte më parë OK e ekspertëve të huaj. Fillimisht në shkurt dhe më pas në muajin mars, komisioni parlamentar i ligjeve zhvilloi tre seanca punimesh për të miratuar draftin, ku u dëgjua edhe kreu i Shërbimit Informativ, Bahri Shaqiri. Ky i fundit u shpreh dakord me ndryshimet në ligj, duke qenë se një pjesë ishin të propozuara nga vetë institucioni që ai drejton. Por qëndrimi i Shaqirit ndryshoi pasi maxhoranca shtoi një dispozitë kalimtare, sipas të cilës, pas hyrjes në fuqi të ligjit, kreu aktual i Shërbimit duhet të japë dorëheqjen për t'iu nënshtruar më pas procedurave të emërimit, nëse Kryeministri dhe Presidenti do të binin dakord mes tyre. Ky qëndrim u shpreh edhe në mbledhjen e komisionit të Sigurisë Kombëtare, i mbledhur pak ditë më vonë, ku u miratua ligji. Megjithëse ishte parashikuar që votimi do të zhvillohej më 18 mars, ai u shty pas kritikave të ndërkombëtarëve.
SHBA: Jemi të shqetësuar me ligjin
Ambasadori i SHBA-së deklaroi pak ditë para miratimit të ligjit në komisionet parlamentare se "jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Si rrjedhojë, ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit Shërbimit Informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. Ne druhemi se ky projektligj, në formën e tij aktuale, po e dëmton këtë imazh".
NATO: Ligjin ta shohim më parë ne
Aleanca e Atlantikut të Veriut, NATO, i kërkoi pak ditë më parë Qeverisë të mos kalojë ligjin pa marrë më parë miratimin e ekspertëve të saj. Zyra përgjegjëse për koordinimin global të sigurisë theksoi në një deklaratë në "Top Channel", se drafti duhet të vlerësohet më parë prej saj, përpara se të votohet nga Parlamenti. Burimet bënë të ditur se një kopje e letrës i shkoi edhe Komisionit të Sigurisë një ditë para se të shqyrtonte draftin.
Topi: Do flas me dekret
Presidenti Bamir Topi tha se do të flasë me dekret lidhur me ligjin e SHISH. "Presidenti flet me dekret dhe do të ishte gabim që unë të merrja një pozicion paragjykues për cilindo ligj, qoftë dhe për një ligj që po debatohet në strukturat parlamentare, po debatohet në media, ka prononcime. Pozicioni i Presidentit është në funksion të gjykimit që Presidenti i Republikës do i bëjë lidhur me përputhshmërinë e ligjit, në momentin kur depozitohet në Presidencë", tha Topi.