Dilema e kohës moderne, kafshët në shtëpi nuk janë vetëm modë, por edhe të dobishme për fëmijët
Kafshë me shtëpi apo shtëpi me kafshë?! Tashmë kjo pyetje retorike është shndërruar për një numër të madh familjesh si dilema e kohës moderne. Kësaj dileme, njerëzit në ditët e sotme i janë përgjigjur sipas mënyrës së tyre dhe natyrisht sipas xhepit (pasi kafsha sot, ka kosto të lartë, gati të barabartë me një njeri). Por përse hezitojnë shumë njerëz për të futur në shtëpi një kafshë, e cila për ndryshim nga kohët e dikurshme, ka tashmë një rol tjetër, shoqërues e zbavitës? Zakonisht prindërit nxjerrin në krye fëmijët dhe arsyetohen me pretekstin se kafshët u bëjnë dëm atyre. Por vallë çfarë ndikimi mund të ketë një kafshë mbi vogëlushët e shtëpive? Sipas specialistëve, ndikon pozitivisht dhe të mirat që sjell tek fëmija janë të shumta, mjafton që të respektohen disa rregulla që kanë të bëjnë si me vogëlushin, ashtu edhe me kafshën. Sigurisht, detyra kryesore iu takon prindërve, të cilët duhet të peshojnë të mirat dhe të këqijat dhe të zgjedhin kafshën që i shkon për shtat pjesëtarëve të familjes, që do të kenë përgjegjësinë për ta trajtuar atë si anëtar (paksa të veçantë) të saj.
Roli
Me kalimin e kohës, siç është vënë re, roli i kafshëve që njeriu kishte në territorin përreth tij ka marrë formë dhe qëllim tjetër. Prezenca e tyre në ambientet shtëpiake nuk arsyetohet me gjë tjetër, përveçse me shoqërinë që kafsha i ofron banuesve në to (sidomos personave të vetmuar apo të moshuar). Rrallë qentë, për shembull përdoren si ruajtës apo shoqërues të të verbërve. Vendimi për të marrë një kafshë në shtëpi është shumë i rëndësishëm dhe duhet të merret në seriozitet të plotë. Së pari është e nevojshme, jo vetëm dëshira, por edhe mundësia për të mbajtur një kafshë në kushtet e caktuara të shtëpisë. Dhe kjo sepse prezenca e një kafshe shoqërohet automatikisht edhe me kujdesin që duhet të tregojë një nga anëtarët e familjes për të mbajtur pastër këtë anëtar të ri. Mungesa edhe për pak orë nga shtëpia, duke e lënë vetëm kafshën është një faktor negativ për marrjen e tij. Gjithashtu, në vendimin e marrjes duhet të trajtoni edhe anën ekonomike, ku përfshihen ushqimi, vaksinat etj.
Zgjedhja
“Më jep - të të jap”. Pak a shumë në këtë raport bazohen marrëdhëniet kafshëpjesëtarë të familjes. Prandaj ia vlen që të zgjidhni llojin e saktë, në përshtatje me kërkesat që keni ndaj tij dhe ato që ju jeni në gjendje të përmbushni për të. Në familjet me fëmijë dëshira për të patur kafshë në shtëpi duhet të jetë shumë e menduar. Në marrjen e vendimit nevojitet të jenë shqyrtuar dy çështje kryesore: ajo e moshës së fëmijëve si dhe tema që ka të bëjnë me shëndetin si për shembull: sëmundjet që mund të transmetohen nga kafsha tek fëmijët apo pjesëtarët e tjerë të familjes si alergji, astma etj. Por gjithsesi, prezenca e kafshës në një familje ku ka fëmijë është shumë pozitive. Fëmijët mësohen të jetojnë dhe të kujdesen për një “person” tjetër. Duke vendosur kafshën në shtëpi arrihet që të forcohet vetëbesimin i fëmijës, përderisa ai bindet se përpjekjet e tij nuk shkojnë dëm, madje ai merr edhe vlerësime. Fëmija ndjehet përgjegjës për faktin se ia del mbanë një detyre, sikurse është kujdesi ndaj kafshës së tij të vogël. Rritet tek ai një dashuri e një lloji të veçantë, e cila e mbush me gëzim. Bashkëmoshatarët e tij e adhurojnë, për faktin se fëmija ka krijuar një marrëdhënie të veçantë me kafshën. Por edhe për prindërit e tij, të cilët e shohin tek kujdeset për të, ndjejnë se ai arrihet bashkë me kafshën.
Mosha, kur duhet të merret një kafshë në shtëpi
Sipas specialistëve, kufiri minimal i moshës së fëmijës në të cilën rekomandohet marrja e një kafshe është mbi 5 vjeç. Teorikisht, që nga kjo moshë fëmija është në gjendje të përballojë nevojat e veta personale. Për sa i përket prindërve, të cilët kanë fëmijë të vegjël dhe që dëshirojnë të kenë kafshë në shtëpi rekomandohen kafshë të vogla, të cilat mbahen të mbyllura si zog në kafaz, peshq në akuarium etj. Përpara se të vendoset marrja e ndonjë kafshe, prindërit do të duhet të informohen për karakteristikat e tij nga veterineri me qëllim që ai të përshtatet me llojin e familjes dhe shtëpinë ku do të jetojë. Por nëse ekzistonte ndonjë kafshë në shtëpi që para lindjes së fëmijës, ka shumë mundësi që ardhja në jetë e foshnjës t’i sjellë shqetësim kafshës dhe ndoshta në ndonjë moment edhe të vërsulet. Mirë do të ishte që personi i cili merret me kafshën, të mos jetë i njëjtë me atë që mban fëmijën. Disa herë lëreni kafshën të vijë rreth e rrotull foshnjës e ta mbajë erë. Është e domosdoshme që t’i jepni pak kohë për të kuptuar edhe ai ardhjen e një anëtari të ri në familje. Por nëse pas një muaji e gjysmë ekziston frika për ndonjë sulm nga ana e kafshës, atëherë mirë do të ishte që t’i drejtoheshit ndonjë mjeku specialist. Fëmijët e vegjël është e nevojshme që të mësohen të mos i ngacmojnë kafshët në orën e ushqimit, gjumit, të mos i kapin kur kafsha ndodhet së bashku me këlyshët e vet (mace, qenë etj.). Dhe kjo sepse shumë lehtë fëmijët mund të provokojnë sulme tepër të rrezikshme nga ana e kafshëve. Çdo vit në Evropë një numër i madh fëmijësh shtrohen në spitale për shkak të plagëve të shkaktuara nga ndonjë kafshë.
Fëmijët dhe kujdesi për kafshën
Pjesëmarrja e fëmijës në procesin e kujdesit të kafshës mund të përcaktohet sipas kësaj renditjeje:
2-5 vjeç ndihmë e thjeshtë në pastrim dhe lojëra me kafshën
5-7 vjeç ndihmesë në ushqimin e kafshës
7-9 vjeç përmbushje e të gjitha detyrave të pastrimit dhe ushqimit të kafshës brenda shtëpisë
Mbi 9 vjeç mund të marrin përsipër ushqimin, pastrimin, shëtitjen e kafshës jashtë shtëpisë
Konkluzioni
Marrja e një kafshe në familjet me fëmijë konsiderohet si një veprim pozitiv për të gjithë anëtarët e saj, por njëkohësisht ai shtron përpara tyre edhe detyrën për një përkujdesje të vazhdueshme. Duke peshuar anët pozitive dhe negative me siguri që do të gjeni veten tuaj në këtë çështje dhe më pas, do të jeni më i qartë për të marrë vendimin e saktë. Gjithsesi, pranimi i kafshëve të ndryshme në ambientet tona, pra, moda e re, e cila nuk ka shumë kohë që ka filluar, duhet kuptuar si një mundësi më tepër për të shumuar momentet e këndshme të jetës sonë, e mbi të gjitha për t’u çlodhur. Pasi ky anëtar “jonjerëzor” i familjes, ka një veçori të tijën: di të argëtojë të tjerët.
29 Gusht 2009