E Shtunë, 31 Tetor 2026

REZARTA SKIFTERI, pasioni i nje stilisteje



Petrika GROSI
Pas një muaji pushimesh ajo është duke menduar mbi fillimin e sezonit të ri dhe po planifikon performancat e radhës, të cilat, meqenëse nuk janë konkretizuar, nuk dëshiron t’i zbulojë. Stilistja e njohur, Rezarta Skifteri, vjen këtë javë si personazh i suplementit “Albania Weekend” për të folur mbi modën, veshjet, pasarelat, tendencat e reja dhe ato të vjetra që nuk duhen ndjekur këtë sezon, e po kështu, për të rrëfyer detaje të tjera interesante mbi jetën e saj, dashurinë e hershme për modën dhe stilimin, veshjen e parë, të cilën Rezi e skicoi që e vogël dhe ia qepi e ëma. Për më tepër, stilistja Skifteri flet në intervistën që vijon ekskluzivisht për gazetën “Albania”.

A ka shumë stilistë Shqipëria?
Ka mjaft stilistë që dalin përditë, ka shumë të tjerë që quhen e vetëquhen, por stilistët e vërtetë janë të paktë.

Pra, konkurrenca nuk ndihet shumë prej jush?
Nuk e njoh konkurrencën. Nuk mund të flas për të tjerët sepse secili ka punën e tij, biznesin, idetë e veta, por në këtë fushë nuk njoh konkurrentë.

Xhelozia, sa është e pranishme?
Ekziston kudo, madje edhe thashetheme, por unë jam me atë proverbin “Fjalët e tepërta janë fukarallëk...”. Kur klientët e mi nisin të përgojojnë ndonjë stilist tjetër i ndërpres, pasi nuk më pëlqen të flitet keq për dikë që është në punën e tij.

Interesante do të ishte xhelozia e klienteve tuaja me njëra-tjetrën. A xhelozohen ato?
Klientet që vijnë nuk kanë konkurrim me njëra-tjetrën sepse kanë mundësi të bëjnë diçka të mirë. Ato kanë konkurrencë me shoqet e tjera që nuk vijnë. U thonë se do të shkojnë në dyqan dhe vijnë në atelienë “Skifteri”.

Duke qenë se artisti e harron veten kur jepet shumë pas punës, a mendoni se preokupoheni sa duhet për veshjen tuaj?
Gjithmonë veshjet e mia të mbrëmjeve i kam bërë vetë, me përjashtim të një rasti, për Vitin e Ri, punova deri vonë dhe shkova e bleva një veshje që më pas nuk më pëlqente fare, pasi dukej si diçka e çuditshme, e huaj në trup tim.

Po familjen tuaj vetë e vishni?
Sigurisht. Veshjet e tim shoqi, të motrës, të shoqërisë dhe gjithë të afërmve i kam bërë vetë dhe do të vazhdoj t’i bëj. Nuk kam pse t’i blej në vend tjetër.

Nuk folëm për ngjyrat. Si lidhen ato me karakterin?
Mund të jenë tri femra njësoj në të gjitha karakteristikat e tyre, por të tria nuk mund të vishen njësoj. Ato ndryshojnë nga karakteristikat, personaliteti dhe puna që bëjnë. Nuk mund t’ua them pa e pasur personin para që ta shikoj. Edhe kur bëj sfilatën, në kokën time i referohem gjithmonë një tipi femre.

A vazhdoni ende të keni ëndrra në fushën e modës?
Ëndrra të reja mund të bëhen përditë, por duhet shumë punë për t’i realizuar.

Çfarë ndryshimesh kanë ndodhur këtë sezon sa i takon modës dhe tendencave të reja? Pra, si kanë evoluar ato?
Ndryshime ndodhin çdo sezon, “pranverë - verë” dhe “vjeshtë - dimër”. Mund të them se tendencat e këtij sezoni ishin më të bukura se ato të vitit të kaluar. Nga moda kanë ikur T-shirtet me dizajnime të personazheve të filmave vizatimorë. Femra e vjetshme ishte stil “Barbie”, një femër që dukej e vogël në moshë. Sivjet eksagjerimet me lule e fjongo nuk janë më, por ka hyrë një veshje më e lehtë. Nëse vjet gjërat ishin më të ngushta rreth trupit, sivjet ato janë më të lirshme në siluetën e femrës. Dihet që një veshje më e gjerë ka më shumë sensualitet. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për meshkujt, por nëse sezonet e mëparshme vihej re një tendencë e stilistëve për të marrë frymëzim nga veshjet e meshkujve teksa krijonin ato të femrave, tani ndodh e kundërta; sivjet, stilistët kanë marrë spunto nga veshjet e femrave për të krijuar veshjet e meshkujve. Jelekët janë të gjatë, madje edhe deri poshtë kraharorit, këmishët janë me jaka të mëdha dhe me forma të çuditshme dhe çantat janë të mëdha e me rripa (model që zakonisht e kemi parë te femrat).

Sa guxohet me veshjen në Tiranë?
Meshkujt shqiptarë guxojnë. Shikoj se gjithmonë janë të prirë për të veshur diçka të veçantë. Pasditeve shohim se ka nga ata meshkuj që vishen sportivë, pasi duan të jenë komodë, ashtu siç ka edhe të tjerë që në të njëjtën kohë vishen bukur dhe shfaqin një stil që të ngjall kureshtje. Elementet moderne në veshjen e tyre nuk mungojnë.

Le të flasim pak për fillimet?
Mbaj mend që kam bërë një sfilatë dikur dhe ishte hera e parë që në Shqipëri ndodhte një gjë e tillë. Sapo kisha dalë nga bankat e shkollës, ku kisha studiuar për performancë. Publiku u çudit për këtë lloj rryme, veshjeve me tela, shkarpa druri apo letra gazetash dhe shumë materiale të tjera që nuk të shkonte mendja se me to mund të bëheshin veshje. E njëjta gjë ndodhi edhe në sfilatën e fundit me një distancë 10-vjeçare.

Pse kjo zgjedhje?
Nuk është një zgjedhje që stilistët e bëjnë shpesh, me përjashtim të studentëve, të cilët janë ende në eksperimentim. Kjo lloj rryme është pak e vështirë. Performanca dhe “Haute couture” janë dy nivelet më të larta të modës. Performanca zgjidhet nga stilisti jo vetëm për të krijuar një impakt të fortë publik e mediatik, por edhe për të fuqizuar emrin e tij dhe për të treguar se stilisti ka imagjinatë dhe talent. Në “Haute couture” veshjet shpeshherë vishen dhe nuk vishen. Çmimet e tyre janë shumë të larta. Veshje të tilla në Shqipëri janë njësoj si ato që bëhen në çdo vend të botës, madje edhe më të mira, vetëm çmimi ndryshon, është shumë më i lirë.

Sa funksionon tregu i modës në Tiranë?
Mundësitë këtu janë shumë më të pakta sesa jashtë dhe është e vështirë që të hapësh një atelie për të bërë punën tënde si stiliste. Në anën tjetër, te ne kushdo mund të hapë një dyqan apo një studio e ta vetëquajë veten stilist, pa pasur as diplomën dhe as talentin që duhet.

Kur ishit e vogël, çfarë planesh dhe dëshirash kishit për të ardhmen?
Që në fillim doja të bëhesha stiliste. Më pëlqente shumë të vizatoja, madje këtë e bëja mirë. Në shkollën fillore, kur isha na klasën e tretë apo të katërt, shoqet më kërkonin ndihmë gjatë orës së vizatimit dhe unë, pasi mbaroja punën time, vizatoja edhe për ato. Më ka pëlqyer gjithmonë të dizajnoj veshje. Nuk e kam menduar kurrë të bërit e veshjes me hamendje, pa e skicuar më parë. Nëse flasim sot për stilistët shqiptarë, gati 80 për qind e tyre nuk dinë të dizajnojnë.

Po në kohën e Liceut, ç’ndodhi me pasionin tuaj?
Në Liceun Artistik vazhdova studimet dhe punën time në pikturë dhe në “Dizajn - tekstil”. Më tej ndoqa degën që ëndërroja...
Nuk e di nëse keni pasur ndonjëherë ëndrra, po unë stilimin e kam pasur të tillë. Mendoj se pasioni është edhe i lindur, sidomos teksa shikoj vajzën time të vogël, që ndryshe nga vajzat e tjera të moshës së saj, e ka mendjen te fjongot dhe te fluturat, e jo te kukullat. Pavarësisht se nuk është ndikuar aspak prej meje, ajo ka shumë qejf që të luajë dhe të bëjë sikur zhvillon sfilata.

Kur e keni bërë veshjen e parë për veten tuaj?
Kur isha rreth moshës 11-vjeçare vizatova dy veshje, një për vete dhe një për motrën time. Mamaja më pas i qepi duke ma realizuar dëshirën.

Çfarë vizatuat?
Ishte një fund shumë i bukur me fruta të ndryshme e me lule dhe një bluzë me flutura, me një dekolte mjaft të hapur për një fëmijë.

Po veshja e parë që e dizajnuat dhe qepët vetë kur erdhi?
Në Lice.

Nga çfarë frymëzoheni kur bëni një veshje?
Mjafton të jesh mirë, e qetë nga ana shpirtërore dhe e mbushur me dashuri. Kam kaluar një fëmijëri shumë të qetë dhe me shumë dashuri, si nga prindërit, edhe nga gjyshërit. As mua, as motrës nuk na ka munguar ndonjëherë doza e dashurisë.

Për poezinë thuhet se dhimbja nxjerr perla. Po për stilimin sa funksionon kjo?
Mund të them se jam shumë më e frymëzuar kur jam e lodhur fizikisht, sesa kur jam mirë. Nëse tani vij nga pushimet dhe truri është i qetë, ai nuk ka nisur ende të punojë mirë në këtë drejtim, ndonëse jam relaksuar. Frymëzimin mund ta kem nga çdo gjë, varet nga momenti. Kur bëj një sfilatë kam pikërisht këtë moment. Për shembull, në sfilatën që bëra vjet, me frymën e viteve ’30, isha e frymëzuar nga feminiliteti i madh i asaj kohe, sensualiteti, eleganca dhe aksesorët. Në fund të fundit, mbi të gjitha femra mbetet e brishtë dhe duhet të jetë femër.

Në studion tuaj vijnë njerëz të ndryshëm, midis tyre edhe persona publikë, apo VIP-a. Cilët prej tyre janë më shumë kapriçiozë?
Unë jam kapriçioze, jo klientët. Sa i takon kategorisë të njerëzve publikë, ata janë shumë komodë. Madje, kur ndodh që kanë impenjime, ndonjëherë e bëjnë porosinë me telefon dhe vijnë këtu vetëm kur veshja ka mbaruar. Mund të jenë “kapriçiozë” njerëzit që vijnë për herë të parë, pasi kanë ankth dhe ngatërrojnë provën me veshjen. Të bësh një veshje në atelie nuk është njësoj si ta blesh atë në dyqan. Për këtë arsye ka raste kur klientët e rinj tremben.

A ka ndodhur që një klient të kërkojë me insistim një veshje që nuk i shkon dhe ju keni refuzuar dhe debatuar me të?
Ka pasur raste kur jam lodhur dhe kam debatuar për orë të tëra, me qëllim që t’u mbush mendjen klientëve se çfarë u shkon dhe çfarë nuk u shkon për moshën dhe trupin e tyre. Ka njerëz që nuk i dinë përmasat e trupit të tyre, as stilin që u shkon përshtat më tepër. Shpesh pamja e parë gënjen, ndaj stilisti duhet të shohë më parë psikologjinë e klientit, të kuptojë se çfarë natyre është, në mënyrë që kur e bën një veshje, kjo të mos përfundojë në gardërobë dhe të mos rrijë pa u veshur. Ka edhe nga ata klientë që vijnë me ide të qartë në kokë; shikojnë veshje që i kam bërë për një këngëtare apo për dikë tjetër dhe kërkojnë me insistim një veshje tjetër të njëjtë me atë. Pavarësisht se mund të mos u shkojë, më janë lutur, por nëse veshja nuk bën për to, atëherë stilisti nuk mund të pranojë që ta bëjë dhe duhet t’ua shpjegojë në mënyrë bindëse arsyen. Ka pasur raste kur klientët nuk janë bindur për një veshje që nuk u shkon dhe jam detyruar t’i përcjell.

29 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›