Tirana, koha për korrigjim; Vllaznia, momenti për fitore
Pas surprizave të javës së parë të Superligës, e shtuna e sotme ofron gjashtë beteja të tjera futbollistike, ku spikasin tre super-përballje, Flamurtari-Dinamo, Vllaznia-Apolonia e Shkumbini-Besa.
TIRANA-SKËNDERBEU
Tirana ka shansin që ndaj Skënderbeut të ardhur nga Kategoria e Parë të marrë jo vetëm pikët e para, por dhe të ndryshojë imazhin e përdhosur pas humbjes 1-3 me Flamurtarin në kryeqytet në javën e parë të këtij edicioni. Trajneri kroat Ilija Lonçareviç beson te reflektimi i 24-herë kampionëve të Shqipërisë, pasi çdo rezultat tjetër, përfshirë dhe barazimin me “Ujqërit e dëborës”, do të komplikonte shumë pozitat e tij në krye të kampionëvë në fuqi. Skënderbeu i Gerti Haxhiut mbërrin në “Qemal Stafa” me statusin e ekipit që ka sulmin më të mirë në javën e parë, 4 gola, për më tepër që tre prej tyre janë realizuar nga dy lojtarë kroatë (Guerrib e Rukavina).
FLAMURTARI-DINAMO
Në Vlorë do të jenë përballë njëra-tjetrës dy skuadra që në javën e parë fituan me të njëjtin rezultat, 1-3, dhe për më tepër në transfertë, Flamurtari me Tiranën në kryeqytet dhe Dinamo me Kasriotin në Krujë. Fituesit e Kupës e Shqipërisë ëndërrojnë një fitore me 17-herë kampionët dinamovitë për të mposhtur dy skuadrat kryeqytetase të këtij sezoni. Dinamo, nga ana e saj shpreson te suksesi i dytë sezonal përpara se të nisin “pushimet” për shkak të angazhimi të Kombëtarës me ndeshjen kundër Danimarks. Sfida është një përballje talentesh: Rroshi-Bakaj.
VLLAZNIA-APOLONIA
Shkodranët humbën në ndeshjen e parë 2-0 në transfertë me Besën, dhe po me këtë rezultat Apolonia fitoi në shtëpi me Teutën, pikërisht me dy golat e realizuar nga Erion Hoti, një ish-lojtar i Vllaznisë. Sot, formacioni i Hasan Likës synon fitoren e parë sezonale i ndihmuar edhe lojtari i 12-të në një “Loro Boriçi” me prozhektorë (takimi fillon në orën 19:00). Skuadra simpatike fierake e Esad Karishikut do të bëjë gjithçka që të largohet me pikë nga impianti shkodran. Përballja është një betejë me nuanca shqiptaro-serbe, pasi jo pak por pesë lojtarë të Apolonisë vijnë nga fqinji ballkanik.
SHKUMBINI-BESA
Pjesa përgatitore e ndeshjes ka qenë një luftë polemikash mediatike midis drejtuesve të lartë të dy skuadrave aspak miqësore me njëra-tjetrën. Gjithsesi, Shkumbini në debutimin e parë sezonal në shtëpi, vjen pas barazimit në Ersekë me debutuesin Gramozi (0-0), ndërsa Besa me “faturën” e një fitoreje të rëndë, si ajo me Vllazninë (2-0). Trajneri i peqinasve, Magani, do ta dëshironte një fitore kundër një “dhelpre” të sprovuar të bankinave si Shpëtim Duro i kavajasve.
BoX;
LAÇI-GRAMOZI
Është një derbi midis dy skuadrave të ardhura nga Kategoria e Parë dhe që e njohin mjaft mirë njëri-tjetrin. Në javën e parë, Laçi humbi në minutat shtesë në Korçë me Skënderbeun (4-3), edhe pse kaloi dy herë në avantazh. Gramozi barazoi në shtëpi me Shkumbinin dhe synon të kthehet i pathyer nga fusha e vështirë e e Laçit.
TEUTA-KASTRIOTI
Teuta e Mirel Josës përballë Kastriotit synon autokritikën përpara publikut të ftohtë të saj. Durrsakët humbën në javën e parë kundër Apolonisë në Fier, ndërsa krutanët e Ramadan Ndreut pësuan një humbje shokuese me Dinamon në Krujë. Ndeshja është një sfidë midis dy ekipeve që kërkojnë pikët e parë gjatë këtij sezoni.
KATEGORIA SUPERIORE
Java II, 29.08.2009, ora 17:00
Tirana-Skënderbeu
Laçi-Gramozi
Shkumbini-Besa
Vllaznia-Apolonia (19:00)
Teuta-Kastrioti
Flamurtari-Dinamo
RENDITJA
1. Dinamo 3 pikë
2. Flamurtari 3
3. Apolonia 3
4. Besa 3
5. Skënderbeu 3
6. Gramozi 1
7. Shkumbini 1
8. Laçi 0
9. Kastrioti 0
10.Tirana 0
11.Teuta 0
12.Vllaznia 0
Kuzhe në Tirana-Skëndërbeu
Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Josip Kuzhe, do të ndjekë sot takimin Tirana-Skënderbeu (“Qemal Stafa”, ora 17:00). Te Tirana luajnë aktualisht dy futbollistë të Kombëtares, mbrojtësi Andi Lila (i pezullur në ndeshjen kundër korçareve) dhe mesfushori Jetmir Sefa. Të hënën, më 31 gusht, fillon grumbullimi i lojtarëve për ndeshjen kundër Danimarkës (9 shtator) në ambientet e hotel “Dyrrahut” në Durrës.
Kategoria e Parë
Partizani e Elbasani
nisin aventurën
e “ferrit”
Gjashtëmbëdhjetë skuadra të Kategorisë së Parë nisin sot sezonin e ri futbollistik. Edhe ky kompeticion pritet të dhurojë emocione pasi në luftë për një vend në Superligë janë midis të tjerëve edhe Partizani (15-herë kampion i Shqipërisë) dhe Elbasani (2-herë kampion i vendit). Partizani do të presë në javën e parë në kryeqytet Bilisht Sportin, ndërkohë që në “Ruzhdi Bizhuta”, Elbasani do të përballet me Besëlidhjen. Dy skuadrat e tjera të ardhura nga Superliga, Lushnja e Bylisi do të përballen respektivisht me Luftëtarin (në shtëpi) dhe Memaliaj (në transfertë). Ndeshjet e tjera të javës së parë të kësaj kategorie janë: Dajti-Ada, Pogradeci – Turbina, Burreli – Sopoti dhe Gramshi– Skrapari. Në javën e dytë do të luhet Bylis-Partizani. “Super-derbi” i madh i kësaj kategorie, Elbasani-Partizani do të zhvillohet në javën e 10-të, në “Ruzhdi Bizhuta” (7 nëntor 2009). Partizani-Lushnja do të luhet në javën e 11-të, ndërsa
Kategoria e Parë
Java I, 29.08.2009, ora 17:00
Dajti-Ada
Pogradeci - Turbina
Lushnja - Luftëtari
Elbasani - Besëlidhja
Memaliaj - Bylis
Burreli - Sopoti
Gramshi - Skrapari
Partizani – Bilisht Sport
29 Gusht 2009