Merr leje në burg, tenton të vrasë pronarin e kalçetos
BERAT - Mori leje një javë nga burgu ku vuante dënimin për trafik droge, tenton të vrasë pronarin e kalçetos në Berat. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës pas përfundimit të ndeshjes për finalen e Botërorit, midis Gjermanisë dhe Spanjës. K.Branko, pronari i kalçetos i shpëtoi mrekullisht atentatit që u tentua nga dy persona, tashmë të arrestuar. Policia e Beratit bëri të ditur se janë arrestuar Gaxha Ismaili, 24 vjeç, i dënuar më parë për plagosje dhe armëmbajtje pa leje si dhe Artan Tare, 37 vjeç, i cili aktualisht vuan dënimin prej 6 vjet burg me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Ai kishte ardhur një javë me lejë nga burgu i sigurisë së lartë në Peqin. Mësohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 23:00, ata kanë shkuar të armatosur me armë automatike në lagjen "Dëshmorët e Kombit" ku ishte kalçetoja në pronësi të Brankos. Sipas policisë, ata janë futur brenda dhe tentuan të qëllojnë pronarin e kalçetos. Burime të policisë bënë të ditur se armën e mbante 24-vjeçari Gaxha Ismaili. Por viktima e mundshme ka vepruar në kohë dhe është hedhur tek personi që do e shkrehte armën në trupin e tij. Edhe persona të tjerë që janë ndodhur në vend kanë ndërhyrë duke bërë neutralizimin e armës. Ata sinjalizuan menjëherë policinë e cila arriti të ndalonte në një kohë rekord dy të dyshuarit. Sipas burimeve, Artan Tare është divorcuar disa kohë më parë me motrën e pronarit të kalçetos. Pikërisht kjo dyshohet të jetë edhe shkaku i ndonjë konflikti të mundshëm mes tyre, deri në tentativën për vrasje që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës. Blutë kanë marrë në pyetje të arrestuarit dhe K.Brankon, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të flasë për motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë. d.xh