Sherr nëpërmjet Facebook-ut, plagos 18-vjeçarin me çifte
PEQIN - Një grindje banale, e nisur në mënyrë virtuale në kompjuter, ka përfunduar në mënyrën më të keqe të saj me një të plagosur rëndë dhe një të arrestuar nën akuzën e tentativës së vrasjes. Një person ka mbetur i plagosur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Peqinit, policia bëri të ditur zyrtarisht se si pasojë e një grindje që ka nisur në një sallë interneti ka mbetur i plagosur me armë gjahu 18-vjeçari I.D., nga fshati Cengelaj i Peqinit. Ai është plagosur nga adoleshenti A.B., nga e njëjta zonë. Në vendngjarje shkoi menjëherë policia e Peqinit si dhe forca të shumta policie, të cilat pasi morën masat e duhura për të dërguar të dëmtuarin në spitalin e Peqinit nisën punën për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Nga dëshmitë e mbledhura në vend rezultoi se 17-vjeçari A.B pasi është sharë me bashkëfshatarin e tij në faqen sociale Facebook e më pas janë konfliktuar fizikisht. Fillimisht është menduar se sherri përfundoi këtu, por adoleshenti ka shkuar në shtëpinë e tij ka marrë armën tip çifte që familja e tij e posedonte me leje dhe është kthyer duke qëlluar të riun në pjesën e barkut. Autori është larguar menjëherë, por pas identifikimit të shpejtë u bë arrestimi i tij. Mësohet se i lënduari është transportuar me autoambulancë drejt spitalit Ushtarak në Tiranë për ndihmë më të specializuar. a.k