E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, pranga dy vëllezërve



VLORE - Policia e Vlorës arrestoi dje dy vëllezër, njëri prej të cilëve ishte shpallur në kërkim, ndërsa tjetri i bëri rezistencë bluve me armë. Rreth orës 13.50, pas një informacioni se një person i kërkuar ndodhej në Vlorë, policia organizoi operacionin për kapjen e tij. Pasi lokalizuan vendndodhjen e saktë të tij, policia ndërhyri për arrestimin e Lulëzim Shkurtajt, 23 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim për veprën penale të "dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit", akuzë kjo e ngritur nga komisariati i Gjirokastrës. Sipas policisë, në momentin e ndërhyrjes, ata i kanë kërkuar 23-vjeçarit të mos lëvizte pasi ishte i arrestuar. Por vëllai i të kërkuarit, Helidon Shkurtaj, 32 vjeç, tentoi të reagonte për të shpëtuar nga arrestimi 23- vjeçarin duke nxjerrë një armë tip "Bereta", të cilën rezultoi se e kishte pa leje. Fatmirësisht, policia arriti të neutralizojë të riun duke i marrë edhe armën. Ata arrestuan të dy vëllezërit, njëri prej të cilëve për llogari të policisë së Gjirokastrës, me akuzën e mësipërme, ndërsa tjetri për armëmbajtje pa leje. Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale ndërsa i kaloi laboratorit të kriminalistikës për krahasimet e nevojshme. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›