E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, raporti përfitues-kontribues rrezikon skemën

Autori i Lajmit: red.
“Sigurimet shoqërore sipas sistemit që zbaton Shqipëria sot, në të gjithë botën kritikohen si një mekanizëm që transferon paratë nga të varfrit te të pasurit, për shkak se të varfrit jetojnë më pak dhe me moshën aktuale të daljes në pension prej 65 vjetësh, shumica e tyre nuk përfitojnë asgjë nga kontributet e paguara”

Skema në të cilët bazohet sistemi ynë i pensioneve funskionon nëse raporti i punësuar-pensionistë është 4 me 1. Në rast devijimi nga ky raport, skema shkon drejt falimentimit. Sipas statistikave aktuale rezulton se në vendin tonë figurojnë 535 mijë përfitues dhe 405 mijë kontribues. Sipas kësaj llogaritje del se raporti aktual s është as 1 me 1 (nga 1 me 4 që duhet të jetë) për mirëfunksionimin e skemës. Ekspertët herë pas here jo pa të drejtë kanë argumentuar se kjo skemë është e dështuar nisur edhe nga logjika e fakteve të shifrave.
Ekspertët
Për ekspertët që kanë ndjekur nga afër reformën, kjo skemë funksionon në mënyrë optimale kur raporti i punësuar/pensionistë është katër me një. Nëse do të flasim për modelin, sistemi shqiptar i pensioneve është i bazuar sipas idesë së shtetarit gjerman Oto Von Bismark. Teorikisht, nëse ky raport (kontribues-përfitues) zbret në tre me një, problemet janë të mëdha; ndërsa nëse zbret më poshtë, skema konsiderohet praktikisht e falimentuar. Statistikat tregojnë se në Shqipëri ka dhjetë vite që ka më pak se një të punësuar për pensionist dhe raporti është përkeqësuar vazhdimisht. Pra sot ka 535 mijë përfitues në skemën e sigurimeve dhe vetëm 405 mijë shqiptarë kontribuues.
Reforma
Reforma e nisur gjatë viteve të fundit me asistencë të Bankës Botërore, synon të stabilizojë të ardhurat e sigurimeve shoqërore dhe të rrisë gadishmërinë e kontribuesve për të paguar më shumë në skemë.E nisur në vitin 2004, reforma fillimisht rriti moshën e daljes në pension të shqiptarëve në 60 vjeç, me shpresë se me këtë mënyrë do të ulej numri i përfituesve dhe do të zgjateshin vitet e pagesave. Në atë kohë, reforma u kritikua nga sindikatat dhe opozita politike si një masë që synon "t i vdesë shqiptarët në punë". Por, pavarësisht se qeveria nuk i dëgjoi kritikët, rritja e moshës së daljes në pension qe një masë me efekte të ezauruara brenda më pak se tre vjet. Qeveria pasardhëse ashpërsoi më tej kushtet që duhen plotësuar për përfitimin e një pensioni të plotë, rriti moshën e pensionit dhe vitet minimale të punës, si dhe ndërmori masa drastike për t i detyruar të punësuarit të paguajnë më shumë.
Kritika
Ndërkohë, politikat populiste të rritjes së pensioneve e rritën varësinë e skemës nga buxheti i shtetit, ndërsa masat për të rritur të ardhurat nga kontributet e pensioneve krijuan probleme të tjera në lidhje me eficencën e krahut të punës. Sigurimet shoqërore sipas sistemit që zbaton Shqipëria sot, në të gjithë botën kritikohen si një mekanizëm që transferon paratë nga të varfrit te të pasurit, për shkak se të varfrit jetojnë më pak dhe me moshën aktuale të daljes në pension prej 65 vjetësh, shumica e tyre nuk përfitojnë asgjë nga kontributet e paguara. Në anën tjetër, të pasurit jetojnë më gjatë dhe rrjedhimisht përfitojnë edhe pensionet që nuk i marrin të varfrit.
Brezat
Ekspertët argumentojnë më tej duke sqaruar se problemi është se, sistemi aktual nuk jep zgjidhje për të ardhmen dhe reforma e pensioneve më shumë ka synuar të mbajë gjallë gjendjen e vështirë aktuale, sesa të ofrojë zgjidhje për brezat e ardhshëm të pensionistëve. Për më tepër, sistemi i sigurimeve shoqërore financohet në masën 40 për qind nga buxheti i shtetit. Pensionet që do të duhet t u shlyhen pensionistëve të sotëm janë borxh publik në të gjitha të dhënat, me përjashtim të emrit. Vetë mbledhja me dhunë përmes pagës minimale dhe pagave të referencës, nuk e shpëton skemën nga falimenti.

Ky lajm është publikuar: 16/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›