Trukimet, Ismaili: Po, toleruam ndaj Bylis
Konfirmon largimin nga drejtimi i klubit por duke lëshuar edhe një “bombë” mediatike. Presidenti i Shkumbinit ka pranuar se ndaj Bylisit në ndeshjen e javës së 32-të në Elbasan (ndeshja luhej në fushë asnjanëse për shkak të pezullimit të Shkumbinit) skuadra e tij ka toleruar në rezultat duke i dhënë një dorë tre pikëshit aq të kërkuar për mbijetesë nga ana e ballshiotëve. “Di t’ju them se nuk e di se përse është larguar ekzaktësisht trajneri Magani, por konfirmoj se ka pasur një lloj tolerimi në ndeshjen ndaj Bylisit. Deri në takimin me Flamurtarin skuadra po ecte përgjithësisht mirë. Në atë moment mua mu kërkua që ta motivoja më shumë skuadrën, gjë të cilën realisht nuk e bërë se nuk desha ta bëj. Unë e kam sponsorizuar Shkumbinin përgjatë gjithë këtij sezoni pa më të voglin problem financiar. I kishim vënë vetes disa objektiva të cilat nuk ishte e thënë që të realizoheshin ashtu sikundër dëshironim ne. Megjithatë jam i kënaqur përsa kemi arritur”, ka thënë presidenti Ismaili për gazetën Panorama. Pikërisht ky tolerim duket se ka qenë edhe “molla” e sherrit mes presidentit Ismaili dhe trajnerit Magani i cili disa minuta para ndeshje është ktheyr në ish-in e radhës në pankinat e Superligës. “Realisht ai donte që të luhej seriozisht me qëllim që të përfitonte Elbasani dhe deri në këtë pikë mua më duket mëse normale pasi gjithkush ka preferencat e veta. Ndërsa unë urdhërova tjetër gjë. Gjithsesi di t’ju them se me Maganin kam pasur dhe ruaj një respekt të veçantë. Kam punuar gjatë këtij viti me të dhe mendoj se ka merita të padiskutueshme për çfarë i ka dhënë kësaj skuadre”, ka vazhduar Ismaili. Pas një viti në drejtim të Shkumbinit Xhavit Ismaili ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme, sipas tij për arsye familjare. “Po, kam dhënë dorëheqjen për arsye personale dhe nuk do të jem më presidenti i këtij klubi për sezonin tjetër. Do të drejtoj klubin edhe për javën e fundit të kampionatit ku bashkë me futbollistët dhe stafin do të festojmë përfundimin e një sezoni të mirë do të thosha dhe më pas do ta lë klubin në dorë të bashkisë së qytetit. Kështu edhe ata do të kenë kohën e duhur që të riformatojnë skuadrën për sezonin e ri duke gjetur edhe mbështetje financiare”, ka përfunduar Njëshi i klubit peqinas.