Thaçi: Xho Bajden do të ketë pritje madhështore në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka premtuar një pritje madhështore për nënpresidentin amerikan, Xho Bajden të enjten, duke theksuar se ai është një nga liderët e vendit më mik të Kosovës. Duke mbajtur surprizë detajet e mikpritjes, Thaçi tha se populli i Kosovës do të dijë ta vlerësojë njeriun, që i ka mbështetur gjatë 20 viteve të fundit. “Do të organizojmë pritje madhështore të qytetarëve në Prishtinë në nder të vizitës së nënpresidentit të SHBA-ve, i cili është mik i popullit tonë”, tha Thaçi gjatë një vizite në Ferizaj, duke shtuar se Bajden e ka mbështetur Kosovën gjatë 20 viteve të fundit. “Ai është i njohur me luftën tonë për çlirim, procesin e tranzicionit demokratik dhe pavarësinë e Kosovës, kurse aktualisht ai po mbështet dhe ndihmon me proceset e integrimit të Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ai është mik dhe përkrahës i Kosovës, dhe ne do të organizojmë mikpritje të merituar”, tha kryeministri Thaçi. Nënpresidenti Bajden të enjten në Prishtinë do të takohet me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, si dhe do t’i vizitojë forcat amerikane në kampin Bondstill. Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden do vizitojë këtë javë tre vende të Ballkanit: Bosnjën, Serbinë dhe Kosovën. Më 19 maj, të martën nënpresidenti Bajden do të vizitoj Bosnjën, të mërkurën më 20 maj Serbinë, ndërsa më 21 maj ai do të vizitoj Kosovën. Në Prishtinë Bajden do të takojë Presidentin, Fatmir Sejdiu, Kryeministrin, Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni. Bajden pritet të mbajë edhe një fjalim në Kuvendin e Kosovës ku parashikohet të deklarojë edhe një herë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për republikën e re dhe integrimin e saj në institucionet ndërkombëtare.
Ivanoviç: Statusi i Kosovës, transitor
Pasi u zgjodh kryetar i Partisë Socialdemokrate të Serbisë për Kosovën, politikani serb, Oliver Ivanoviç, tha dje se “atë që shqiptarët dhe disa vende me ndikim në botë e konsiderojnë të zgjidhur dhe përfundimtar, ne e konsiderojmë status transitor”, duke iu referuar pavarësisë. Sipas tij, statusi i Kosovës mund të jetë përfundimtar vetëm atëherë kur, në marrëveshje me Serbinë, do të gjendet zgjidhje “e drejtë”, që do të pranohet edhe nga qeveria serbe.