E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat e Brukselit e shndërruan luftën e Gjeorgjisë në turpin e Perëndimit

Fati i Gjeorgjisë duket se është përcaktuar, si pasojë e hidhërimit të Moskës për shkak të njohjes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008. Njohja e Kosovës nga ana e Perëndimit është një çështje, ndërsa injorimi i kërcënimeve të Rusisë për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste të Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut është një çështje tjetër


Isha lufta e turpit e Evropës. Ajo zbuloi një BE të përçarë në mënyrë të pashpresë, të konsumuar nga debatet e panumërta në lidhje me Traktatin e Lisbonës, port ë paaftë apo të pavullnetshme për të gjetur një zë të përbashkët për të dënuar invadimin. Pikërisht me fillimin e Lojërave Verore Olimpike para një viti, tanket ruse hynë në Gjeorgji. Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti i SHBA-së, George Bush, ishin në Pekin, për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes të këtyre lojërave, në momentin kur forcat e armatosura të Gjeorgjisë, pas javëve të tëra të incidenteve të armatosura, sulmuan enklavën e Osetisë së Jugut, duke nxitur kështu rrjedhën e ngjarjeve, të cilat më pas do të cilësohen me termin Lufta Olimpike.


Incidentet para fillimit të invadimit mbesin të turbullta. A kishte njoftuar presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Sakashvili, Washingtonin për planin e tij për të pushtuar Osetinë e Jugut? A kishin urdhëruar rusët njësitë në Osetinë Jugore që të hapin zjarr kundër paqeruajtësve gjeorgjianë, në kuadër të kurthit të përgatitur mirë?


Rusia ishte e gatshme. Fati i Gjeorgjisë duket se është përcaktuar, si pasojë e hidhërimit të Moskës për shkak të njohjes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008. Njohja e Kosovës nga ana e Perëndimit është një çështje, ndërsa injorimi i kërcënimeve të Rusisë për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste të Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut është një çështje tjetër. Luftimet në Gjeorgji përfunduan ende pa nisur mirë Lojërat Olimpike-pesë ditë të cilat shokuan botën, apo së paku e tronditën atë.


Gushti ka qenë gjithmonë një muaj i vështirë në politikë. Lufta e madhe, invadimi pranveror në Pragë, puçi i dështuar në Rusi dhe invadimi i Irakut në Kuvajt janë të gjitha këto ngjarje, të cilat kanë ndodhur gjatë ditëve të nxehta. Sikur edhe në vitin 1914, lufta në Gjeorgji dëshmoi se grindjet lokale mund të shndërrohen në një luftë mes gjigantëve ushtarakë. Por e vërteta është se gjatë luftës vitin e kaluar Gjeorgjia është braktisur dhe se Evropa dhe SHBA-ja është dashur të jenë më të vendosura në reagimet e tyre, pa rrezikuar me këtë rast paqen rajonale.


Në Pekin, në momentin kur filluan të qarkullojnë lajmet se forcat gjeorgjiane kishin hyrë në Osetinë e Jugut, Putini arriti të sigurojë garancitë e Bushit se SHBA-ja nuk do të përfshihet. Në këtë mënyrë u hap fusha për Putinin, duke I ofruar atij mundësinë që në njëfarë mënyre të hakmerret për humbjen e Rusisë gjatë Luftës së Ftohtë, e cila sipas fjalëve të tij “ka qenë katastrofa më e madhe e shekullit XX”. Dhe kështu Rusia invadoi në një shtet evropian, për herë të parë që nga viti 1968. Vitet ‘90, nën kryesimin e Boris Jeltsinit, ishin periudhë e turpërimit të Rusisë, një dekadë e turpit për Putinin, gjatë së cilës Rusia e dobësuar ishte e detyruar të pranojë ndihmat ekonomike të perëndimit dhe u desh të pajtohet me anëtarësimin e ish-shteteve anëtare të Paktit të Varshavës në NATO.


Gjeorgjia ishte mundësia e Putinit për të ndërruar gjendjen. Por pse Putini rrezikoi aq shumë? Me këtë rast rëndësi kishte edhe e kaluara, por lufta në Gjeorgji nuk kishte të bënte vetëm me Gjeorgjinë apo me statusin e reduktuar të Moskës. Kishte të bënte më shumë me Ukrainën dhe portin gjeorgjian, Poti, sesa që kishte të bënte me Abhazinë ose Osetinë e Jugut. Ukraina kishte bërë të qartë se nuk do ta ripërtërijë më kontratën për t’ia lëshuar Rusisë me qira bazën detare Sevastopol, në Detin e Zi, pas skadimit të kontratës në vitin 2017. Por rusët e kanë agjendën e tyre. Prefekti i Moskës, Yuri Luzhkov, dikur e pat cilësuar Sevastopolin si “një rajon të Moskës”. Ai gjithashtu kishte kërkuar që Gadishulli i Krimesë t’i kthehet Rusisë. “Ne nuk kemi vendosur para vetës synimin për t’u larguar nga Sevastopoli”, theksoi muajin e kaluar gjenerali rus, Nikolai Makarov, duke shtuar: “Ne synojmë të ndërtojmë komplekse të reja në Detin e Zi, në afërsi të Novorosiskit”. Madje edhe nëse rusët do të largoheshin nga Sevastopoli dhe do të vendoseshin disa qindra kilometra më larg, në Novorosisk, është vështirë të paramendohet se Moska do të lejonte shtetet anëtare të NATO’s që të shfrytëzojnë portin Poti, i cili gjendet 500 kilometra larg Novorosiskit. Gjatë luftës në Gjeorgji, edhe NATO-ja ishte tejet e përçarë. Në prill të vitit 2008, disa muaj para fillimit të invadimit, Gjermania dhe Franca kundërshtuan SHBA-në dhe Britaninë, duke bllokuar negociatat e Gjeorgjisë për anëtarësim në NATO. Kjo përçarje u vërejt edhe në Moskë. Porti i Potit, nën kontrollin apo ndikimin indirekt të Rusisë, siç është tani, do t’i lejojë Moskës që të shtojë trysninë ndaj Ukrainës dhe të forcojë qytetarët rusë në Krime. Nëse Ukraina nga këndvështrimi rus bëhet tejet pro-perëndimore, atëherë Krimea mund të jetë Osetia e Jugut e radhës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›