Dilemat e hapjes se dosjeve
ILIR KALEMAJ
Rihapja e debatit për hapjen e dosjeve, që merr shkas nga draftligji i ri që ka disa ditë që ka pushtuar faqet e medias dhe është kthyer në një lloj debati publik për të disatën herë gjatë këtyre viteve pluralizëm, është sa për tu përshëndetur, aq edhe për të ardhur keq. Nga njëra anë duhet përshëndetur se jemi pothuajse i vetmi vend i Lindjes që deri tani nuk ka bërë as përpjekjet minimale për të bërë një lloj katarsisi, në mos shpirtëror apo individual, të paktën për hir të interesit publik. Por është edhe për të ardhur keq, pasi sa herë është iniciuar si proces, është bërë më tepër për të mbyllur gojë rebele, për të frikësuar apo përjashtuar kundërshtarë dhe është përdorur për qëllime politike, ndërkohë që askujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. E gjithë kjo farsë retorike, si tashmë shumë e shumë paradokse që prodhon në vazhdimësi klasa politike shqiptare, duket se më tepër bëhet për të tërhequr vëmendjen nga probleme më të qenësishme dhe reale që has shoqëria shqiptare sot, sesa si një gjest vullnetmirë për të pastruar radhët e politikës nga figura të dyshimta dhe me moral të kompromentuar. Gjithsesi, lajmi që ka shoqëruar draftligjin e përgatitur, që pritet të konsultohet edhe me grupet e interesit, për përjashtimin nga detyrat publike të ish-nomenklaturës, përfshirë ata që kanë mbajtur pozicione të larta në Diplomaci, Drejtësi e me radhë, sikundër rendit neni 4 i këtij projektligji, përbën një ogur të mirë dhe vjen si një kambanë e vonuar për muret e shurdhëta të harresës politike.
Për një vëzhgues të vëmendshëm, dy palët më të interesuar në çështjen e dosjeve janë avokatët dhe kundërshtarët e hapjes së tyre, ku pala e parë e sheh si domosdoshmëri dhe detyrë civile, ndërsa të dytët argumentojnë se është një hap fals që jo vetëm nuk ka ndonjë vlerë pas 17 vitesh, pasi do ndjellë vëllavrasje apo nxit konflikte sociale, por për më tepër, aktorët kryesorë ose janë larguar në mënyrë të vullnetshme nga politika, ose nuk janë më në këtë jetë. Një argument tjetër është që shumë nga këta ish-spiunë apo informatorë të Sigurimit të Shtetit kanë qenë të detyruar nën presione të gjithfarëllojshme të spiunojnë miqtë dhe të afërmit e tyre dhe shpesh rekrutoheshin ndër njerëz me cene në biografi. Megjithëse disa nga këto argumentet e grupit të dytë, që në këtë mes njëfarësoj kryejnë dhe rolin e avokatit të djallit edhe mund të qëndrojnë, gjithsesi nuk mund të vësh re se përpjekjet që fajet individuale tia atribuosh një kolektivi sa më të gjerë, aq më tepër kur askush nuk ka zënë në gojë hapjen e dosjeve në masë, por vetëm në mënyrë selektive, janë përpjekje që deformojnë realitetin dhe shtyjnë drejt pafundësisë zgjidhjen. Më poshtë do të sjell në vëmendjen e lexuesit disa raste paralele nga Europa Lindore për të parë se si disa nga këto shtete kanë vepruar në raste të ngjashme dhe çfarë ka ngjarë më tej.
Një ndër rastet më ilustrues është ai i çekut disident Jan Kavan, i cili ishte një nga pionierët e shembjes së regjimit komunist në ish-Çekosllovaki, si dhe një figurë gjerësisht e nderuar dhe e respektuar në shoqërinë çeke. Pas vitesh disidence të pandërprerë dhe një nga interlokutorët kryesorë të antikomunistëve çekosllovakë me partnerët e tyre europianë apo amerikanë, si dhe themeluesi i një prej gazetave më prestigjioze në Angli, e cila shërbeu si një zë i fuqishëm në përkrahje të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, Kavan ishte natyralisht ndër të parët që morën pjesë në revoltën e përgjithshme popullore që i dha fund diktaturës në 1989-n dhe i hapi rrugën vendosjes së pluralizmit politik. Kur u ndërmor iniciativa për hapjen e dosjeve për parlamentarët e Parlamentit të parë çek pas ardhjes së demokracisë, Kavani ishte një nga të parët që firmosën pro krijimit të një komisioni për verifikimin e këtyre figurave të larta të politikës çeke. Dhe kur pikërisht ky komision i sapokrijuar zbuloi se Kavani së bashku me rreth 14 deputetë të tjerë figuronin si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit çek dhe këta u lajmëruan se ishte mirë të jepnin dorëheqje nga funksionet e tyre publike ose në të kundërt, emrat e tyre do të bëheshin publikë, këta jo vetëm që nuk dhanë dorëheqje, por edhe e apeluan vendimin e komisionit.
Për mos tu zgjatur më tej, emrat e tyre u bënë publikë, gjykata vendosi që megjithëse Kavani mund të kishte qenë i detyruar të bashkëpunonte (vetëm për një vit) me organet e Sigurimit dhe mund gjithashtu të kishte qenë i pandërgjegjshëm për veprimet që po bënte, pasi në mes kishte qenë një person i tretë, opinioni publik në masë i dënoi këto figura legjendare, sidomos Kavanin, të cilit iu desh të bënte një tërheqje të parakohshme nga jeta publike. Ky rast tregon se në politikë nuk ka të mëdhenj apo të vegjël dhe aq më pak të pazëvendësueshëm. Ndërsa në rastin e ish-Gjermanisë Lindore, u kërkua dhe u realizua hapja e dosjeve për ish-spiunët jo vetëm për funksionarët e lartë të politikës dhe shtetit, por edhe për qindra e mijëra funksionarë të thjeshtë, të cilët kishin një post të caktuar në administratën e re shtetërore, si të vetmen mënyrë për tu shkëputur nga bataku moral i së kaluarës së errët, drejt një shoqërie të re dhe europiane. Ndërkohë që edhe për dokumentet e STAS-it (organi famëkeq i Sigurimit gjermano-lindor), po bëhen përpjekje për të bashkuar copat e tyre, pas urdhrit që u dha pas shembjes së Murit të Berlinit për grisjen me dorë të tyre. Kjo për të bërë të mundur si zbardhjen e plotë të bashkëpunëtorëve dhe shkallës së përgjegjësisë individuale të secilit prej tyre, ashtu dhe konfigurimin e qartë të shkallës së implikimit të shërbimeve sekrete në dialektikën e zhvillimeve shoqërore dhe politike në vend.
Nga ana tjetër, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj gjermanë që jeton edhe sot, Gunther Grass, guxoi të pranonte bashkëpunimin e tij me SS në kohën e Gjermanisë naziste. Grassi, megjithëse njihet si një ndër shkrimtarët e brezit të humbur që shkruan plot dhimbje për tmerret pa fund që solli lufta që inicioi Hitleri me shokë dhe arriti derisa të marrë çmimin Nobel për Letërsi, mund fare mirë ta kishte mbajtur gojën mbyllur dhe ti kishte ngrysur si hero ditët e fundit të jetës së tij. Në fund të fundit, ai kishte qenë veçse një fëmijë (17 vjeç) kur kishte bashkëpunuar për disa javë me organin famëkeq nazist dhe nuk kishte marrë pjesë në asnjë vrasje apo akt tjetër kriminal. Mbi të gjitha, nuk ishte i rrezikuar drejtpërsëdrejti nga zbulimi i një fakti të tillë. Por qe ndjenja qytetare që ia imponoi një detyrim të tillë përpara opinionit publik dhe lexuesve të tij të shumtë, duke shpresuar në njëfarë mënyre që akti i tij të shërbente dhe si një nxitje për ata njerëz që kishin shumë më pak se ai për të humbur. Këto dy raste gjermane, megjithëse janë anë të ndryshme të së njëjtës monedhë, ilustrojnë faktikisht një domosdoshmëri të njëjtë shoqërore dhe vënë theksin te roli që në njërin rast shteti dhe në tjetrin individi, mund të luajnë për të nxitur purifikimin e shoqërisë dhe mbijetesën e moralit në të.
Këta dy shembuj, në njëfarë mënyre tregojnë se sfidat që has shoqëria kur u rikthehet plagëve të së kaluarës janë të shumta dhe pengesat të panumërta, por nëse ekziston një vullnet pozitiv, mund të shpresohet që emancipimi i shoqërisë ta kapërcejë atë të politikës. Në fund të fundit, në Rumani, megjithëse politika ia arriti ta rrëzonte Presidentin Basesku nëpërmjet një mocioni mosbesimi në Parlament, pasi idetë e tij për hapjen e dosjeve dhe lufta ndaj korrupsionit cenonte një pjesë të mirë të tyre drejtpërsëdrejti, përsëri ai ia doli të rikonfirmohej nëpërmjet një referendumi popullor që e mbështeti atë gjerësisht. Këto raste gjithashtu tregojnë se jo vetëm që në Shqipëri nuk ka për të ndodhur kataklizmi në rast se disa figura politike të konsumuara do të nxirren në pension të parakohshëm (apo të paskohshëm), por për më tepër do rivitalizohet skena politike, e cila në demokraci nuk ka pse të ketë figura që vegjetojnë me dekada të tëra, aq më tepër kur janë edhe moralisht të konsumuara.