E Diel, 1 Nëntor 2026

Burri i biznesmenes Liri Berisha

Share

Nga Mero Baze

Kryeministri i vendit u shfaq dje në mbledhjen e qeverisë për të folur rreth ndihmës që shteti shqiptar duhet të japë për të luftuar sëmundjen e autizmit. Është diçka mbresëlënëse. Autizmi është një sëmundje që po shtohet frikshëm dhe shumë fëmijë po kthehen në drama të vërteta për familjarët e tyre. Disa prej tyre ndodh që janë prindër të pasur, biznesmenë dhe vihet në shërbim të fëmijës me paret e veta. Por shumica janë njerëz të thjeshtë, pa pare, biles shpesh me shumë halle. Një vit më parë më rastisi që një prind nga jugu, të cilit i kishte ndodhur kjo fatkeqësi, të trokiste në derën time për ta ndihmuar. U gjenda shumë i papërgatitur dhe u ndjeva shumë fajtor që nuk bëja dot gjë për të. U interesova dhe dikush më tregoi se në lagjen Kombinat ishte një qendër e tillë. Shkova aty dhe pashë në të vërtet një spital të madh, me shumë mjedise dhe mjekë, por thuajse me asnjë kusht për të qenë spital që mund të trajtonte fëmijët. Por personali ishte shumë i përkushtuar. E morën fëmijën e mikut tim, e përfshinë në kurset e tyre të trajtimit mjekësor dhe prej një viti po mundohen të bëjnë diçka me të. Por problemi i tyre serioz ishte se të gjitha fondet shtetërore, si dhe ndihmat e huaja apo shqiptare për fëmijët autistë, shkojnë jo tek ky spital publik, që vjen në ndihmë të të gjithëve pa lek, por te një rrjet qendrash që ka hapur Liri Berisha, të cilat siç thotë populli të matin kokën me spango kur shkon të paguash. Këto janë qendrat që zonja Berisha i quan qendra bamirësie, por në të vërtetë shërbimet e tyre janë super të shtrenjta për qytetarët e zakonshëm dhe mbi të gjitha trajnimet nuk janë në atë nivel të pagesës. Në një farë mënyre janë thjesht spitale private të palicensuara, por të superfinancuara nga donatorë të huaj, donatorë shqiptarë, tashmë dhe nga premtimet e qeverisë shqiptare.

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, e përmendi sërish këtë objektiv të tij. E përmendi duke shtuar fjalinë se gjatë vitit të shkuar janë hapur disa qendra të trajtimit të fëmijëve autikë, por qeveria do të ndihmojë të hapen të tjera. Qartazi bëhet fjalë për të sponsorizuar qendrat e biznesmenes Liri Berisha, e cila nuk ka bërë kurrë transparente fondet që mbledh dhe mënyrën si i harxhon. Shtypi ka publikuar herë pas here dhe financime të personave të dyshimtë apo me precedentë penale në mbrëmjet e saj të bamirësisë, por dhe këto jemi gati ti falim nëse ajo i përdor vërtet fondet për bamirësi apo shërim të fëmijëve autikë. Disa raporte të shtypit kanë provuar se qendrat e saj kanë prodhuar disa biznese paralele në këtë fushë, të cilat nga bamirëse janë kthyer në fitimprurëse. Disa mjekë që kanë tentuar të bëjnë të njëjtën gjë paralelisht si biznes, janë eliminuar në mënyrë brutale nga tatimet apo Ministria e Shëndetësisë. Biznesmenia Liri Berisha ka prodhuar tashmë monopolin e saj në këtë fushë, një monopol i cili në njëfarë mënyre ndalon shoqërinë shqiptare të konkurrojë e lirë në vullnetin e saj për të shëruar këta fëmijë fatkeqë.

Kryeministri Berisha, i cili ka thyer rekordet më të zeza në qeverisjen e këtij vendi duke prodhuar monopole në çdo fushë të ekonomisë, që nga turizmi, koncesionet, energjetika, minierat, etj, tashmë po prodhon dhe një monopol të ri, të dhimbshëm dhe antinjerëzor, monopolin në një fushë specifike të shëndetësisë, që ka të bëjë me dramën e qindra- mijëra familjeve shqiptare që fati i keq u ka sjellë në jetë fëmijë autistë. Pafuqia e tij në këtë rast është e dukshme. Ai nuk ka fuqi të sillet si kryeministri i një vendi me liri ekonomike, si kryeministri i një vendi, qeveria e të cilit dikur u përgojua për dhembshurinë ndaj kafshatës, dhe nuk po investon në spitalin publik dhe në disa spitale publike të autistëve, por në një rrjet tërësisht privat dhe tërësisht të kontrolluar nga biznesmenia Liri Berisha. Është e turpshme, por ai foli në mbledhje të qeverisë për një plagë të madhe të shoqërisë shqiptare që pret të shërohet kryesisht nga një vizion i qeverisë për të. Por ai nuk foli si kryeministër. Foli si burri i biznesmenes Liri Berisha.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›