Votat, loja me dy partitë e reja
A mund të ndahet elektorati i PD-së dhe PS-së për parti të tjera? Duket se kjo pikëpyetje do të vendosë edhe modelimin e fushatës së ardhshme, ku secila palë do të tentojë të vendosë piketa të qarta rreth mbështetësve që ka pasur në konceptin tradicional, si dhe ti shtyjë votuesit e kundërshtarit për tu ndarë në sa më shumë forca të ndryshme politike. E në fakt, po të vihet re, duket se fokusi i të dyja palëve është zhvendosur te risia që mund të sjellë partia e Topit dhe partia e Spahiut, ndërkohë që partive të tjera, parlamentare apo joparlamentare, u dihen pak a shumë peshat e elektoratit tradicional.
Shefi i maxhorancës në fakt e nisi prej shumë kohësh distancimin me Topin, e më pas edhe me Spahiun, duke i shtyrë ata përpara publikut jashtë preferencave të mbështetësve të PD-së, të cilët Berisha duket se i njeh më mirë se sa shefi i opozitës mbështetësit e tij, për shkak të modeleve të ndryshme të komunikimit që ruajnë në publik ai dhe Rama. Kësaj përpjekjeje të Berishës, Rama iu kundërpërgjigj me këmbënguljen se dy partitë që po krijohen janë pjesë e PD-së.
Vetë Topi dhe Spahiu duket se pas kësaj beteje Berisha-Rama, janë të detyruar të përzgjedhin fjalorin politik, edhe mënyrën se si do ta thërrasin publikun, pasi afrimi me secilën palë aktualisht është një zonë e minuar për ta, sidomos duke parë historinë e brishtë të partive të reja të krijuara në Shqipëri, të cilat edhe në kulmin e tyre të ideve nuk kanë mundur të shkojnë më shumë se sa 5-6 deputetë.
Në këtë kontekst, Berisha duket se i ka bërë llogaritë në prezantimin e Spahiut dhe Topit, si dy figura që kanë qëllimin e vetëm të çojnë në humbje PD-në. Ky qëndrim, i cili i shmang ata nga një ndërtim i profilit ndryshe në politikë, e bën të pamundur fitimin prej tyre të një elektorati të konsiderueshëm nga PD. Ky duket edhe qëllimi i parë i Berishës për të distancuar në maksimum çdo pretendim të Topit dhe Spahiut se u përkasin interesave të atyre që njihen si të djathtë.
Në këtë pikë ata duket se kërcënojnë më shumë elektoratin e dyzuar, tek i cili Rama mund të shpresojë përmbysjen. E nëse ata që konsiderohen si të pavendosur, do të shkonin më së shumti për dy partitë e reja, maxhoranca dhe opozita rrezikojnë të mbeten në të njëjtat nivele votash. Kjo do ti jepte shansin, qoftë edhe më me brishtësi se në 2009-n, që ofertën e marrëveshjeve paszgjedhore ta luante Berisha. Por, nëse vijmë në këtë pikë, ku dialogohet për marrëveshje, duket se më i humbur është Rama, i cili deri tani nuk ka arritur të tregojë se është i aftë të bëjë bashkëpunëtorë rreth vetes ose të dijë të lëshojë, ku i duhet të bëjë lëshime.
Historitë e afrimit të Lefter Xhuvelit në 2005-n apo të Ilir Metës më 2009-n, anojnë nga një pragmatizëm më të aplikueshëm nga kreu i PD-së, sesa nga kreu i PS-së. Nisur nga kjo e kaluar koalicionesh prej Berishës duket se është shtyrë edhe Pandeli Majko teksa deklaronte dje se PS nuk ka asnjë arsye të mos shohë një bashkëpunim me partinë e Topit. Mirëpo, e thënë në këtë moment, edhe pse shumë e arsyeshme dhe pragmatiste nga Majko, duket se vërtetohen fjalët e Berishës lidhur me Topin, se me lëvizjen e tij politike të paralajmëruar ka si synim vetëm rrëzimin e PD-së nga pushteti, duke e dërguar ish-zëvendësin e tij në parti në një terren politik ku pa dyshim do të merrte me shumë vota majtas, sesa djathtas.
Gjithsesi, beteja për votën vetëm sa ka nisur. Jemi në startin e mënyrës se si do të ofrohen bisedimet mes palëve. Por në këtë prognozë lojërash që ka nisur me debate në distancë, duket se Rama ka një armik më shumë se sa Berisha – mungesën e tij të pragmatizmit për të kuptuar se sa të rëndësishëm janë ndonjëherë edhe të vegjlit kur nis e bëhet mbledhja matematike e votave.
