Gjykimi administrativ dhe vetëkufizimi i pushtetit
Projektligji, le ta emërtojmë shkurt, Për gjykatat administrative më në fund po shkon drejt miratimit. Duket tashmë se edhe opozita është bashkuar me maxhorancën dhe me përfaqësues të shumtë të grupeve të interesit dhe personalitete të fushës, për përmirësimin cilësor të draftit të paraqitur nga qeveria. Duhet thënë se tashmë, të gjitha palët janë angazhuar të punojnë së bashku për ti dhënë vendit një nga ligjet me interes shumë të madh publik, për qytetarët, qofshin ata sipërmarrës, punonjës të administratës publike apo njerëz të thjeshtë. Përveç kësaj, projektligji është një arritje e madhe në fushën e së drejtës dhe të institucionalizimit të demokracisë në Shqipëri. Ai plotëson përfundimisht konceptin e ndarjes së pushteteve dhe kufizon pushtetin ekzekutiv në përdorimin e instrumenteve të saj, të cilat mund të kapërcejnë ligjin.
Pikësëpari, ligji i jep fund një përvoje të tejzgjatur jonormale, sipas së cilës, për çështjet administrative vendosnin gjykatat e zakonshme, domethënë gjykatat që shqyrtojnë çështje civile dhe penale. Pavarësisht faktin që në këto gjykata ishin krijuar seksione të veçanta për çështjet administrative, përsëri ato janë pjesë të këtyre gjykatave dhe i nënshtrohen hierarkisë së tyre. Nga ana tjetër, kjo praktikë përbën një cenim të parimit kushtetues të ndarjes së tri pushteteve. Neni 7 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton qartë ndarjen dhe balancimin e pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Bazuar në të, rishikimi juridik i akteve të nxjerra nga institucionet e secilit prej tyre, deri tani ka qenë i paplotë. Pra, ndërsa në atë që quhet pushtet gjyqësor, rishikimin e vendimeve të gjykatave të faktit dhe apelit e bën Gjykata e Lartë, e cila qëndron në majë të piramidës së hierarkisë së pushtetit gjyqësor dhe, po ashtu, në pushtetin legjislativ, kushtetutshmërinë e ligjeve të Parlamentit apo akteve të tjera normative e shqyrton Gjykata Kushtetuese, e cila është e ndarë juridikisht nga pushteti gjyqësor; deri më sot, në mënyrë të panatyrshme, shqyrtimin e ligjshmërisë së akteve administrative të nxjerra nga institucionet që përbëjnë pushtetin ekzekutiv e bëjnë institucionet e një pushteti tjetër, pra gjykatat e të tri shkallëve të pushtetit gjyqësor. Parimi kushtetues cenohet për faktin se njëri pushtet (ai gjyqësor), ndërhyn te pushteti tjetër (ai ekzekutiv) dhe vendos drejtësi mbi aktet e nxjerra prej tij. Projektligji i jep fund këtij paradoksi. Pra ligji i ri do të krijojë një strukturë të re hierarkike gjykimi për të dhënë drejtësi administrative, të ndarë juridikisht nja pushteti gjyqësor. Por, nga ana tjetër, projektligji përcakton Gjykatën e Lartë si shkallën e fundit të rishikimit gjyqësor edhe për vendimet e gjykatave administrative të shkallës së parë dhe të dytë (Apelit). Në botën demokratike ka përvoja të ndryshme. Me sa duket, ky është një koncept i marrë nga sistemi gjyqësor i Anglisë, SHBA dhe vendet e tjera që aplikojnë juridiksion të bazuar në të drejtën angleze, ku gjykatat e larta luajnë edhe rolin e gjykatave kushtetuese. Natyrisht, është një koncept demokratik i pranueshëm. Por përvoja europiane është e ndryshme. Shumica e vendeve demokratike të Europës, të cilat janë shumë strikte në respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe që në masë të madhe aplikojnë sisteme që mbështeten në konceptet e së ashtuquajturës E Drejtë Kontinentale, ku hyn edhe Shqipëria, kanë krijuar gjykata të larta administrative, si shkallë e fundit dhe më e larta në hierarkinë e sistemit të gjykimit administrativ, të pavarur nga Gjykata e Lartë. Kështu, Gjermania, Franca, Suedia, Belgjika, Finlanda, Portugalia, Republika Çeke, Polonia etj., kanë gjykata të larta administrative. Personalisht mendoj se do të ishte mirë ti hiqej Gjykatës sonë të Lartë ky tagër. Në mbështetje të këtij mendimi vjen edhe fakti që gjykatësit administrativë, në bazë të këtij projektligji, janë më shumë se gjykatës. Pra jo vetëm shqyrtojnë ligjshmërinë e aktit, por edhe ndërhyjnë në të. Dhe kjo e drejtë, vështirë se mund tu lihet në dorë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët, në bazë të Kushtetutës (neni 141 p.1) dhe legjislacionit mbi të cilin veprojnë, kanë të drejtën e rishikimit, pra, të shpallin vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e vendimeve të gjykatave të mëposhtme, por jo të ndryshojnë aktet administrative të një pushteti (ekzekutiv), të cilin nuk e kanë në juridiksionin e tyre. Këtu le të kemi parasysh edhe shembullin e Francës, ku gjykatë supreme administrative është Këshilli i Shtetit, një degë e pushtetit ekzekutiv, i cili ka të drejtën jo vetëm të shqyrtojë vendimet e mara në gjykatat administrative të shkallës së parë dhe të dytë, por edhe (sikurse në projektligjin tonë) të ndryshojë aktet administrative kur konstaton se ato nuk janë mbështetur në ligj. Natyrisht, për kushtet që ka Shqipëria, nuk mund të merret kjo përvojë e Francës, por mendoj që gjithsesi, do të ishte më mirë nëse do të kishim një shkallë të fundit gjykimi, të pavarur nga pushteti i Gjykatës së Lartë. Nga ana tjetër, mendoj se nuk është e thënë që gjykimi administrativ të ketë domosdoshmërisht tri shkallë. Vërtet, në vende si Franca, Suedia, Greqia etj., ka sisteme me tri shkallë gjykimi administrativ, të ngjashme me sistemin e gjykatave të zakonshme, me gjykata lokale, apeli dhe Gjykatë të Lartë. Por ka edhe përvoja me dy shkallë gjykimi, si p.sh. në Finlandë apo Poloni, ku gjykatat e nivelit të parë janë gjykatat rajonale (siç janë përcaktuar edhe në projektligjin tonë) dhe pas tyre vijnë gjykatat supreme, të cilat mbyllin qarkun. Një përvojë të tillë mund ta marrim edhe ne. Gjithsesi, hartuesit e projektligjit kanë kompetencë të lartë profesionale dhe e respektoj vendimin e tyre duke e ditur që ata kanë bërë më të mirën në kushtet specifike të vendit tonë.
Projektligji sjell një të mirë tjetër të madhe publike. Kufizimin e pushtetin ekzekutiv me anë të rishikimit gjyqësor administrativ. Thënë ndryshe, në fokus vihet pushteti diskrecial i Ekzekutivit. Diskrecioni është e drejta e administratës shtetërore që, për të realizuar një qëllim të ligjshëm, e ushtron autoritetin e saj edhe pa autorizim të ligjit. Ky instrument i së drejtës administrative krijon një kufi fluid dhe të interpretueshëm ndarës midis së ligjshmes dhe së paligjshmes. Si e tillë, interpretimet e vetë organit që nxjerr aktin administrative, apo le të themi, që ushtron autoritetin publik, në kuadër të diskrecionit, nuk mund të jenë përherë të drejta. Për këtë arsye, veprime të tilla mund të kenë çuar jo në pak raste në shkelje të të drejtave të njeriut, akt që përbën në vetvete shkelje të Kushtetutës e, si rrjedhojë, edhe dëmtim të interesit publik. Duke shtuar dhe barrën e paraqitjes së provave për nxjerrjen e aktit, me të cilën projekti ngarkon administratën publike, si dhe përcaktimin e afateve të shqyrtimit, përmirësimin e cilësisë së gjykatave dhe gjykimit administrative etj., krijohet siguria se ligji është i një niveli të lartë dhe do të jetë i aftë të bëjë të mundur që ti jepet fund praktikës së deritanishme. Pjesa tjetër i mbetet zbatimit në praktikë të tij.
Ky projektligj ka kaluar nga qeveria për miratim në Parlament që në tetor të vitit 2008. Qysh prej atëherë e deri pak kohë më parë, pra gati 3 vjet e gjysmë, miratimi i tij ishte bllokuar nga opozita. Duket paradoksale! Qeveria, e cila është maja e hierarkisë së pushtetit ekzekutiv, kërkon me këmbëngulje të miratojë një ligj që kontrollon, shfuqizon, korrigjon e madje kufizon ushtrimin e autoritetit të saj, apo strukturave që veprojnë nën juridiksionin e saj, ndërsa opozita kundërshton dhe bllokon nismën e qeverisë për vetëkufizim të pushteteve të saj. Në fakt, me logjikën tradicionale të politikës duhej të ishte e kundërta. Pra, opozita duhej të ndërmerrte nismën ligjore për kontrollin dhe kufizimin e pushteteve apo ve
