E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI: Kuba të shkojë përpara në udhën e ndryshimit e të shpresës

28-03-2012 / Gazeta 55

Vazhdon shtegtimi i Papës Benedikti XVI nga Meksika në Kubë. Mbrëmë, Ati i Shenjtë Ratcinger mbërriti në Kubë, në një vizitë, që synon t’i japë shpresë për të ardhmen popullit e Kishës Katolike të ishullit karaibian. Para nisjes për në Havanë, është mjaft domethënëse se Papa u bë shtegtar si gjithë të tjerët në shenjtëroren e Zojës së Kobres në Santiago de Cuba, ku ndezi një qiri e tha Lutjen e besimtarit drejtuar Nënës së Dashurisë së Krishterë, sipas ritualit të Viti Jubilar, me të cilin shtegtarët kërkojnë ndjesën e plotë.
Historia e këtij vendi shtegtimi, më i nderuari në Kubë, lidhet ngushtë me disa nga ngjarjet shoqërore e politike më të rëndësishme të vendit. Gjithçka nisi në vitin 1606, kur tre peshkatarë (dy indianë, Juan e Rodrigo de Hoyos dhe një skllav zezak, Juan Moreno) gjetën një shtatore prej druri të Zojës, që pluskonte mbi ujërat e Bahía de Noipe. Tek këmbët e saj shkruhej “Jam Zoja e Dashurisë së Krishterë”. Shtatorja u mbart në minierën e bakrit të El Cobre dhe, në të njëjtin lokalitet, më 1684, u ngrit shenjtërorja e parë. Më 10 maj 1916, Papa Benedikti XV e shpalli ‘Virgén de la Caridad”, Pajtore të Kubës.
Pasi iu lut për ndjesën e plotë, Papa me të njëjtin emër, por kësaj radhe, Benedikti XVI përshëndeti besimtarët e shumtë, të mbledhur në sheshin e në radhën e gjatë të shkallëve, para shenjtërores. E quajti Zojën, ashtu si kubanët, “Mambisa”, term, që i ka rrënjët në luftën për pavarësi. E duke iu referuar problemeve e vështirësive të vendit, theksoi: “Thuajuni të gjithëve, këdo që të takoni, të afërt apo të largët, se ia kam besuar Nënës së Zotit të ardhmen e atdheut tuaj, që të ecë në rrugën e përtëritjes e të shpresës, për të mirën e të gjithë kubanëve. I jam lutur Virgjërës së Shenjtë edhe për nevojat e atyre që vuajnë, që s’kanë liri, që janë larg nga të dashurit, ose jetojnë çaste tejet të vështira”.
Jam lutur edhe për të rinjtë, nënvizoi Ati i Shenjtë, që të jenë miq të vërtetë të Krishtit e të mos shkojnë në rrugë, që lënë pas vetëm trishtim. Jam kujtuar edhe për afrokubanët e për popullsinë e Haitit, që vuan pasojat e tërmetit, si edhe për fshatarët e familjet e tyre, që ofrojnë shtëpitë si qendra misioni për kremtimin e Eukaristisë. E Benedikti XVI përfundoi me fjalët: “…inkurajoj të gjithë bijtë e kësaj toke të dashur të vazhdojnë ta bazojnë jetën mbi një shkëmb të patundur, mbi Jezu Krishtin, të punojnë për drejtësinë, të jenë shërbëtorë të dashurisë së krishterë e të kenë durim para sprovave. Asgjë e askush të mos ua largojë nga zemra gëzimin e brendshëm, kaq karakteristik për shpirtin kuban”.
Papa në Santiago de Cuba: “Nëse përjashtohet Zoti, bota bëhet e pabanueshme”/Mëse 200 mijë vetë morën pjesë, mbrëmë vonë, në Meshën e kremtuar nga Papa Benedikti XVI në Sheshin Antonio Maceo të Santiago de Cuba, me rastin e 400 vjetorit të gjetjes së figures së Zojës së Dashurisë së Krishterë në Cobre. I pranishëm edhe kreu i shtetit kuban, Raul Kastro. Në Solemnitetin e Lajmërimit të Zotit, Ati i Shenjtë i dhuroi një trëndafil të artë Pajtores së Kubës, duke shpjeguar në homeli, kuptimin e misterit të Mishërimit të Birit të Hyjit. “Një udhëtim i dëshiruar”: kështu e quajti Papa vizitën e tij në Kubë e që në fillim, u bëri thirrje kubanëve ta gjallërojnë fenë e të ndërtojnë një shoqëri të re, me armët e paqes, të faljes e të mirëkuptimit. U tregoi edhe rrugën: “kur përjashtohet Zoti nga jeta, bota shndërrohet në një vend të pabanueshëm për njeriun”. Shën Maria Virgjër, nënvizoi Benedikti XVI, përfaqëson imazhin e modelin e Kishës së thirrur për të pranuar Misterin e Zotit, që vjen të banojë në të. Por ky pranim bazohet në lirinë e njeriut. Të mallëngjen fakti se Zoti jo vetëm që e respekton lirinë njerëzore, por duket se ka nevojë për të, theksoi Papa. E më pas, i ftoi kubanët ta ndjekin pa frikë Jezu Krishtin në Udhën e Kryqit, duke pranuar me durim e fe çdo vuajtje, me bindjen se, përmes Ringjalljes, Ai e mund të keqen dhe bën të lulëzojë një botë e re, bota e Zotit, bota e dritës, e së vërtetës dhe e gëzimit: “Të dashur vëllezër, e di me sa përpjekje, guxim e vetëmohim, punoni çdo ditë, me synimin që, në rrethanat konkrete të vendit tuaj, e në këtë çast historik, Kisha të reflektojë gjithnjë e më shumë mbi imazhin e vërtetë të saj, si vend në të cilin Zoti afrohet e takohet me njerëzit”.
Më pas, kujtoi se “Hyji i ka besuar familjes së bazuar mbi martesën, misionin tejet të madh për të qenë qelizë themelore e shoqërisë e Kishë e vërtetë shtëpiake”: “Me këtë siguri, ju, të dashur bashkëshortë, duhet të jeni, sidomos për fëmijët tuaj, shenjë e vërtetë dhe e dukshme e dashurisë së Krishtit për Kishën. Kuba ka nevojë për dëshminë e besnikërisë suaj, për bashkimin tuaj, për aftësinë tuaj për të pranuar jetën njerëzore, veçanërisht atë më të pambrojturën e më nevojtaren”. Ndjekja e vlerave fetare me vetëdije e bindje, përfundoi Papa, është liria e vërtetë, ringjallja e vërtetë, që bashkon dhe e bën një vullnetin njerëzor me atë hyjnor.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›