Qeveria, 6 parqe industriale në bregdet
Qeveria ka vendosur përfundimisht të ndërtojë gjashtë parqe industriale, të cilat do të shërbejnë për ngritjen e industrive të mëdha përpunuese dhe aktivitete të tjera shërbimesh. Miratimi për ngritjen e tyre i hap rrugë rritjes së investimeve dhe numrit të të punësuarve, ecuria e të cilave varet nga strategjia që do të ndjekin shoqëritë e mëdha tregtare. Këto të fundit, nëpërmjet tenderit të hapur ndërkombëtar, do të marrin me koncesion për 35 vjet sipërfaqet e lira që qeveria do t‘u lërë në dispozicion. Me vendimin e djeshëm, qeveria i ka hapur rrugë zhvillimit industrial të vendit, pasi ndërtimi i këtyre parqeve kërkon qindra milionë lekë investime, të cilat duhen kryer në fazë të parë nga pala jonë. Lidhur me lejet që janë dhënë dje, ekspertët e ekonomisë i cilësojnë si veprime boshe, pasi për aq kohë sa nuk është zgjidhur çështja e pronësisë, ndërtimi i parqeve do të jetë i vështirë. "Mbi të gjitha, ndërtimi i tyre në zonat bregdetare nuk bën gjë tjetër veçse shkatërron sistemin turistik të vendit, por edhe tokat bujqësore", thotë Zef Preçi. Të gjashtë parqet (ose zona ekonomike) industriale do të ngrihen pranë zonave bregdetare, si në Shëngjin, Koplik, Shkodër, Durrës dhe Vlorë, ndërsa njëri park është menduar të shtrihet në zonën e Elbasanit. Vendimi është marrë pas një studimi të gjerë disavjeçar, me konsulentë të huaj. Vendimet e djeshme përcaktojnë si autoritet kontraktues Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për ngritjen e parqeve industriale në Shëngjin, Koplik, Shkodër, Spitallë (Durrës), Shkodër, Elbasan dhe Vlorë. Kryeministri Berisha tha se këto parqe do të menaxhohen mbi baza private, e provuar si forma më e suksesshme e administrimit. "Pas një pune intensive, arrihet shpallja e tyre dhe hapja e procedurave për kompanitë private që të marrin në dorë menaxhimin si forma më e suksesshme e këtyre zonave, e provuar nga praktika e vendeve të tjera", u shpreh dje Berisha. Kreu i qeverisë i konsideroi ngritjen e parqeve industriale një hap shumë të rëndësishëm në drejtim të lehtësimit të infrastrukturës për zhvillimin e bizneseve në këto zona. Shteti është i gatshëm të investojë në të gjithë infrastrukturën, por menaxhimin do t‘ua japë kompanive private.