Dilemat e rritjes ekonomike
ADRIAN CIVICI
Debatet mbi shifrën ekzakte të rritjes ekonomike në Shqipëri për vitin 2009, apo edhe parashikimet për 2-3 vitet e ardhshme duket se po dominojnë mbi vetë thelbin e problemit. Natyrisht, fakti që rritja ekonomike mbeti pozitive dhe parashikohet të vazhdojë si e tillë, meriton të vlerësohet. Por, përveç faktit se vazhdojmë t'u referohemi shifrave të ndryshme për treguesin më të rëndësishëm të ekonomisë sonë, si p.sh., rritje fare minimale apo edhe recesion ekonomik sipas opozitës, 2.8% sipas FMN-së, 3.3 sipas INSTAT, 4% sipas Qeverisë, etj., nuk po u ...kushtojmë vëmendjen e duhur analizave se përse patëm këtë nivel rritjeje? Dhe në vazhdim të rezultateve të analizave profesionale dhe jo thjesht sipërfaqësore politike, të përpiqemi të profilizojmë edhe llojin e politikave apo reformave thelbësore që duhet të ndërmarrim në vitet në vazhdim për të garantuar jo vetëm një rritje ekonomike më të lartë, por mbi të gjitha sa më të qëndrueshme. Pa dyshim që shifrat e rritjes ekonomike për vitet 2008, 2009 janë më të ulëta se trendi 15-vjeçar i tyre, ndërkohë që duke ju referuar parashikimeve të FMN-së, edhe në 3-4 vitet në vazhdim ato nuk pritet të jenë më të larta se 5%.
Kjo gjendje apo tendencë afatmesme u dedikohet tri faktorëve thelbësorë. Së pari, efekteve të krizës globale ekonomiko-financiare. Duam apo nuk duam ne ta pranojmë, apo edhe ta absolutizojmë, kriza financiare e preku ndjeshëm ekonominë shqiptare, që megjithëse është një ekonomi e vogël dhe relativisht pak e integruar me tregjet ndërkombëtare, përsëri shfaqi mjaft simptoma të veprimit të krizës. Ulja e ritmit të zhvillimit, ngushtimi i kërkesës së brendshme, thellimi i deficitit tregtar dhe bilancit të pagesave, stanjacioni në numrin e të punësuarve, ulja e të ardhurave buxhetore, rënia e ritmit të kredisë, etj., janë disa nga efektet më të dukshme të krizës, të cilat u sintetizuan në shifrën e ulët të rritjes ekonomike. Së dyti, struktura e brishtë dhe eficenca e diskutueshme e ekonomisë shqiptare, e shoqëruar me politika apo masa që më shumë kishin karakter elektoral e populist se sa ishin pjesë e dukshme e ndonjë strategjie të qëndrueshme afatgjatë apo të orientuar si "antikrizë". Mënyra se si u veprua me investimet publike, që u përqendruan skajshëm në 6-mujorin e parë të 2009-ës, thellimi i deficitit buxhetor gati dyfish mbi standardin e parashikuar dhe rekomanduar nga FMN-ja, thellimi i borxhit në raport me PBB në limitet e pranimit të tij nga standardet e BE-së apo vendeve të OCDE-së, vështirësitë në rritjen e nivelit të konkurrueshmërisë së produkteve tona, rritja e importeve me natyrë agro-ushqimore dhe rritja minimale e sektorit të bujqësisë, prodhim "made in Albania" akoma i pakët e rudimentar, etj., janë tregues të qartë se ekonomia jonë ka shumë nevojë të strukturohet e të përmirësohet për të qenë një ekonomi e qëndrueshme me një profil të qartë e mundësi të vlerësueshme integruese në rajon, BE, etj. Në një farë mënyre, efektet e krizës duhen parë edhe në këndvështrimin e zbulimit të defekteve dhe problemeve strukturore të ekonomisë dhe financave tona, që duke u vënë nën stresin e krizës, zbuluan pikat dhe sektorët e tyre më të dobët apo delikatë, zbuluan eficencën apo moseficencën e shumë prej politikave tona ekonomike të ndërmarra deri tani. Së treti, të ezaurimit të një modeli rritjeje e zhvillimi ekonomik, që mesa duket po e mbyll ciklin e tij 20-vjeçar. Rritja jonë ekonomike rezulton e llogaritur dhe e mbështetur kryesisht në faktorë të tillë si baza e ulët e krahasimit në fillimet e tranzicionit, reformat radikale liberalizuese të tipit "nga plani drejt tregut të lirët", thellimi i lirisë dhe demokracisë, remitancat nga emigracioni ekonomik shqiptar, rolit të turizmit, të ardhurat nga privatizimet, kujdesi dhe "detyrimet strikte" nga FMN-ja, ndihmuan dhe kreditë e buta e të favorshme të shumëllojshme, rivënia në punë dhe aktivitet i mjaft sektorëve e degëve që në fillimet e tranzicionit ishin të abandonuara apo në kapacitete minimale, etj. Aktualisht, shumë nga këta faktorë apo elementë duket se nuk mund të japin të njëjtin efekt apo ndikim në rritjen tonë ekonomike dhe cikli i tyre konsiderohet drejt mbylljes.
Parë në këtë këndvështrim, në këtë kohë që përgjithësisht në botë po konsiderohet si "periudha post-krizë", Shqipëria ndodhet përballë sfidës së madhe të përcaktimit dhe aplikimit të një kategorie tjetër reformash të quajtura si "reforma strukturore të shkallës së dytë". Shumë vende të botës të zhvilluara apo në zhvillim, në tentativa për të rigjallëruar rritjen e tyre ekonomike apo përmirësuar financat publike të prekura rëndë nga kriza dhe masat për përballimin e saj, po i kushtojnë vëmendje maksimale kësaj kategorie cilësore reformash. Duke ju referuar raportit të fundit të Bankës Botërore, "Doing Business", në vitin 2009, me synim "që të garantohet rritje ekonomike e qëndrueshme", në nivel global janë realizuar me sukses mbi 300 reforma, thelbi i të cilave mund të përmblidhet në disa "paketa politikash" bazë. Duke ju referuar kësaj tendence, mund të analizohen edhe drejtimet apo thelbi i reformave strukturore, që duhet të dominojnë politikat tona ekonomike e financiare në 3-4 vitet e ardhshme.
Së pari, grupi i reformave që "thjeshtojnë në maksimumin e mundshëm procedurat e hapjes dhe funksionimit të bizneseve" në raport me autoritetet publike, bankat, klientët dhe mjedisin ku veprojnë. Në këtë drejtim, Shqipëria ka bërë tashmë mjaft hapa pozitivë, të vlerësuar edhe në raportet ndërkombëtare, por gjithsesi, gama e tyre është aq e gjerë dhe dinamike, sa nuk mund të thuhet se ato janë të përfunduara apo që pjesa kryesore e tyre është realizuar. Aq më tepër, që realiteti shqiptar dëshmon shpesh edhe për një mospërputhje ndërmjet ligjit apo masës së miratuar dhe zbatimit praktik të tij.
Së dyti, grupi i reformave që kanë të bëjnë me "qartësinë e të drejtave të pronës, funksionimit të gjykatës administrative dhe procedurave të konkurrencës dhe falimentimit". Në këtë aspekt, reformat janë më se urgjente e të domosdoshme. Të drejtat e paqarta të pronësisë janë bërë e vazhdojnë të bëhen në mjaft raste faktorë të rëndësishëm pengues për çeljen e bizneseve, funksionimin normal të tyre, realizimin e investimeve të brendshme apo të huaja, etj. Gjykata administrative ka shumë muaj që është peng i politikës dhe mungesës totale të konsensusit të saj, për ta miratuar në Parlament ligjin përkatës, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të biznesit dhe rekomandimeve të mjaft institucioneve e partnerëve tanë ekonomikë e tregtarë. Procedurat e krijimit të një klime konkurrence të drejtë funksionojnë me vështirësi dhe në mjaft raste lënë shumë për të dëshiruar. Të paktën, shumë e shumë biznese të mëdha apo të vogla ankohen se ndihen të ndëshkuar nga konkurrenca e padrejtë apo preferencat partiake të administratës, sektori informal, etj. Sa për ligjin e falimentimit, megjithëse "në letër" ekziston në standarde të kënaqshme, në praktikë, aplikimi i tij është tepër i vakët. Aktualisht, shumë vende të botës, në emër të shëndoshjes së strukturave të ekonomisë së tyre dhe stimulimit të një efektiviteti maksimal të sektorëve e degëve të ndryshme të biznesit, po i modernizojnë dhe bëjnë tërësisht transparente dhe operative procedurat e falimentimit. Vetëm gjatë 2009-ës mbi 18 vende të botës kanë miratuar procedura të reja e moderne falimentimi, ndërkohë që ky proces vazhdon me ritme të shpejta edhe në shumë vende të tjera.
Së treti, shumë vende, përfshirë këtu edhe ato në zhvillim të ngjashme me Shqipërinë, "po i shtojnë në mënyrë të konsiderueshme investimet për kërkim dhe zhvillim" duke arritur në nivelet 1.5-2.5% të PBB të tyre". Veçanërisht po rriten investimet në teknologjitë e informacionit, adoptimit të inovacioneve në sektorët kryesorë të ekonomisë dhe stimulimin me çfarëdolloj formash të thithjes së teknikave e teknologjive të reja, kërkime të gjëra për rritjen e aftësisë konkurruese të produkteve të tyre, stimulimin e aktiviteteve dhe shërbimeve të reja, modernizimin rrënjësor të rolit të universiteteve e botës akademike në kërkimin shkencor në funksion të ekonomisë dhe biznesit, etj. Në këtë këndvështrim, me përjashtim të përpjekjeve në fushën e teknologjive të informacionit, që duket se po përbëjnë një konstante këto vitet e fundit, jemi akoma mjaft të vonuar në politikat me thithjen dhe aplikimin e inovacioneve të reja, modernizimin e shërbimeve dhe produkteve, nivelin e konkurrueshmërisë, kërkimin shkencor në funksion të nevojave të biznesit, etj.
Së katërti, në mënyrë të përmbledhur, "reformat që konsiderohen se mund të jenë të suksesshme" duhet të kenë tri karakteristikat e më poshtme: "të synojnë qartësisht rritjen e kompetivitetit nëpërmjet një axhende reformash të qëndrueshme" pavarësisht situatave politike, madje me konsensus politik afatgjatë; "të jenë proaktive e koherente", duke iu përgjigjur në kohë e me cilësinë e duhur realitetit ekonomik dhe atij të biznesit dhe jo konjukturave elektorale apo politikave populiste; "të bazohen në një pjesëmarrje e bashkëpunim maksimal ndërmjet përfaqësuesve institucionalë të biznesit privat, autoriteteve publike, politikës dhe konsumatorëve".