E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punimet te “Skënderbej”,devijimet e reja të trafikut



zirina llambro

Pas kaosit të dy ditëve më parë, Bashkia e Tiranës duket se po bashkëpunon më së miri me Policinë Rrugore. Ndonëse tabelat e reja të devijimit të trafikut kanë disa ditë që janë vënë, dje ka nisur të vihet në zbatim skema e re që devijon trafikun, për shkak të punimeve në sheshin "Skënderbej". Si fillim, lëvizja nga Bulevardi "Zogu I", është devijuar prapa Muzeut Kombëtar, aks i cili është shndërruar me një drejtim lëvizjeje. Po kështu është hapur edhe ura që lidh Pallatet "Agimi" me ato "Shallvare" për lëvizjen e automjeteve, të cilat qarkullojnë në dy kahet e unazës. Rruga "Dëshmorët e 4 shkurtit" është bërë me dy kalime. Ndërkohë më tej, bllokimi i një pjese të sheshit, përpara Pallatit të Kulturës do ta devijojë trafikun pas tij dhe do të ndryshojë kahun e qarkullimit të automjeteve edhe në rrugën "Qemal Stafa", pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ku automjetet do të lëvizin vetëm në drejtim të unazës drejt rrugës "Bardhyl". Kanë nisur kështu të hiqen parkimet në rrugën "Mine Peza", përpara selisë së PS-së dhe rrugës "Dëshmorët e 4 shkurtit". "Duhet një menaxhim i mirë i situatës dhe një bashkëpunim ndërinstitucional. Përgjatë orëve që u bë testi, ne kuptuam se ku janë pikat ku duhet të ndërhyjmë për një mirëmenazhim të trafikut", janë shprehur specialistët e transportit në Bashkinë e Tiranës. Ata pohojnë se pas testit të bërë dy ditë më parë, kur sheshi u bllokua tërësisht, janë evidentuar pikat e dobëta dhe po bëhet një menaxhim më i mirë i skemës së trafikut. Për disa ditë, do t'u lihet kohë drejtuesve të automjeteve të jenë mësuar me sinjalistikën. Lëvizja tjetër që do të bëjë bashkia është bllokimi i fillimit të rrugës së Kavajës dhe i rrugës së Durrësit, për në qendër. Automjetet nuk do të vijnë më në drejtim të sheshit, por sipas drejtimit do të kalojnë djathtas në unazën e vogël, pranë Bankës së Shqipërisë. Deri tani trafiku është rënduar disi, por më problematike situata pritet të bëhet në vijim me devijimin e automjeteve që vijnë nga rruga e Kavajës dhe e Durrësit. Vetëm 2 ditë më parë, e gjithë Tirana u paralizua për shkak të bllokimit të sheshit "Skënderbej". Prova e Bashkisë krijoi një kaos të vërtetë me trafikun. Gjithsesi krerët e saj kanë garantuar se kanë një plan të detajuar, për të mos u përsëritur më një situatë e tillë. Por për këtë kërkojnë bashkëpunimin e qytetarëve dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Policia rrugore ka ofruar bashkëpunimin e saj gjatë gjithë këtyre ditëve, ndonëse sinjalistikën e re të bashkisë dhe planin e masave të hartuar prej saj e ka cilësuar jo efikase.

trafiku

Ndryshimet:
• është hapur ura te shallvaret
• Bulevardi "Zogu I" devijon pas muzeut
• Rruga "Dëshmorët e 4 shkurtit" me dy kalime

Do mbyllen në vijim:
• Fillimi i rrugës së Kavajës
• Fillimi i rrugës së Durrësit
(Do devijohen pas Bankës së Shqipërisë)
• Pjesa e sheshit para Pallatit të Kulturës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›