E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Librit, Topalli-Plasari firmosin memorandumin



Në përkujtim të ditës simbol të botës së letrave, 23 prillit, Dita Ndërkombëtare e Librit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi "Për rivlerësimin e Trashëgimisë së shkruar të shtetit shqiptar dhe në veçanti të Parlamentarizmit. "Unë ndihem krenare për nënshkrimin e këtij memorandumi, të cilin ndoshta duhet ta kishim bërë më përpara, por që, gjithsesi, ai po nënshkruhet në një ditë shumë të veçantë. Unë besoj që bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare do të jetë shumë më intensiv, i vërtetë dhe me vazhdimësi të pakufishme", tha Topalli. Drejtori i Bibliotekës, Aurel Plasari, në respekt të traditës botërore për festimin e 23 prillit, Ditës së Librit, që u shënua në 1616 në Spanjë, i dhuroi Kryetares së Kuvendit një lule dhe Librin "Thesaret e Bibliotekave Kombëtare të Evropës", i cilësuar si Libri i Artë. Ky botim i rrallë hapet pikërisht me shkrimet e autorit të hershëm të letërsisë shqiptare, Marin Barleti. Marrëveshja e nënshkruar në sallën enciklopedike "Lumo Skëndo" të Bibliotekës, synon shkëmbimin e ndërsjellë të botimeve, të informacionit, dhe të njësive bibliotekare mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare, në fushën e historisë së shtetit dhe parlamentarizmit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›