E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk arsimohen, në Tiranë 5000 fëmijë shesin rrugëve



Ndonëse është ulur ndjeshëm, braktisja e shkollës mbetet një fenomen shqetësues. Vetëm në Tiranë, numri i fëmijëve në moshë shkollore që bredhin rrugëve si ambulantë, është mbi 5 mijë. Shkak për këtë është varfëria dhe kushtet e vështira ekonomike. Në mungesë së të ardhurave nga familja, nxënësit lënë librat për të punuar duke siguruar kështu mbijetesën e tyre dhe të familjeve. Ky problem ka qenë në qendër të diskutimeve dje, në takimin që zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata zhvilloi me përfaqësues të sindikatave të mësuesve në kuadër të javës globale të arsimit. "Fenomeni i braktisjes së shkollës vazhdon të mbetet shqetësues për zona periferike, ku është vendosur kryesisht popullsia e ardhur nga zonat verilindore të vendit", tha Shamata. Përfaqësuesit e sindikatave kërkuan bashkëpunimin e të gjitha instancave, qeverisjes vendore dhe organizatave jo fitimprurëse, për të ulur shifrat e braktisjes së shkollës. Fëmijët, të cilët janë piketuar si braktisës të shkollave, vijnë nga familje me të ardhura mujore më pak se 30 mijë lekë në muaj, që, përpjesëtuar me numrin e lartë të anëtarëve, janë të pamjaftueshme për të kaluar të paktën jetë normale. Në këtë braktisje, në të shumtën e rasteve, ata janë përkrahur edhe nga prindërit, të cilët përballë urisë, dashje pa dashje, i kanë hapur udhën analfabetizmit të fëmijëve të tyre. Edhe në rastet kur nuk është braktisur arsimi i detyruar, shumë pak fëmijë ambulantë në rrugët e kryeqytetit, kanë pasur dëshirën për të ndjekur më tej shkollën, duke reflektuar kësisoj krizën e vërtetë, në të cilën ndodhet arsimi në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›