Distanca e farmacive, tani me firmë inxhinieri
Nuk do lejohet më hapja e një farmacie të re, nëse nuk ka distancë 100 metra nga një tjetër. çdo profesionist që do të aplikojë për të çelur një aktivitet të ri, duhet të paraqesë pranë këshillit rajonal përkatës planvendosjen e farmacisë së re, të nënshkruar nga një inxhinier i licencuar, ku të jetë e përcaktuar se distanca nga farmacitë ekzistuese është 100 metra. Sipas urdhrit, që mban firmën e Presidentit të Urdhrit të Farmacistit, Arian Jaupllari, nuk do të pranohen për shqyrtim planvendosje që kanë të përcaktuar distanca më të vogla se 100 metra nga farmacitë ekzistuese. Këshilli rajonal, presidenti përkatës dhe zyra e UFSH-së, brenda shtatë ditësh pune nga momenti i dorëzimit, duhet të konstatojnë vërtetësinë e planvendosjes së paraqitur, kjo në bazë të rregullores dhe procedurave përkatëse që përdor Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave. Pas dorëzimit të planvendosjes për hapjen e një farmacie të re, strukturat përkatëse do të nisin verifikimin e saj. Në rast konstatimi të pav-ërtetësisë së planvendosjes, kjo e fundit nuk firmoset dhe çështja çohet për gjykim disiplinor në këshillin rajonal përkatës, gjithashtu mbahen shënim gjeneralitetet e inxhinierit, i cili ka nënshkruar planvendosjen në fjalë.