Orkestrat frymore, rizgjimi i një tradite qytetare
Sipas një tradite tashmë 5-vjeçare, edhe këtë vit në bregdetin e Sarandës do të zhvillohet një nga evenimentet më të shumëpritura dhe argëtuese të verës: Festivali i Orkestrave Frymore. është një festival që që në zanafillën e tij dhe vit pas viti ka risjellë një traditë rreth 100-vjeçare në një version të ri e me pjesëmarrje edhe të bandave të huaja. Në këtë edicion jubile do të marrin pjesë 20 orkestra dhe ansamble frymore nga vendi e rajoni. Ai prej pesë vitesh me radhë është i përfshirë në kalendarin e projekteve artistike e kulturore kombëtare, që mbështeten nga MTKRS-ja, si dhe është një nga aktivitetet më të rëndësishme që zhvillohen në qytetin e Sarandës e nga viti që shkoi dhe të Himarës. Festivali i Orkestrave Frymore është i vetmi aktivitet i këtij lloji në Shqipëri dhe një nga më të shumëpriturit dhe argëtuesit për pushuesit që preferojnë bregdetin e Sarandës. Atmosfera që krijohet gjatë netëve të performimit të orkestrave është shumë festive, e denjë për një stinë pushimesh dhe për një qytet bregdetar si Saranda, që synon t’u ofrojë pushuesve jo vetëm bukuritë e natyrës, por edhe zbavitje e argëtim të denjë për një “metropol” turistik. Ky ka qenë edhe qëllimi i mbështetjes së vazhdueshme që i ka dhënë festivalit kryebashkiaku i Sarandës, Edmond Gjoka, i cili është edhe presidenti i festivalit. Sipas drejtorit artistik të kësaj veprimtarie, dirigjentit Edmond Doko, të tilla veprimtari janë karakteristike dhe të shpeshta për zonat turistike në të gjithë rajonin e më gjerë dhe realizimi i veprimtarive të kësaj natyre është pjesë e strategjisë turistike të qyteteve bregdetare. Për sa i përket Sarandës, ai i shton një vlerë stinës dhe vetë përpjekjeve që bëhen nga Saranda, por edhe Ministria e Kulturës për të gjallëruar dhe krijuar një infrastrukturë sa më tërheqëse turistike për të thithur sa më shumë pushues. Për herë të parë këtë vit do të realizohet njëkohësisht me festivalin si një seksion i veçantë i tij edhe “Akademia Muzikore Verore”, cikël seminaresh dhe mësimesh të hapura në ndihmë të instrumentistëve të rinj. Krahas orkestrave frymore të bashkive Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë, Fier, Elbasan, Sarandë, të Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura si pjesëmarrëse nderi e përvitshme në festival, apo të ansambleve të ndryshme nga vendi, në këtë edicion do të marrin pjesë KOA Brass Ensemble dhe Filarmonia e Bashkisë “Αgias Paraskevis” Athinë (Greqi), Macbrasskuintet (FYROM) apo edhe Banda muzikale e Contessa Entellina (Itali). Në fund të aktivitetit, një juri e përbërë nga personalitete artistike do të vlerësojë me çmime orkestrat frymore pjesëmarrëse në festival.
#