Dilemat për ndryshime në Qeveri

Paralajmërimet e fundit të Kryeministrit Hashim Thaçi për ndryshime në Qeverinë e Kosovës, pashmangshëm shtrojnë dilemën nëse koalicioni aktual PDK-LDK mund t’i mbijetojë këtij procesi.
Marrëdhëniet mes partnerëve në Qeveri janë vështirësuar shumë gjatë vjeshtës së vitit të kaluar dhe shumëkush beson se tashmë është koha që rrugët e PDK’së dhe LDK’së të ndahen.
Veçanërisht në LDK çdo ditë e më shumë shtohen zërat kundër koalicionit aktual.
Një paralajmërim i fortë erdhi të martën nga Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK’së, Melihate Tërmkolli, e cila kërkoi që menjëherë të prishet koalicioni PDK-LDK dhe të mbahen zgjedhjet parlamentare.
Tërmkolli nuk është ndonjë faktor vendimmarrës në LDK, por deklaratat e saj reflektojnë edhe qëndrimin e një pjese të Kryesisë së kësaj partie.
Ish-Kryeministri Agim Çeku, tash Kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, mendon se themelet e këtij koalicioni janë tronditur shumë rëndë.
“Tashmë po shihet qartë se nuk ka vullnet të mirë, sidomos nga ana e LDK’së. Çdo ditë e më shumë po rriten dhe po forcohen zërat se koalicioni aktual duhet të prishet dhe duhet të shkohet në zgjedhje të përgjithshme”, thotë Çeku, për Express.
Sipas tij, kjo situatë nuk mund të ndryshohet nga riformatizimi i Qeverisë.
“Mendoj që tash interes i Kosovës është që mos të shpenzojmë energji duke u marrë me arnime në Qeveri. Zgjidhja më e mirë është që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në këtë vit”, mendon ai.
Mendime të ngjashme reflekton edhe Bajram Kosumi, ish-Kryeministër i Kosovës, tash Nënkryetar i AAK’së.
Por, sipas tij, përpara se të shtrohet çështja e ndryshimeve në Qeveri, duhet të sqarohen pozicionet e partnerëve të koalicionit.
“Problemi në Qeveri ka filluar gjatë zgjedhjeve të fundit lokale dhe ky problem është nisur nga PDK’ja, kur në mesnatë u paralajmërua prishja e koalicionit. Madje atë natë u ndanë edhe postet e Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit. Pastaj, edhe vetë Kryeministri ka forcuar idenë se do të ketë ndryshime brenda kabinetit qeveritar. Por tani ato nuk po ndodhin dhe kohëve të fundit ka dalë ideja se ato ndryshime do të jenë vetëm kozmetike”, ka thënë Kosumi, për Express.
Ai mendon se ka tendenca nga partnerët e koalicionit që përmes ndryshimeve simbolike, të mundohen ta ndryshojnë imazhin e keq të Qeverisë aktuale.
“Duke e ditur faktin se opinioni e ka humbur besimin te kjo Qeveri, partnerët e koalicionit me këto ide vetëm kanë dashur ta urtojnë dhe qetësojnë opinionin. Kanë thënë se do të bëjnë ndryshime, ndërsa tash kur pozicionet e veta i kanë qetësuar, po zbehet ideja për ndryshimet në Qeveri”, ka shtuar Kosumi.
Ndryshe mendon ish-Kryeministri Bajram Rexhepi, tash Nënkryetar i PDK’së.
Duke komentuar qëndrimin e Kryetares së Forumit të Gruas së LDK’së, Melihate Tërmkollit, Rexhepi ka thënë se ide të tilla nuk përcaktojnë qëndrimin zyrtar të kësaj partie.
“Fatmirësisht LDK’ja ka Kryetar dhe njerëz të kuptueshëm që e konsiderojnë koalicionin aktual si funksional. Ndërsa ata të pakënaqurit në LDK, besoj se nuk çojnë shumë peshë”, ka deklaruar ai, për Express.
“Për shkak të ndryshimeve që mund të ndodhin, koalicioni do të duhej të forcohej. Deklaratat e Tërmkollit i shoh edhe si shantazh ndaj Kryeministrit por ato mund të jenë edhe nga ambiciet e saj që ndoshta i ka më të mëdha e mundësitë janë më të vogla”, ka shtuar Rexhepi.
Ndryshimi i ministrave gjithnjë ka qenë çështje problematike në Kosovë, derisa kërcënimet për dalje nga Qeveria gjithnjë kanë ardhur në shprehje sa herë që është përmendur riformatizimi i Ekzekutivit.
Këtë e pranojnë të tre ish-kryeministrit: Bajram Rexhepi, Bajram Kosumi dhe Agim Çeku.
Pikërisht për shkak të mundësisë së prishjeve të koalicionit, pothuajse të gjithë kryeministrat e pasluftës janë detyruar që mos të ndërmarrin asnjë veprim për shkarkimin e funksionarëve që nuk kanë shënuar rezultate konkrete.
A mund të ndodhë kjo edhe me Qeverinë e Kryeministrit Hashim Thaçi?
“Edhe pse Kryeministri aktual ka një parti të madhe, si në Kuvend, ashtu edhe në Qeveri, shihet se nuk e ka të lehtë të veprojë, sepse nuk varet gjithçka nga vullneti i tij. Atij i duhet të konsultojë strukturat e partisë dhe pastaj të marrë vendime të tilla për ndryshime”, mendon ish-Kryeministri Çeku.