E Diel, 1 Nëntor 2026

Flet në New York

Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën që mbahet këtë të premte në New York, ku do të diskutohet për zhvillimet më të rëndësishme që kanë ndodhur në vendin tonë gjatë katër muajve të fundit.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë thënë se Ministri Hyseni do të flasë në takimin e ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit të OKB’së edhe për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të menaxhuara për herë të parë vetëm nga institucionet kosovare.

“Fjalën e tij e ka përqendruar ashtu sikurse edhe herëve të tjera te progresi që ka arritur Kosova në periudhën kohore mes dy mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, duke u ndalur te zgjedhjet e suksesshme në Kosovë, pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje, e çështje të tjera”, ka thënë Albana Beqiri, këshilltare për media e Ministrit Hyseni.

Përveç pjesëmarrjes në seancën e rregullt për Kosovën, Shefi i diplomacisë kosovare ka planifikuar të takojë zyrtarë nga shtete të ndryshme për të ripërsëritur kërkesën për njohje të shtetit të Kosovës.

Diskutimet në Këshillin e Sigurimit do të mbështetën në raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon, i publikuar javën e kaluar.

Kreu i OKB’së u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë mënyra për lënien anash të çështjes së statusit dhe të angazhohen në interes të vazhdimit të bashkëpunimit rajonal.

“Kërkoj fleksibilitet në vazhdimin e definimit të mënyrës së punës, lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë dhe në forume, që është esenciale për zhvillimin ekonomik dhe demokratik dhe për stabilitetin afatgjatë në rajon”, thuhet në raportin e Ban Ki-moonit.

Në takimin e Këshillit të Sigurimit është ftuar edhe Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic. Ndërkaq, sipas agjendës së zakonshme, seanca për Kosovën në Këshillin e Sigurimit fillon me paraqitjen e shefit të UNMIK’ut, Lamberto Zannier, i cili do të flasë për gjendjen e përgjithshme në vend.

Mbledhja për Kosovën do të drejtohet nga Ambasadori i Kinës, që kryeson Këshillin e Sigurimit gjatë këtij muaji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›