S’e përmendin Gjilanin

Shumica e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk kanë qenë të interesuar të martën të diskutojnë fare për procesin e bllokuar elektoral të Komunës së Gjilanit.
Ata më shumë kanë qenë të preokupuar më përgatitjet e Sekretariatit për përsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit dhe Lipjanit.
Kështu, në mbledhjen e së martës, KQZ’ja nuk e ka pasur në rend të ditës diskutimin e procesit zgjedhor të Gjilanit, derisa i vetmi që kërkoi që kjo çështje të debatohet në këtë institucion, ka qenë anëtari i AKR’së, Fadil Maloku. Por, kërkesa e Malokut nuk është përkrahur nga anëtarët e KQZ’së, të cilët kanë abstenuar kur është hedhur në votim propozimi i tij.
Ndërkohë, Shefja e KQZ’së, Nesrin Lushta tha se duhet një mbledhje e veçantë për të diskutuar për Gjilanin, propozim ky që u përkrah nga shumica e anëtarëve të institucionit që organizon zgjedhjet.
Ndryshe, pas mbledhjes së KQZ’së, Lushta tha se s’ka asnjë lëvizje për sa i përket zhbllokimit të procesit zgjedhor të Komunës së Gjilanit.
“Ne jemi në bisedime brenda KQZ’së lidhur me Gjilanin dhe për secilin vendim do të jeni të informuar me kohë. Nuk di se çfarë vendimi do të merret dhe kur do të merret”, ka thënë Lushta.
E pyetur nëse procesi elektoral i Gjilanit i ka dalë nga dora KQZ’së, Lushta është përgjigjur duke thënë se duhet pritur pasi në këtë çështje është e përfshirë edhe Gjykata.
“Pse me dalë prej dore Gjilani, kur edhe ju e dini se këtu është e involvuar edhe Gjykata, andaj prisni”, ka kërkuar Lushta.
Ajo nuk ka dashur të komentojë nëse KQZ’ja është vonuar në marrjen e një vendimi për Gjilanin, duke gjetur mbështetje në ligj.
“Në ligj nuk parashihet ndonjë afat për të vendosur për një rast të tillë. Mirëpo, normal që është në interesin e të gjithëve dhe edhe ne kemi dëshirë që kjo çështje sa më parë të përfundojë”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, Fadil Maloku ka dhënë një parashikim skeptik nëse rasti i Gjilanit vazhdon të mos ketë epilog.
“Nëse e lëmë kështu gjendjen në Gjilan, atëherë mund të keqësohet gjendja në atë komunë dhe ne si KQZ do të jemi përgjegjës”, ka parashikuar ai.
“Ne duhet t’i japim përgjigje definitive rastit të Gjilanit dhe të mos vazhdojmë kështu”, ka kërkuar Maloku.
Pas fjalës së Malokut, ka reaguar Betim Gjoshi i PDK’së.
“Ne duhet ta qesim çështjen e Gjilanit në diskutim, atëherë kur të kemi çka të themi”, ka thënë Gjoshi.
Ndërkohë, Shefi i Sekretariatit të KQZ’së, Xhemajl Peçani ka bërë të ditur se janë në përfundim të përgatitjeve për përsëritjen e votimeve për Komunën e Prizrenit dhe Lipjanit. Ai ka njoftuar se janë duke pritur përgjigje nga Policia e Kosovës për shtimin e numrit të pjesëtarëve të policisë në ditën e votimeve në këto dy komuna.
“Përgatitjet janë duke shkuar mirë dhe gjithçka deri më 31 janar do të jetë gati për votimet për Komunën e Prizrenit dhe Lipjanit”, ka njoftuar Peçani.
Ndryshe, javë më parë, KZAP’ja udhëzoi KQZ’në t’i përsërisë zgjedhjet në Prizren, Gjilan dhe Lipjan. KQZ’ja respektoi vendimin e institucionit të ankesave për Prizren dhe Lipjan, por urdhëroi rinumërimin e votave për Komunën e Gjilanit. Ky proces përfundoi javën e kaluar, mirëpo edhe rezultatet e rinumërimit nuk u aprovuan nga KQZ’ja.