E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro viziton segmentin rrugor “Rrëshen-Kalimash” për sigurinë në punë



Ministri i Punës, Anastas Duro, zhvilloi një vizitë përgjatë punimeve të segmentit “Rrëshen-Kalimash”, pjesë e segmentit të rëndësishëm rrugor “Durrës-Kukës-Morinë”. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me masat e sigurimit për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së punonjësve që punojnë në këtë segment. Duro i vlerësoi si optimale masat e marra nga sipërmarrësit për akomodimin e punonjësve dhe vlerësoi se ky shembull duhet të ndiqet nga të gjithë sipërmarrësit, punëdhënës vendas e të huaj. Në segmentin “Rrëshen-Kalimash”, 60 km e gjatë, punojnë mbi 3500 punonjës nga të cilët 3200 punëtorë ndërtimi, të shpërndarë në sektorë të ndryshëm, që nga gërmimi e deri te ndërtimi i urave.

Kongresi i Manastirit/ Posta Shqiptare hap konkursin me poezi për nxënësit e shkollave 9-vjeçare

Posta Shqiptare ka organizuar një sërë aktivitetesh me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Një nga këto aktivitete është hapja e konkursit letrar me poezi për nxënësit e shkollave të sistemit 9-vjeçar, nga i cili do të shpallen 6 çmime: 1 çmim i parë prej 500 eurosh, 2 çmime të dyta prej 200 eurosh dhe 3 çmime të treta prej 100 eurosh. Gjithashtu, me këtë rast në datën 14 nëntor ka dalë në qarkullim dhe një pullë e posaçme postare me pamjen e Kongresit të Manastirit. Dje, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare është organizuar një konferencë, ku ka qenë i pranishëm edhe Genc Pollo, kryetar i grupit të punës të ngritur nga qeveria shqiptare për aktivitetet për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, si dhe Arqile Gorea, drejtor i Përgjithshëm i Postës Shqiptare.

22 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›