E Diel, 1 Nëntor 2026

Dimitri Medvedev: Dialog me shoqërinë civile, demokracia e paprekshme

Presidenti rus, në prag të një takimi me elementët më të spikatur të shoqërisë civile të vendit të tij, e sheh këtë shtresë si një institucion publik, i pranishëm dhe i pandryshueshëm në çdo shtet, nga i cili varet shëndeti i të gjithë shtetit. Në intervistë ndalet edhe te korrupsioni i funksionarëve të lartë, i cili mbetet ende plagë e shoqërisë ruse, te gjyqësori, si dhe te problemet që kanë të bëjnë me demokracinë.

Keni organizuar një këshill presidencial mbi shoqërinë civile dhe të drejtat e njeriut, me njerëz të ndershëm e që e meritojnë. Mendoni se shoqërisë civile i duhet dhënë rëndësi e veçantë?

Në Rusi, shoqëria civile është një kategori të cilën nuk kemi mësuar ta kuptojmë plotësisht. Në gjithë botën shoqëria civile përbën anën tjetër të shtetit. Shteti nuk është vetëm makinë politike, është një formë e organizimit të jetës e bazuar te pushteti shtetëror dhe te ligji. Ndërkohë që shoqëria civile është dimensioni njerëzor i shtetit. Ajo vepron brenda një hapësire ligjore, por duke iu përmbajtur ligjeve të veta humane, që jo gjithmonë janë të kodifikuara juridikisht. Është një institucion publik, i pranishëm dhe i pandryshueshëm në çdo shtet. Organizata të përbëra nga njerëz që nuk kanë poste zyrtare, por që marrin pjesë aktivisht në jetën e vendit. Gjithashtu është e nevojshme që Presidenti të takohet me përfaqësuesit e tyre. Nuk janë kontakte të lehta, pasi shoqëria civile, organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, kanë gjithnjë ankesa ndaj shtetit. Pikërisht për këtë motiv kontaktet me shoqërinë civile duhet të jenë sistematike. Besoj se do të zhvillohet një debat interesant. Ndoshta edhe i ashpër, por kjo është edhe vlera e tij.

Mes shtetit e shoqërisë, ose të paktën për pjesën më të madhe të saj, prej vitesh është vendosur një pakt i heshtur: shteti garanton një nivel të caktuar mirëqenieje e qetësie, ndërsa në këmbim shoqëria i qëndron besnike shtetit.

Këtu keni parasysh skemën "demokraci në këmbim të mirëqenies", apo të themi "sallam në këmbim të lirisë"?

Po. Sipas jush është një kontratë që mund të respektohet me rënien e mirëqenies për shkak të krizës? Nuk flas për prishjen e plotë të kësaj marrëdhënieje, por të paktën për ashpërsim të qëndrimit të shoqërisë.

Pakti shoqëror është një prej ideve më të shkëlqyera që ka pasur rol thelbësor në formimin e institucioneve demokratike në të gjithë të botën. Rrënjët e ideve të Rusisë janë të njohura, por po të flasim për leximin modern të tyre do të thosha se baza e paktit shoqëror shtrihet te Kushtetuta jonë, në fund, nuk është tjetër veç një kontratë e posaçme mes shtetit dhe qytetarëve.

Mbi çfarë?

Mbi si të ushtrohet pushteti në vendin tonë. Dhe delegimin e një pjese të pushteteve, që si e drejtë e natyrshme u përket individëve të shtetit, pasi garanton mirëqenien, jetën e lirinë. Por, besoj mirëqenia dhe standardet e kënaqshme të jetesës nuk mund t‘i kundërvihen në asnjë rast të drejtave dhe lirive politike. Nuk mund të vihen kundër njëra-tjetrës demokracia dhe barku plot. Nga ana tjetër, të drejtat dhe liritë mund të vihen në rrezik, në rast se shoqëria është e paqëndrueshme, në rast se nuk garantohet një mirëqenie elementare, nëse njerëzit nuk ndihen të mbrojtur, nuk marrin rrogat, nuk arrijnë të blejnë ushqimin e mjaftueshëm, nëse jeta u vihet në rrezik.

Ju propozoni një Rusi ku të gërshetohet liria me mirëqenien?

Po.

Gjithë vendi i lexoi me pasion deklaratat e të ardhurave të funksionarëve të lartë. Megjithatë mbetet e paqartë kush do t‘i verifikojë. Në pak ditë në Rusi është shfaqur një komunitet i përbërë nga bashkëshortë të pushtetshëm e të mjerë, por me bashkëshorte tepër të pasura.

Kontrolli i burokracisë është një prej objektivave themelorë të çdo shteti. Kemi miratuar ligje moderne mbi shërbimin në administratë, si dhe masa antikorrupsioni. Për herë të parë në historinë ruse njerëzit që mbajnë poste të larta jo vetëm janë detyruar t‘ua tregojnë të ardhurat institucioneve fiskale, por ia paraqesin edhe popullit. Do të thotë që i kemi vënë nën kontroll? Sigurisht, jo! Por të paktën është një hap i mirë në rrugën e drejtë. Sigurisht nuk duhet të lejojmë aplikimin e procedurave poshtëruese, funksionarët tanë janë qytetarë rusë si gjithë të tjerët dhe luajnë rol shumë të vlefshëm. Për shembull, për sa u përket bashkëshorteve, kushdo ka të drejtë ta organizojë si të dojë familjen e vet. Nuk ka asgjë të çuditshme te fakti që bashkëshortet e funksionarëve merren me biznes. Pyetja duhet të shtrihet ndryshe: sa është transparente dhe nëse ka konflikt interesi. Nëse funksionari kujdeset për procese të sektorit ku operon bashkëshortja e tij, kjo nuk është etike. Nëse biznesi i përket një fushe tjetër, këtu nuk ka asgjë të keqe. Kështu veprohet në të gjithë botën. Nuk ekziston asnjë tabu mbi bizneset e bashkëshorteve të funksionarëve. Ka të bëjë me ruajtjen e caqeve dhe me kulturën e brendshme.

Keni dëgjuar reagime negative nga funksionarët tuaj?

Epo e dini, detyra e Presidentit nuk më lejon të dëgjoj reagimet negative të funksionarëve. Kam marrë një vendim dhe të gjithë duhet ta zbatojnë.

Juve ju pëlqen të flisni shumë mbi pavarësinë e gjyqtarëve. Përfundimi i procesit të dytë të kompanisë "Jukos" do të jetë i parashikueshëm si i pari?

Ndoshta për të tjerët përfundimi i një procesi është i parashikueshëm. Kjo kënaqësi vlen për njerëz që nuk kanë detyrime shtetërore. Për një funksionar shteti, të mos flasim për Presidentin, nuk ekziston liria e të shprehurit mbi argumente të tillë. Parashikimi i një verdikti është i jashtëligjshëm, për Presidentin është shenjë e shkeljes së ligjit. Për të tjerët është tjetër gjë.

Interneti është një prej pikave të fundit të debateve. Nuk mendoni se funksionarët tuaj kërkojnë ta vendosin nën kontroll?

Jo. Interneti është një prej pikave që duhet diskutuar, por edhe më e mira dhe jo vetëm në vendin tonë. Duhet të krijojmë kushte normale për zhvillimin e internetit. Si njeri që e përdor çdo ditë dhe shumë gjatë, mendoj se pa mbështetje organizative nuk do të zhvillohet kurrë. Kemi një vend tepër të madh; për të pajisur shkollat me internet janë shpenzuar shumë para dhe shumë burime. Po kujdesem personalisht për këtë çështje. Rregullimi juridik i internetit duhet të jetë i arsyeshëm: nuk duhet të rendim për të dalë para gjithë botës, por të krijojmë një kontekst ligjor në gjendje të bllokojë krimet elektronike dhe të lejojë internetin të zhvillohet. Interneti nuk është aspak ambienti kriminal më i rrezikshëm se të tjerët. Interneti nuk është një e keqe absolute.

Një shkrimtar ka thënë se Bashkimi Sovjetik nuk ishte në gjendje të krijonte kompjuterë, pasi edhe fotokopjueset qenë nën kontrollin e KGB-së. Për të modernizuar vendin është e nevojshme një klimë lirie. Ju folët për zgjedhjet, kontrollin mbi burokracinë, internetin. Këto do të thonë se Presidenti Medvedev ka ndër mend të rehabilitojë demokracinë në Rusi?

Mendoj se demokracia nuk ka nevojë të rehabilitohet. Shumë nga bashkëqytetarët tanë i lidhin proceset politike dhe mbi të gjitha ato ekonomike, të kryera gjatë viteve nëntëdhjetë, me mbërritjen e institucioneve themeltare të demokracisë. Për ta ka qenë një periudhë shumë e rëndë, e cila ka ndikuar në mënyrën si ata perceptojnë vetë termin "demokraci". Por, më shumë bëhet fjalë për përvoja personale, se përqasje ndaj vetë këtij institucioni. Nuk besoj se duhet ta rehabilitojmë demokracinë. Demokracia ishte, është dhe do të jetë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›