E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi-Kakavijë, takohen krerët e kufirit për lëvizjen e emigrantëve

Marrja e masave për të përballuar pa radhë të gjata fluksin e lëvizjes së emigrantëve në këtë periudhë, ka qenë në qendër të një takimi zhvilluar midis drejtuesve të policive kufitare të të dy anëve të kufirit në Kakavijë. Pala shqiptare e përfaqësuar nga drejtori rajonal i kufirit dhe migracionit, Vasil Valera si dhe drejtori i Doganës së Kakavijës Pandeli Dura, kanë bashkëbiseduar me drejtuesin e Policisë së Epirit, Mario Gurulis si dhe me kreun e Doganës greke të Kakavijës, Gjergji Nasto. Për herë të parë gjatë viteve të fundit të dyja palët zhvillojnë një takim të niveleve të tilla. Gjatë këtij takimi, pala shqiptare dhe ajo greke, kanë garantuar marrjen e masave maksimale për të shmangur radhët e pritjes së emigrantëve në kufi gjatë ditëve para dhe pas Pashkës Ortodokse. Pjesë e këtij takimi ka qenë diskutimi i rezultateve të operacioneve të përbashkëta për goditjen e rrjeteve të trafiqeve ilegale në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek. Ndërkohë gjatë orëve të mëngjesit dhe mesditës të së enjtes, Stacioni Kufitar i Kakavijës, është përballur me fluksin më të lartë të lëvizjes së emigrantëve shqiptarë gjatë ditëve të fundit që kthehen për të kaluar Pashkën Ortodokse në vendlindje. Sipas burimeve zyrtare policore në këtë stacion kufitar gjatë mëngjesit dhe mesditës të së enjtes, kishin hyrë në territorin shqiptar rreth shtatë mijë emigrantë si dhe 1500 automjete. Për të përballuar këtë rritje të menjëhershme të fluksit të të ardhurve, policia kufitare ka rritur sportelet në 7 të tillë ndërsa ajo greke ka punuar me katër sportele. Si shkak i dyndjes në të njëjtën kohë, emigrantëve ju është dashur të presin rreth 1 orë për përfundimin e procedurave të përpunimit të dokumenteve. Kakavija vazhdon të ngelet një ndër nyjet kufitare, e cila përballon një fluks të lartë të lëvizjeve të këmbësorëve dhe automjeteve në të dyja anët e kufirit në këto ditët e festave të ndryshme.

Last Updated on Friday, 17 April 2009 03:25

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›