Si dole? Jam për vjeshtë

Sot nuk është dita ime e parë e shkollës. Nuk kam veshur atë përparësen e zezë më jakë të bardhë që do të pajtohej keq me peshën time të re, në përgjithësi edhe me dinjitetin tim, ose me syzet e mia të mendueshme, që thonë se janë pjesa ime më intelektuale. Kam shpëtuar nga buka me marmelatë, nga fletorja e shkrimit, nga zilja e pushimit, nga dezhurni ushtarak që tani nuk ka asnjë pushtet tek unë. Nga pikëpamja e shkollës - ose më mirë të themi nga e famshmja ditë e parë e shkollës - unë jam një njeri i lirë.
Mirëpo duke qenë i tillë, kam detyrime ta jap shkrimin tim. Sot kam ndërmend me ftillue pak punën e këtyre 11 mijë mbetësave maturantë të këtij viti, që do presin në rastin më të mirë vjeshtën për të marrë diplomën e pjekurisë. Nga 39 mijë maturantë që kishte Shqipëria në maturën 2009 nxori plot 11 mijë ngelësa, pra 20 përqind e nxënësve, padyshim një rekord jo vetëm ballkanik. Në rastin më të keq, këta maturantë do ta ripërsërisin vitin, pra shkolla e lartë këtë vit do të jetë një shans i humbur. Shans, besoj, i humbur me vetëdije sepse kanë dashur t’i kalojnë pa mësuar edhe lëndët që i kanë zgjedhur demokratikisht vetë. Ajo që është njëkohësisht për të qarë dhe pastaj për të qeshur është se “mbetësit” kanë gabuar në përcaktimin e lëndëve me zgjedhje. Kanë qenë pikërisht lënda e Historisë dhe e Gjeografisë, ato që kanë pasur një fluks të madh kërkesash, por niveli i përgatitjeve ka qenë tepër i dobët. Pjesa më e madhe e tyre i ka rënë rrugës më të shkurtër për të mbërritur. Dhe diploma e pjekurisë si çdo frut tjetër në natyrën njerëzore do kohën, vaditjen dhe prashitjen e saj.
Ti biem shkurt hesapit:
Dobësia e pasqyruar në rezultatet e provimeve me zgjedhje i ka rrënjët më të thella se gëzimi i atij që e ka kaluar provimin. Gjithmonë më duket sikur lotët e humbësit kanë rrënjë më të thella se buzëqeshja e fitimtarit. Kjo dihet e stërdihet. Mirëpo ajo që shqetëson është se nuk dihet shkaku i kësaj injorance masive që firoi në kullesën e provimeve nga pjesa tjetër e lëmshit kur filloi dita e shkundjes së grurit. E thotë edhe kultura folklorike: kujdes, “mendja është kokërr gruri”. Drejtorë, nëndrejtorë, mësues e inspektorë arsimi ulin kokën kur u kërkohet llogari në vetë të parë për rezultatet e dobëta të maturantëve. Ata me një ngritje të supeve - që do të thotë nuk e di - dorëzohen përpara realitetit të hidhur. Gjithçka u faturohet nxënësve sikur këta të fundit të kishin autonominë intelektuale për të vlerësuar se çfarë dhe sesi duhen të përgatiten për provimet. Edhe pse shumë veta në shkollën shqiptare nuk mësojnë për jetën, por për shkollën, sot as kjo aksiomë e fundit nuk bëhet më.
Avitjet e lëndëve janë ato po klasike: shpjegim ligjërues i mësuesit në klasë, detyra shtëpie dhe pastaj pyetja sa kanë thithur nga ky proces absorbimi dijesh. Veç mësuesve të deklaruar të pafajshëm nga korpusi i tyre edhe pjesa më e madhe e prindërve të zhgënjyer nga 11 mijë maturantët edhe sot që po flasin nuk i dinë shkaqet e kësaj disfate të vogël familjare, që ngjan më një Waterloo personale.
Simbas gjykimit tim, kjo injorancë e mbarësuar kaq shumë vjen jo vetëm nga mësuesit, por kryesisht edhe nga prindërit e familjes shqiptare, e cila po pëson një evoluim me ritme aq të larta sa janë të papërballueshme, dhe po humbet në vlerat e veta edukuese. Madje kam parë sesi njerëzit kanë filluar të bëjmë më shumë karrierë më shumë jashtë se brenda familjes. Po anashkalohet komplet roli edukativ e folesë familjare, që tani duket se ju është deleguar institucionit të shkollës në rastin më të mirë. Kjo e fundit më gjithë misioni e saj fisnik si palestër e qytetarisë nuk mund të bëjë atlet një që është topall në njohuri qysh fëmijë.
Internet kafeja:
Në fshatrat shqiptare rrjeti i internetit nëpër shkolla është aq panjohur sa edhe është mësimi konstant nëpër biblioteka a qendra ku ka libra. Fshati, në mendësinë e qeveritarëve lokalë e qendrorë, duhet të prodhojë sa më shumë fshatarë në mendësi. Në metropolet e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës ka një ndryshim nga fshati, aty ka internet. Vetvetiu edhe misioni i hapjes mendore të një të riu sot, në ndryshim nga dje që ishte libri, i është lënë më shumë kulturës sipërfaqësore të internetit sesa parapërgatitjes prindërore. Kjo mungesë paraprake jo vetëm shkakton një konfuzion vlerash në mendjen e të riut, por shumëfishon - sidomos - vesin e të “rënit shkurt”, çka në formim reflektohet si simptoma e shpjeguar tek skeçi shqiptar: “mos shko, o trim”, “mos shko se do ta hash”, “E hëngri edhe trimi”. Trimat e sotshëm metropolitanë që vetëm në metro nuk janë, nuk
hapin atë derën e famshme të trimit, por hapin dritaren e kompjuterit dhe futen në tunelin virtual të kibernetikës. E aty ngelin peng të injorancës. Virtualiteti nuk ka asnjë virtyt, përkundrazi, i internon në internet lundruesit e pa vozitur në jetë.
...