Vrasja në ish-Bllok, roli i Zenelit si ndërlidhës për familjen Haka
Tiranë- Një histori “e vulosur” nga drejtësia, por jo nga dyshimet apo hetimet operative të policisë, është ajo e lidhjes së Nadien Zenelit me vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, në vitin 1999. Ekspertët e grupit hetimor po ndjekin gjurmët e konflikteve të shkuara të Hakajve, dhëndër i së cilëve ishte Nadieni, si pistë kryesore për të zbardhur ngjarjen që tronditi zonën më të frekuentuar të Tiranës, atë të ish-Bllokut. Ndaj edhe ekzekutimi i së hënës në mbrëmje i 32-vjeçarit ka nxjerrë nga sirtarët këtë dosje të vjetër, ku Zeneli ka qenë një ndër dëshmitarët kryesorë. “MAPO” ka siguruar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, në lidhje me tre të pandehurit e akuzuar për vrasjen e policëve, Arben Keqi dhe Durim Kasmi, të cilët u dënuan me burgim të përjetshëm në Shkallë të Parë e u shpallën të pafajshëm, nga ana e Gjykatës së Apelit. Në vendimin e datës 29 dhjetor 2010 del në skenë disa herë emri i Nadien Zenelit, i njohur edhe me emrin Bledar, si person i afërt me familjen Haka dhe si ndërlidhës i njërit prej të akuzuarve të kësaj ngjarjeje. Vendimi i Gjykatës tregon se lidhjen e të pandehurit, Sokol Halilaj me Shkëlqim Hakën, e ka bërë Nadien Zeneli dhe Kastriot Tafa, të dy me origjinë nga rrethi i Dibrës, por që banonin në Fushë-Krujë. Tafa dhe Zeneli ishin kushërinj me njëri-tjetrin. “Pas vrasjes së policit Arben Keqi, Kastriot Tafa, i njohur edhe si Kamber, shëtiste nëpër qytetin e Krujës me autoveturën që Enver Haka përdorte para se të vritej. Kastrioti rezulton të ketë qenë lidhja shoqërore e të pandehurve Sokol Halilaj e Dritan (Gramoz) Rexhepaj, për shkak të emigracionit të përbashkët në Itali, rreth viteve 1998-1999. Po ashtu, Kastriot Tafa njihej si kushëri i Nadien Zenelit, dhëndër i familjes Haka” – shkruhet në vendimin e Gjykatës. Ky version përforcohet dhe nga një tjetër dëshmitar, M.T. i cili ka deklaruar se Kastriotin e njihnin si kushëri të Nadien Zenelit. Ndërkohë, në bazë të hetimeve ka rezultuar se i akuzuari i tretë, tashmë i pafajshëm për vrasjen e dy policëve, Shefqet Seferi e ka njohur Nadien Zenelin, të cilin e kishte takuar përpara vrasjes së Arben Keqit në Fushë – Krujë. Gjatë dëshmisë së tij në prokurori, Shefqet Seferi deklaroi rreth njohjeve dhe lidhjeve familjare me familjen Haka. Këto lidhje u provuan nga dëshmitë e N.H. dhe Nadien Zenelit. Sipas hetimeve paraprake, Shkëlqim Haka kërkonte njerëz për të vrarë policin Arben Keqi, pasi dyshonte se i kishte vrarë vëllanë. Në fund të vendimit, Gjykata e Krimeve të Rënda është shprehur se: “Edhe dëshmia e Nadien Zenelit, e kërkuar nga mbrojtja, nuk solli ndonjë ndryshim lidhur me ato fakte”. Viktima e tre netëve më parë të ish-Blloku deklaroi në gjyq se asnjëri prej të akuzuarve nuk kishte qenë në vrasjen e dy policëve. Vendimi në fjalë është pushuar pak kohë më parë nga ana e Gjykatës së Apelit, duke lënë të lirë Shefqet Seferin dhe Sokol Halilajn, pasi nuk kishte prova të mjaftueshme që provonin implikimin e tyre në këtë ngjarje.