Co-Plan shpall sot "Lidershipin shqiptar"
Co-Plan shpall sot çmimin e përvitshëm "Lidershipi shqiptar", i cili nxjerr njerëzit e spikatur gjatë një viti në katër fusha të rëndësishme të jetës, të shoqërisë civile, biznesit, medias dhe qeverisjes. Edhe këtë vit, në një ceremoni që organizohet sot pasdite, Co-Plan ka përzgjedhur mes shumë kandidatëve fituesit e këtij klasifikimi, i cili shton radhët e atyre që kanë dhënë kontribute të shquara në jetën politike dhe shoqërore të vendit me efekte publike. Qëllimi i Co-PLAN është t'i bashkojë këto kategori në një logjikë të vetme, atë të lidershipit. Si janë përcjellë elemente të tillë si; menaxhimi, ndershmëria në përdorimin e fondeve, komunikimi, ndihmesa në promovimin e vlerave sociale etj., nga liderë të këtyre fushave?
"Lidershipi shqiptar" zyrtarisht ka filluar në vitin 2003, ndërkohë që Co-PLAN çoi më tej një iniciativë të Fondacionit Shqiptar të Shoqërisë Civile (FSHSHC) me Njeriun e Vitit" të ofruar në vitin 1998, ku "Njeriu i Vitit" për Shoqërinë Civile u shpall Valentina Leskaj. Për të garantuar këtë, çmimi i "Lidershipit shqiptar" në fakt jepet nga Komiteti i Lidershipit Shqiptar, i cili përbëhet nga figura të spikatura dhe rinovohet çdo vit duke përfshirë në të fitues të këtij çmimi në vite. Këtë vit anëtarë të komitetit janë Gazmend Oketa, Ermelinda Meksi, Besnik Aliaj, Ilir Zhilla, Valdete Sala dhe Sotir Dhamo. Ndërkohë Co-PLAN lehtëson një proces sa më gjithëpërfshirës në marrjen e aplikimeve nga individë apo institucione të ndryshme përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit. Mbi bazën e këtyre rezultateve, Komiteti i Lidershipit bën përzgjedhjen finale. Pritet që në çmimet që do të shpërndahen sot, të ketë dhe një çmim special, i cili do të kalojë edhe kufijtë e Shqipërisë. Për vitin 2007, çmimin "Lidershipi shqiptar" e kanë marrë Remzi Lani për kategorinë "Shoqëri civile", Institucioni i Avokatit të Popullit për kategorinë "Qeverisje lokale", Sokol Balla për kategorinë "Media" dhe ndërtuesit Avenir Kika për kategorinë "Biznes".