Dinamo-CSKA 0-1. 85’- minuta fatale që ndëshkoi blutë

Dinamo-CSKA 0-1
Shënues: Trika 85'
E mërkurë, ora 17:30, në stadiumin "Selman Stërmasi"
Nga Dash Frashëri
Dinamo: Lika, Kastel, Xhafa, Diob, Ahmataj, Vincetic, Deliallisi, Alikaj, Poci (Asllani 16'), Pema, Gudjabi. Trajner F.Sejdini
CSKA: I.Petrov, Todorov, V.Iljev, Toncev (Jakirov 64'), Kotev, R.Petrov, G.Iljev, Grgorov (Trika 45'), Petre, Dimitrov, Zadi (Furtado 55'). Trajner P.Markov
Gjyqtarë: Haim Jakov, Shabtai Nahmias, Nisan Davidi (Izrael)
Vëzhgues i UEFA-s: Carlos Matos (Portugali)
Kartonë të verdhë: Vincetic/ Toncev
"Kështu e futbolli. Mund të humasësh edhe në minutën e fundit!". Me këto fjalë të hidhura, trajneri i Dinamos, Faruk Sejdini pranoi humbjen e ekipit të tij përballë njëkundërshtari të vështirë si CSKA e Sofies. Dinamo humbet në minutat e fundit ndaj skuadrës bullgare CSKA e Sofies, një gol i shënuar nga Eugen Trika në minutën e 85 të takimit, vetëm dy minuta pasi senegalezi i Dinamos, El Hadji Goudjabi shpërdoroi fatalisht një rast të shkëlqyer për të sigluar golin e parë të Dinamos. "Megjithatë nuk dua ta konsideroj atë si shkaktarin e humbjes dhe nuk dua të fajësoj vetëm atë", - tha pas ndeshjes Sejdini, për golashënuesin më të mirë të Dinamos gjatë sezonit të kaluar.
"Vendosëm që t'i lëshonim hapësirë për t'i kapur ata në kundrasulm, që funksionoi mirë në disa raste. Po ta shohësh lojën në përgjithësi, dua të them se me mmënyrën që ajo u zhvillua barazimi do të ishte më i drejti". Por, pesë minuta para përfundmit të kohës së rregullt, lojtari më i mirë në fushë Petre hyri në zonë, i ndjekur nga Alikaj, por ky i fundit nuk ndërhyn, edhe me frikën se ndoshta mund të shkaktonte një 11-metërsh, duke i lënë hapësirë futbollistit të kombëtares rumen Petrev të jepte pasin e artë për Trikën, që nga zona e vogël e portierit Lika, gjuan rreptësisht shpejt në mes të mbrojtësve blu, duke mos i lënë asnjë shans Likës. 1-0 për CSKA-në, një gol që nuk duhet të ishte pësuar. "Ishte shumë e rëndësishme të merrja një rezultat të mirë në ndeshjen e parë", - tha pas ndeshjes traneri bullgar, Plamen Markov.
Rasti bëhet edhe më i dhimbshëm, kur edicionin e kaluar në Ligën e Kampioneve edhe Tirana është ndëshkuar në minutat e fundit, madje me dy gola.
Megjithatë Dinamo shpreson në shanset për kualifikim. " Natyrisht që i mendoj, pasi janë dhe 90 minuta të tjera. Asnjëherë nuk mendoj se jemi dorëzuar, ashtu si dikush ishte shprehur më parë se CSKA-ja do të shënonte më shumë se një gol. Pas dy javësh në Sofie do të shkojmë me qëllimin e vetëm kualifikimin për në turin tjerër. Kuptohet që është e vështirë, por jo e pamundur", -përfundoi trajneri Faruk Sejdini, ndërsa kolegu i tij bullgar iu kundërpërgjigj: "Unë mendoj se kemi shumë shanse të mira për kualifikim, por nuk mund të them sot se tashmë jemi të kualifikuar".