E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo-Mamurras do të luhet të hënën në Selman Stërmasi

Për shkak të sfidës Shqipëri-Qipro që do të zhvillohet në stadiumin kombëtar Qemal Stafa më datë 7 shtator, sot në impiantin tjetër të kryeqytetit do të luhet Tirana-Shkumbini duke shtyrë për të hënën takimin e bluve kundër Mamurrasit

Nga ANDI TANKU

Sfida Dinamo-Mamurras, e vlefshme për javën e parë të Kategorisë së Parë, e programuar për ditën e sotme do të luhet ditën e hënë në stadiumin Selman Stërmasi. Kjo për shkak se po sot në këtë stadium do të luajë skuadra tjetër kryeqytetase, ajo e Tiranës kundër Shkumbinit. Kjo sfidë ishte lënë për tu luajtur në stadiumin kombëtar Qemal Stafa, por programi është ndryshuar për shkak se më datë 7 shtator përfaqësuesja e Shqipërisë do të zhvillojë në këtë impiant takimin e parë eliminator për Botërorin e Brazil 2014, kundër Qipros dhe është menduar që fusha të mos dëmtohet. Kështu që zgjidhja e vetme për dinamovitët ka mbetur dita e hënë, ndërsa për orarin edhe pse nuk është vendosur akoma mendohet se nuk do të ndryshojë dhe do të jetë në orën 17:00. Kjo gjë është vendosur vetëm në orët e pasdites së djeshme dhe lajmin e konfirmojnë vetë drejtuesit e klubit dinamovit. Kështu të besuarit e trajnerit Zhupa do të kenë mundësi që edhe këto ditë të vazhdojnë përgatitjet për sfidën kundër Mamurrasit në ish-ambientet e kompleksit Dinamo. Ndërkohë që edhe dje stërvitja ka vijuar rregullisht, por ende nuk është bërë i ditur formacioni përfundimtar i Dinamos për ndeshjen e parë kundër Mamurrasit. Ndërkohë që nga burime brenda klubit mësohet se në orët e fundit të merkatos nuk ka pasur asnjë lojtar që është afruar dhe që ka firmosur me blutë. Pra të gjitha zërat e merkatos se te Dinamo do të afroheshin lojtarët: Kapaj, Ishka, Djarmati dhe A. Beqiri nuk janë të sakta. Lojtarët që janë federuar tashmë me dinamovitët janë ata, të cilët janë deklaruar që më parë në listat zyrtare të klubit, të cilët do të jenë pjesë e kontingjentit të skuadrës për vitin e ardhshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›