E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja e nis pa tifozë ndaj Besëlidhjes në Roza Haxhiu

Sipas trajnerit Bano, skuadra do të tregojë vlerat e saj reale ndaj një rivali direkt edhe pa praninë e tifozëve të zjarrtë lushnjarë, ndërsa mesfushori, Byzhyti thekson fitoren si të vetmen alternativë në ndeshjen e sotme.  

Nga Julian Kasapi

Skuadra e Lushnjës do ta nisë sezonin me zhvillimin e dy ndeshjeve të para në stadiumin Roza Haxhiu. Kjo e sotmja, premierë e sezonit të ri futbollistik ashtu si dhe katër të tjera do të luhen pa praninë e tifozëve. Jo mirë për një start sezoni, por lushnjarët vuajnë kështu fundin e sezonit të shkuar ku përveç dënimit të fushës, mbetën serish në kategorinë e parë. Një staf i ri teknik dhe një skuadër me plot emra të rinj kanë marrë përsipër të bëjnë atë që nuk u bë sezonin e kaluar, ngjitjen e Lushnjës në Superligë.

Atmosfera në përgjithësi është pozitive dhe të gjithë faktorët janë të angazhuar për të pasur një start të mirë për skuadrën e drejtuar nga Artan Bano. Donatorët dhe njësia e pushtetit vendor kanë investuar para për këtë skuadër. Stafi teknik është i kënaqur nga skuadra që është ndërtuar dhe pret frytet e punës së kësaj vere. Jam shumë optimist se skuadra do të tregojë vlerat e saj që në ndeshjen e parë, pavarësisht se do të na mungojë tifozëria jonë e zjarrtë. Djemtë janë të përqendruar dhe e dinë që ne kemi një objektiv për të cilin duhet të fitojmë jo vetëm ndeshjet brenda por edhe ato jashtë. Si trajner më ngroh grupi i futbollistëve, të cilët kuptohen shumë mirë me njëri-tjetrin. Në fushën e lojës do të hedhim formacionin tonë më të mirë, sepse duam ta nisim me fitore sezonin, ku kam kërkuar nga djemtë të japin maksimumin e tyre, tha trajneri lushnjar, Artan Bano. Skuadra lushnjare ka zhvilluar seancën e fundit përgatitore paraditen e djeshme dhe futbollistët janë optimistë për fitoren ndaj Besëlidhjes. Mesfushori i talentuar, Alban Byzhyti tha se fitorja është e vetmja alternativë për objektivat tona në kampionat. I ftoj tifozët që të ndjekin qoftë dhe në distancë takimin pasi do të fitojmë dhe me lojë bindëse, theksoi Byzhyti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›