E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo-Partizani, sot fitorja është kusht

Dinamo-Partizani mban gjallë emocionet e ndeshjeve derbi të kryeqytetit, i cili do të jetë edhe i treti për këtë fazë të parë: dy të parët kanë njohur fituese Tiranën, 2-1 ndaj Partizanit në javën e tretë dhe 2-1 edhe ndaj Dinamos në javën e shtatë.

Statistikat – Përballja e fundit mes Dinamos e Partizanit daton në fundin e sezonit të kaluar, pikërisht më 17 maj 2007. Ishte ndeshja më e rëndësishme e sezonit, ku blutë, pas fitores 2-1, u kanë rrëmbyer “kushërinjve” të kuq edhe titullin kampion, të 17-in për Dinamon.

Duke gjykuar potencialet e dy skuadrave, Dinamo shikohet si favorite. Por ka kundër statistikat, të cilat flasin në favor të Partizanit. Në 130 ndeshje mes tyre, Partizani ka fituar plot 46 (e fundit 07.04.2007, 2-0), kundrejt vetëm 39 fitoreve të Dinamos (e fundit 17.05.2007, 2-1). 45 ndeshjet e tjera kanë përfunduar në barazim (i fundit 04.11.2006, 0-0).

Pesha e derbit

Por edhe pse nga derbi i sezonit të kaluar deri tek ai i sotmi ka kaluar jo pak kohë dhe kanë ndryshuar jo pak gjëra, rëndësia e sfidës mes dy rivalëve vazhdon të ketë një peshë specifike.

Jo vetëm për faktin se është derbi. Nuk do të luftojnë për titull, por si për Dinamon ashtu edhe për Partizanin fitorja është një domosdoshmëri.

Një humbje tjetër radhazi në derbin e dytë brenda 7 ditësh do të vuloste krizën te skuadra e Daliçit.

Ndërsa për të kuqtë, fitorja është e vetmja alternativë, e cila mund të shihej si një rikthim i shpresave për një sezon në ujëra të qeta. Humbja do të ishte shokim i madh për Partizanin, që nuk po di të dalë nga kriza.

Zlatko Daliç

Derbi numër 131 ka ndezur situatën në prag të tij. Trajneri i Dinamos, Slatko Daliç, ka deklaruar se e vlerëson Partizanin, or premton luftë për të marrë tri pikët.

“Partizani nuk ka asnjë dobësi, thotë Daliç, do të jetë një ndeshje e fortë, nga ato që vendosin kampionatin. Nuk jemi në pozicionin ku donim të ishim, shpresoj që këtë lojë që po tregojmë në stërvitje, ta tregojmë edhe në ndeshje e të fitojmë. Lojtarët janë profesionistë, nuk mund të zgjedhin ndeshjet më të dobëta apo të më forta, por duhet t’i vlerësojnë ato njëlloj”.

Hasan Lika

Trajneri i Partizanit e pranon se do të jetë e vështirë, por megjithatë ai pret reagimin e të tijve. Ky është rasti më i mirë.

“Nuk jemi ajo skuadër që kemi qenë vitin e kaluar. Lojtarët kanë ende nevojë për kohë. Gjithsesi, është një ndeshje e vështirë, me një kundërshtar të fortë. Ne do të luftojmë për pikë, jo vetëm ndaj Dinamos, por edhe ndaj çdo kundërshtari. Janë shumë të nevojshme për situatën që po kalojmë”, përfundon Lika. a

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›