E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Konispol, aty ku rikthehet puna

Deri disa vjet më parë, të merrje rrugën për në Konispol, duhej të mendoheshe mirë. Me autobusin e Fatriut do të duheshin të paktën 8 orë udhëtim mes rrugës që dukej e pafund, mes baltës në dimër dhe pluhurit dhe vapës mbytëse në verë. Disa mësuese nga Saranda, të emëruara në Konispol, që dukej fundi i botës, nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të merrnin autobusin e mesditës së të dielës, për t‘u gjendur në shkollë mëngjesin e së hënës. Këto realitete të trishta, sot të duket se i përkasin një realiteti të lënë shekuj pas. Sot nga Saranda në Konispol, në kilometrin e fundit të Jugut shqiptar, mund të shkosh për 35 minuta, nëse mban drejtimin për nga Butrinti. Por ka edhe dy mundësi të tjera për të zgjedhur, që të mund të shmangësh të papriturat e mundshme të transportit me lundrën (trapin) e Butrintit. Ne kaluam nga ajo që ka nisur të quhet "Rruga e Biznesit". Edhe pse e papërfunduar plotësisht, kalimi përgjatë saj është si një hapje panoramike e zhvillimit që ka marrë vitet e fundit agrobiznesi i fermerëve të Komunës së Xarrës dhe i Bashkisë së Konispolit. Peizazhi që të shpaloset u përngjan tarracave të dikurshme të kodrave të Lukovës. Një "qëndisje" e tillë ofrohet sapo syri rrok plantacionet me agrume e ullinj, që ngjiten kodrave apo zbresin ultësirave, sa kalon në zonën e njohur me emrin Bufi, pranë Xarrës, në Malathrenë e Mursisë, e deri në fushën e Vardharit në Konispol. Një hapësirë pafundësisht e gjelbëruar në këtë stinë nga rrënjët e mandarinave, që kanë zënë të rrallojnë kokrrat prej vjeljes, e deri tek ullinjtë, që kanë mbushur kurorat me kokrra. Por askujt nuk i bie ndërmend t‘i vjelë në mënyrë klandestine e aq më pak t‘i hyjë pemës së bekuar me sëpatë, siç ndodh mjerisht përgjatë fshatrave të bregut.
Një "Shengen i vogël"
Afërsia dhe fqinjësia e Konispolit me fshatrat dhe qytetet bujqësorë të krahinës së Thesprotisë në veriun e Greqisë, në 15 vite radhazi i ka shndërruar banorët e Konispolit në punëtorë sezonalë në blloqet dhe plantacionet e pronarëve grekë. Nga Sajadha e Filati, deri në Prevezë e Artë, emigrojnë prej vitesh në muajt e sezonit, gjatë të cilëve sigurojnë shpenzimet e tërë vitit. Është e njohur se mjaft prej tyre punësohen aq afër Konispolit, sa thuhet se "punojnë në Greqi e gjumin e natës e bëjnë në shtëpi". Kryetari i Bashkisë së qytetit agrar të Konispolit, Petrit Mullaj, tregon se një marrëveshje dypalëshe mes kryebashkiakut Mullaj dhe homologut të tij grek, kryetarit të Bashkisë së Sajadhës, Vangjelis Mastoras, ka kohë që funksionon.
Kjo është konkretizuar me një listë emrash me 280 burra dhe gra nga Konispoli e Çifliku, që është pjesë e bashkisë, të cilëve u njihet e drejta nga autoritetet kufitare greke që të kalojnë pa u kërkuar vizë në anën tjetër të Doganës së Qafë-botës, që quhet Mavromat. "Ky është si një "Shengen i vogël" që ne kemi realizuar midis nesh", thotë kryebashkiaku Mullaj. Na thonë se 30 deri në 40% e banorëve janë pajisur me dokumente dhe emigrojnë në rrugë të ligjshme, nga dogana, për të punuar në vjeljen e mandarinave apo për punë të tjera në qytetet greke pranë kufirit. Njerëzit që e duan punën, hyjnë e dalin pa ndaluar as çapin para traut të doganave, duke dëshmuar se fqinjësia e mirë ka rrëzuar mure shtetesh dhe ka ngritur ura integrimi natyral, pa pritur që këtë ta bëjë politika e madhe në Tiranë dhe Athinë.
Pemëtaria, zanati i parë
Në dekadat e para viteve ‘90, Vardhari i Konispolit, ashtu si tokat e Vrinës dhe Xarrës, ishin si "klasa të shkollës së misrit" në shkallë vendi. Deri dhe në muret e kalave antike, mbinin zotimet për të marrë mbi 100 kv misër për ha. Zotime këto që, duke i zbrazur nga buja e gënjeshtërt e propagandës së kohës, tingëllojnë po aq "antike" sa dhe muret ku afishoheshin "objektivat revolucionare". Tani që prodhimi i bukës në vend nuk ka çfarë bllokade të çajë, janë ligjësitë e ekonomisë së tregut ato që orientojnë fermerin dhe i diktojnë atij çfarë të mbjellë dhe si të zhvillojë biznesin më të favorshëm. Tokat e buta dhe klima mesdhetare, zotëruese në këto anë, i kanë nxitur fermerët konispolatë drejt frutikulturës, kultivimit në masë të mandarinave dhe ullirit. Kjo është "uria" e tregut dhe kjo është "fabrika pa çati" e shumicës së fermerëve.
Edhe më tepër e ka nxitur marrjen me frutikulturë oferta e shtetit për subvencionim të punës që bëhet me agrumet dhe me ullirin. Nuk është e vështirë të bëhet kjo lidhje e drejtpërdrejtë mes kësaj mbështetjeje financiare të shtetit dhe shtimit këtë vit edhe me 40 mijë rrënjë të tjera mandarina. Fermerë të tjerë bëhen gati të shtojnë rrënjë apo të hyjnë në biznesin e frutikulturës, që është zanati i parë në këto anë. Ata që merren prej vitesh me këtë punë, e kanë kapur tregun dhe ia kanë parë leverdinë. Është e kalkuluar se nga puna dhe shërbimet në 600 rrënjë, sigurohen jo më pak se 20 milionë lekë të vjetra të ardhura. Në të gjithë Konispolin e përtej tij, është e njohur se ka disa "kampionë" të kësaj gare, si fermeri Guxim Mullaj, që punon me sigurinë e një biznesi me çati tashmë. Kështu, ai e vuri "festen mbi sy" edhe këtë vjeshtë, pasi prodhimin e ri të mandarinave e kishte të shitur e të likuiduar nga tregtari tiranas, kur ende prodhimi i mandarinave ishte në degë. Të tjerë thonë se u janë "dorëzuar" tregtarëve fierakë, që ua morën mandarinën në vend, me 500 lekë kilogramin.
Ndër më të suksesshmit e këtij biznesi agrar janë edhe vëllezërit Shehu: Skënderi, Fatmiri e Hasani, që gjithashtu plantacionet me mandarina i kanë "detyruar" të prodhojnë e të japin prodhim të mbarë, si të ishin në një fabrikë prodhimi, sido që të mbajë moti. Puna me frutikulturën është kthyer në një sprovë edhe për mjaft nga punonjësit e institucioneve buxhetore në Konispol, që është edhe qytet edhe fshat. Sfida nis që nga kryetari i bashkisë, që thotë se vjen nga fusha e biznesit. Por vitet e fundit ka provuar të bëjë edhe fermerin, duke mbjellë 500 rrënjë mandarina. Po kështu na tha edhe drejtori i gjimnazit të qytetit më jugor të vendit, Astrit Tartari. "Gjej kohën t‘u shërbej edhe 300 rrënjëve mandarina, që kam mbjellë", na tha ai. Ndërsa duke folur për leverdishmërinë edhe ekonomike të kësaj pune, kryebashkiaku na ka bindur edhe me shifra pse ia vlen të merresh me këtë punë. "Nga 7.5 milionë lekë të vjetra që shpenzova në 500 rrënjët e mia, 5 milionë m‘i subvencionoi shteti. Kjo është si të vijë dikush e të të tregojë ku gjendet një qyp me flori", shtoi kryetari i Bashkisë në Konispol.
I njëjti interes është i dukshëm edhe për shtimin e rrënjëve të ullirit, si pjesë e aksionit kombëtar për 20 milionë rrënjë më shumë nga pema e vajit. Në Konispol numërohen më shumë se 10 mijë fidanë të rinj ulliri. "Sekreti" edhe i kësaj shifre është te mbështetja financiare që ofrohet nga shteti, ashtu si edhe për bagëtinë e imtë, e cila ka arritur në 23 mijë krerë. Dhe nga Saranda deri në Tiranë e dinë mirë se ç‘do të thotë mish apo bulmet nga të imtat e Konispolit, që ushqehen në kullota të cilat mishit dhe djathit i japin erën e trëndelinës së malit. "Është magjia e ujit dhe barit të maleve të Konispolit", na thotë Adem Taqe, një burrë i moshuar.

Vetëpunësimi
Qyteti me papunësinë zero
Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Në Konispol niveli i papunësisë është zero. Kjo është një nga gjërat më të rralla e më të veçanta që mësojmë nga biseda në Bashkinë e Konispolit. Duket si slogan, por dëgjuam të thonë se gjithkush i ka gjetur punë vetes. Madje kryebashkiaku shton se "zihet ngushtë" kur në bashki del papritur nevoja për një usta hidraulik, elektrik apo suvaxhi. "Nuk do ta besoni, por e kam vështirë të gjej një njeri të lirë për ta bërë riparimin, pasi secili ka punën e vet", shprehet ai. Të shumtët kanë ngritur dhe i shërbejnë punës së tyre në artizanat këtu në qytet, në frutikulturë apo blegtori në fushat dhe kullotat që e rrethojnë Konispolin dhe konispolatët.
Në qytetin e 3 mijë banorëve numërohen 4 biznese të mëdha dhe 32 biznese të vogla. Por veç këtyre, janë vetë banorët mjeshtër të Konispolit, që realizojnë investimet e mbështetura nga qeveria apo nga buxheti lokal për përmirësime në infrastrukturë apo në ujësjellës. 200 milionë lekë janë destinuar për rikonstruksionin e ujësjellësit të qytetit. 100 milionë lekë të tjera u shpenzuan për kopshtin e fëmijëve në të cilin këto ditë nisin mësimin fëmijët. Ndriçimi i qytetit mësojmë se ka marrë 40 milionë lekë të tjera. E këto bëhen nga duart e ustallarëve që janë të lidhur jo vetëm nëpërmjet lekut me këtë qytet, por që mbi fijet e interesit ekonomik kalojnë lidhjet shpirtërore.

Dogana
Qafë-Bota, porta e zhvillimit

Një mënyrë e tretë për të mbërritur në Konispol është të ndjekësh drejtimin që ndjek autostrada e re Qafëbotë-Sarandë. Ajo ka përfunduar tërësisht dhe në standarde, që lënë pas atë të anës tjetër të kufirit. Tani infrastruktura rrugore ka pësuar përmirësime të dukshme. Tashmë është fakt se Saranda dhe Tirana, por edhe Igumenica e Janina, kapen shumë më shpejt. "Një kilometër në një minutë bëhet tani", na thotë Todi Kote, një ndër biznesmenët e parë të kësaj zone në fshatin Mursi. Autostrada e parametrave cilësorë ka ardhur nga Qafë-Bota deri në fshatin e vllehve të Sarandës, në Shkallë. Më tej punimet kanë përparuar duke kapërcyer Livadhjanë e Dermishin, madje duke çuar gjurmë pune deri në Krane e më tej. Paralelisht me këtë ecuri të punimeve për rrugën po përparohet edhe për ngritjen e godinës së re të doganës, që ngrihet në Qafë-Botë. Inxhinier Durim Bajo na thotë se kushtet që do të ofrohen në terminalin e saj janë tepër komode dhe se dorëzimi i objektit është vetëm çështje ditësh. Kjo do të thotë se emigrantët që do të preferojnë të hyjnë këtej në Shqipëri për festat e këtij fundviti, do të kenë shans të marrin shërbime doganore në kushte të pakrahasueshme me më parë. Kioskat e kthyera në zyra policie dhe dogane në pikëkalimin e Qafë-Botës, janë në ditët e tyre të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›