Dinamo, afrohen Ishka, Kapaj dhe Ardit Beqiri
Kur duhen edhe 2 ditë nga mbyllja e kësaj merkatoje, blutë kanë arritur të afrojnë në skuadër tre lojtarë me përvojë, duke përforcuar ndjeshëm skuadrën e drejtuar nga trajneri Zhupa
Dinamo dje ka bërë goditjet e radhës në këtë merkato. Në skuadër janë afruar jo pak, por tri emra me mjaft eksperiencë në disa skuadra të kampionatit tonë siç janë: Sokol Ishka, Ardit Beqiri dhe Mariglen Kapaj. Dy të parët vitin e kaluar kanë qenë pjesë e kontingjentit të Kamzës, ndërsa mbrojtësi Kapaj, edhe pse gjatë kësaj periudhe ishte shkëputur nga Dinamo, tashmë mësohet se ai do të veshë edhe këtë sezon bluzën e skuadrës, me të cilën u aktivizua sezonin e shkuar.
Tri afrimet e fundit do të jenë mjaft të nevojshëm për realizimin e objektivave që kanë blutë gjatë këtij sezoni. Lajmin, se këtë vit Ishka, Kapaj dhe Beqiri do të luajnë për Dinamon e konfirmojnë edhe burime brenda klubit të Kamzës. Lojtarët në fjalë do ti japin më shumë garanci skuadrës së drejtuar nga trajneri Zhupa, i cili tashmë do të ketë më shumë alternativa në skuadër për të përballuar me sukses Kategorinë e Parë.
Gjatë kësaj periudhe, nga klubi dinamovit ishte premtuar se do të kishte afrime të lojtarëve cilësorë dhe duket se me transferimet e fundit është mbajtur fjala e dhënë. Për Kapajn kishte disa kohë që flitej se do të vazhdonte bashkëpunim me blutë e kryeqytetit, ndërsa për sa i përket dy ish-futbollistëve të Kamzës, transferimet e tyre mund të duken surprizë.
Si përfundim, grupi aktual i drejtuar nga trajneri Zhupa përforcohet edhe më tepër dhe duket se në takimin e parë me Mamurrasin, që do të zhvillohet në Tiranë, të tre lojtarët do të jenë në gatishmëri për të dhënë kontributin e tyre, në mënyrë që të arrihet objektivi kryesor, që është marrja e tri pikëve që në start.
Trajneri Eduard Zhupa Një reagim i ashpër ka mbërritur nga trajneri Dinamos Eduard Zhupa, lidhur me ato që ka deklaruar një ditë më parë administratori i Partizanit, Paro Laçi. Unë nuk jam nga ata njerëz, të cilët merren me fjalë dhe në mënyrën më absolute me kolegët e mi, apo edhe kundërshtarët që mund ti kem përballë në fushën e lojës.
Më vjen keq që zoti Laçi është marrë me mua, duke më etiketuar si humbësin e Partizanit. Një lidhje, e cila vetëm lidhje nuk është. Besoj se tifozët e Partizanit më mirëkuptojnë, pasi kur kam qenë trajner i kësaj skuadre kam dhënë maksimumin tim, madje duke shpenzuar edhe nga xhepi, vetëm që Partizani të mbijetonte. Nga ana tjetër, unë jam një trajner profesionist e sot jam në krye të Dinamos.
Pikërisht për këtë arsye, duke qenë se nuk jam tip që merrem me të tjerët, nuk dua që edhe të tjerët të përgojojnë emrin tim. Sa për punën dhe rezultatet le të flasë fusha e futbollit, pasi siç e thashë më lart, si profesionist që jam kam qenë dhe do vazhdoj gjithmonë të jem i hapur për mediat, pavarësisht momentit dhe rezultatit të ndeshjes.
