E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo dhe Partizani, humbës, por krenarë!

Një humbje për të cilën Dinamo nuk skuqet. Dhe trajneri Daja i qetë sa nuk duket edhe si humbës: "Në këto momente të gjitha ekipet kanë objektiva. Prandaj nuk dihet fati i ndeshjeve". Imagjinoni sikur këto fjalë t‘i ketë dëgjuar ish-trajneri i Dinamos, Agim Canaj? Dhe kur ekipi humbet një ndeshje e trajneri nuk lodhet për shkaqet, të duket sikur janë bërë përgatitje për ta humbur ndeshjen. Një version që mund të shpjegojë dështimin e bluve javën e kaluar. Pretenduesit për kampionat humbasin imazhin dhe më pas 3 pikët. Shembulli tipik është udhëtimi i Partizanit në Vlorë. Një humbje e paparashikuar, por që trajnerët sikur të ngatërrojnë pas ndeshjes. Kovaçeviç shfaqet i pakënaqur për lojën e vlonjatëve, kurse Lika edhe pse ka marrë një humbje me përmasa pohon se "në fund fiton ai që di të shfrytëzojë më mirë rastet".

Rivalët për titull, Dinamo dhe Partizani, në një moral të çuditshëm: më shumë u gëzohen humbjeve të njëra-tjetrës sesa zhgënjehen për atë që ka ndodhur. Por një gjykim euforik, nga ata që shpesh kalojnë kufijtë, krahason humbjet e të "mëdhenjve" të kampionatit tonë me ato që ndodhin shpesh me të mëdhenjtë në Evropë. Por në kampionatin tonë, ka një rregull tjetër, ndryshe nga Evropa. Humbjet kalojnë pa gjurmë vetëm kur kanë bekimin e presidentëve. Kështu, le të kujtojmë se trajnerët e shkarkuar Canaj, Hafizi etj., kanë shumë arsye që të dyshojnë se humbjet nuk janë për të gjithë njëlloj. Për disa trajnerë ato shihen si aksidente, për disa të tjerë janë momente fatlume për të pastruar stolin. Edhe largimi i Starovës nga Besa nuk vjen dhe kaq befasues. Para tij ishte larguar me "puç" trajneri rumun, Dumistresku, kurse Starova vrapoi drejt Kavajës pa bërë llogarinë se një ditë të bukur do të largohej me privilegjin sikur iku vetë! Për humbjen në Elbasan, presidenti Bizhdili nuk bëri qokën si njëherë tjetër "ma faturoni mua humbjen, sepse nuk ka faj trajneri".

Sipas një teorie, që po shoqëron javët e fundit, "kapriçiot" e rivalëve në kampionat do të vazhdojnë derisa të zgjasë pezullimi i famshëm në Evropë. Në momentin që FIFA do të hapë portat e Evropës, Dinamo dhe Partizani do të flakin maskat. Do të ndizet rivaliteti që prodhon hera-herës edhe polemika. Prandaj, në dosjen e akuzave, zë një vend të veçantë fraza e presidentit Xhani se "Dinamo mund të fitojë në fund vetëm me pazare". Momente hipokrizie kur rivalët i pranojnë humbjet me fjalë të bukura. Kujtojmë edhe njëherë fjalët e trajnerit Lika: "Nuk mund të them asnjë fjalë për arbitrimin, i cili u paragjykua gjatë gjithë javës. Është momenti më i përshtatshëm për të reflektuar". Të pësosh tre gola dhe të lëvdosh arbitrit, kjo nuk ndodh çdo javë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›