Bici, Josa dhe Agim Canaj, alternativat për Elbasanin
Vasil Bici, Mirel Josa dhe Agim Canaj janë tre kandidatët më të fortë për të marrë drejtimin e stolit të Elbasanit. Largimi i Krenar Alimehmetit, menjëherë pas humbjes 3-0 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë me Tiranën, ka bërë që drejtuesit verdheblu të shqyrtojnë alternativat për teknikun që do mbyllë sezonin. Pasi të bisedojnë me të tre trajnerët, në orët në vazhdim pritet që në "Ruzhdi Bizhuta" të zyrtarizohet edhe "timonieri" i ri, detyra e të cilit është të ndihmojë skuadrën të klasifikohet e treta (në kuotën e 42 pikëve Elbasani ndodhet -1 nga Tirana që mban këtë pozicion dhe -7 nga Partizani i vendit të dytë), që do t‘i siguronte një "biletë" për kupat e Evropës. Të tre teknikët e kishin filluar sezonin me tre skuadra të ndryshme: Bici te Kastrioti, Canaj te Dinamo dhe Josa te Vllaznia. Ndërkohë, ish-tekniku i verdhebluve, Alimehmeti bëhet trajneri i 20-të që largohet në këtë sezon në Kategorinë Superiore. Vetëm pak ditë më parë, të njëjtin fat kishte pësuar edhe trajneri i Besës, Sulejman Starova, pas humbjes 3-1, të së shtunës, pikërisht me Elbasanin. Kur mungojnë 7 javë nga mbyllja e kampionatit, që prej fillimit të sezonit në stolat elitarë kanë mbijetuar vetëm Gugash Magani (Shkumbini) dhe Hasan Lika (Partizani).