E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vitet e arta

Çifti Larja nuk ka ndryshuar shumë në vite. Po ajo buzëqeshje e ëmbël në fytyrën e Marjetës dhe po ai humor i Rikardit. Emocionet dje ishin te të dy. Teksa në ekranin e madh vendosur në sallën e Kompanisë Filmike AA, në ish-Kinostudio lëviznin një nga një pasazhet me rolet e tij në kinema, përpara çiftit kalonte si në një film jeta. Filmat kur kishin interpretuar pranë njëri-tjetrit dhe të tjera prodhime që e bënë Rikard Larjen për vite me radhë, por ende sot si një nga personazhet më të njohura të kinemasë shqiptare. Nuk ka rëndësi filozofia që përcillet në ato filma realizuar nën një sistem totalitar, imazhi dhe personazhet që Larja ka lënë pas e kanë bërë të mbetet si një nga aktorët e papërsëritshëm që ka prodhuar ish-gjiganti i atyre viteve Kinostudio. Dhe dje, në ish-ambientet e saj, aktori ka festuar 65-vjetorin e lindjes mes kolegësh dhe miqsh. Në atë sallë të madhe ku u shfaq një kolazh me filmat ku Larja ka interpretuar ishin pothuajse të gjithë ata që i dhanë jetë filmit shqiptar. Larja është shprehur se ndihet mirë që e ndan një moment të tillë mes miqsh, aq më tepër në një ambient ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës. Tha se ishte emocionuar, se në ato pasazhe që u bënë publike nga AQSH kishte parë dhe sekuenca që nuk i kishte shikuar më parë dhe që e kishin emocionuar.

Por cilin nga rolet që ka interpretuar do të veçonte? Kësaj pyetje aktori thotë se e ka të vështirë t‘i përgjigjet, pasi çdo rol e ka realizuar me dashurinë më të madhe. Ka bërë me dashuri si regjisorin ashtu dhe skenaristin dhe aktorin. Një anë shumë pak e folur për Rikard Larjen është dhe fakti që ai shkruan. Burri portretin e të cilit jemi mësuar ta njësojmë menjëherë sapo e shohim me filmin, ka një tjetër talent, të shkruarin. Miqtë, por dhe ata lexues që kanë lexuar librin e tij e dinë se Rikardi di dhe të shkruajë bukur. Kush di të ndiejë bukur dhe rrëfimet në letra i ka të tilla. Gjatë karrierës së tij ai ka realizuar dy skenarë filmash si "Pesha e kohës" më 1988 dhe "Kur hapen dyert e jetës" më 1986.

"Në fakt, unë shkruaj, kam realizuar dhe disa skenarë. Kam vite e vite që shkruaj", thotë Larja. Ky pasion është një anë tjetër e portretit artistik të Rikard Larjes. Aktori është shprehur se së shpejti do të botojë një libër.

Për miqtë dhe ata që kanë mundur të punojnë pranë tij, janë të pafundme fjalët që mund të thuash për Larjen. Një aktor që ka ditur gjithnjë t‘i përkushtohet rolit apo ashtu siç shprehet dhe vetë teksa do të tregojë për punën që është bërë në ato vite "të gjithë aktorët janë përpjekur të japin mish e gjak nga vetja për të realizuar rolet që u ishin besuar".

Kështu dhe ai kishte besuar në çdo rol që i ishte besuar. Rikard Larja lindi më 1 prill të vitit 1943 në Shkodër. Me humor, ai u shpreh se gjithnjë e kishte festuar ditëlindjen më 3 prill, për vetë faktin se 1 prilli njihet si dita e gënjeshtrave. Më 1960 ai mbaroi maturën në qytetin e Shkodrës, kurse më 1965 u diplomua në shkollën e lartë të aktrimit "Aleksandër Moisiu" në Tiranë. Për tetë vite pas diplomimit ai punon si aktor i teatrit "Migjeni" në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ka qenë aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar në kinostudio. Prej 1996 deri më 2002 kur doli në pension, ai ka qenë drejtor artistiK i Televizionit publik Shqiptar.

Janë të shumtë filmat ku ai ka interpretuar. Me humor tregohet se ai ishte aq i njohur në Shqipëri në vitet ‘70-‘80 sa kur dikush e pyeste sa veta ishin në shtëpi, ai përgjigjej: "Unë, gruaja, dy fëmijët dhe Rikard Larja".

Kur e dëgjon këtë histori që qarkullonte dikur në Tiranë nga miku i tij, Xhevdet Ferri, Larja pranon se është e vërtetë, pasi në ato vite ai ishte pothuajse çdo ditë në ekranin e Televizionit Shqiptar. Ndër filmat ku ka interpretuar Larja mund të përmendim "Fletë të bardha" më 1990, "Rrethi i Kujtesës" më 1987, "Në prag të jetës" (1985), "Pranverë e hidhur" (1985), "Radiostacioni", (1979), "Në pyjet me borë ka jetë" (1978), "Ilegalët" (1976), "Rrugicat që kërkonin diell" (1975), "Rrugë të bardha" (1974), "Shpërthimi" (1974), "Kur zbardhi një ditë" (1971), "Plagë të vjetra" (1968), "Ngadhënjim mbi vdekjen" (1967), "Duel i heshtur" (1967), "Komisari i Dritës" (1966).

Si regjisor Larja ka realizuar filmat si "Pesha e kohës" (1988), "Kur hapen dyert e jetës" (1986), "Fundi i një gjakmarrjeje" (1983), "Dita e parë e emërimit" (1981), "Skëterre 43" (1980), "Radiostacioni" (1979), "Në pyjet me borë ka jetë" (1978).


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›