E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një betejë mes arteve

"Mos u gënjeni", kështu quhej konferenca e tetralizuar e shfaqur dje në skenën e "Black box" në Akademinë e Arteve. Pjesa u realizua në kuadër të "Pranverës së frankofonisë" nga qendra kulturore "Tirana" në bashkëpunim me Ambasadën Franceze.

Qëllimi i kësaj konference ishte të tregonte epërsitë e teatrit mbi artet e bukura. Ky këndvështrim piktoresk me bashkëpunimin e një piktori mbështetet në një demonstrim sa të rremë aq edhe humoristik. Shfaqja u performua nga grafik Pierre Leloup, autori i tekstit Francis Colonel dhe Nigela Ruka. Sipas regjisorit Kiço Londo, "kjo performancë shënon dhe fillimin e teknikës së teatrit bilingual që do të jetë e pranishme në vijimësi në skenën e teatrit të Metropolit. Pierre Leloup e quan këtë formë interpretimi si "një betejë mes arteve". Aty flet dhe piktura dhe aktrimi, ashtu edhe gjuhët. Gjatë performancës janë thënë shprehje të artistëve dhe personazheve të njohur. P.sh shfaqja nis me një shprehje të Hegelit "Forma s‘ka rëndësi për shpirtin"

Në këtë performancë nuk ka dekor, s‘ka lojë e megjithatë ti e ndien se bëhet fjalë për teatër. Aty flitet për pikturën, çfarë është funksioni i saj. "Nëse piktura është memece si do ta dinim se Modigliani ishte alkoolist, se Van Gogh-u vuante nga epilepsia, Lautrec nga shkurtabiqësia, Gauguin-i nga erotomania etj. Nëse piktura do të mjaftonte pse do të hynin në punë gjithë këta filma, këto biografi, këto biseda, kjo konferencë. Ah, është e vërtetë, Renoir kishte artrit të rëndë, kjo e forcon admirimin që ndiejmë për të apo jo. Pastaj shih duart e Modigliani-t", janë disa nga pasazhet e kësaj performance.

Rrëfimi në këtë performancë që herë pas here ka dhe tone humori duket sikur të argëton, ndërkohë që shumë fjali në mënyra të ndryshme përcjellin diçka të vërtetë te ty. Një të vërtetë që vjen nga e shkuara e personazheve të ndryshme të artit, por që është aktuale edhe sot.

Kjo shfaqje është e para e teatrit bilingual (dygjuhësh) në vendin tonë. Sipas Londos, shfaqja tjetër e kësaj gjinie do të jetë me artistë të rinj shqiptarë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›