E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shëndetësia në krizë sepse s'është prioritet i qeverisë"

Ish kreu i QSUT-së, Mihal Tase pohon se shëndetësisë nuk i duhen vetëm para por edhe reforma që kanë kosto politike

Shëndetësia nuk po shikohet si prioritet ndaj dhe është në këtë situatë krize. Madje që shëndetësia të dalë nga kriza duhet të realizohen reforma të thella që mund të kenë kosto politike ndaj dhe për këtë duhet të bashkëpunimi i të gjitha forcave politike, gjë që nuk ka gjasa të bëhet. Kështu u shpreh për gazetën ish-kreu i spitalit më të madh në vend “Nënë Tereza”, Mihal Tase. Ndërkohë, ai shpjegoi edhe mënyrat se si mund të dalë nga kriza shëndetësia dhe masat që duhen marrë.

Kriza

Që tashmë shëndetësia është në krizë, pranohet nga të gjithë, madje shembulli më konkret është spitali më i madh në vend ku pacientët nuk marrin as shërbimin më elementar. Kështu, ish-kreu i QSUT-së, Tase, përgjegjësinë për krizën e krijuar në këtë sektor e sheh pikërisht tek qeveritë që nuk e kanë parë si prioritet. “Që të kesh një shëndetësi normale duhen 700-800 milionë euro në vit dhe këto para nuk ka ndërmend t’i hedhë njeri. Mendoj se shëndetësia është në krizë për faktin se nuk është parë me prioritet nga qeveria. Deri më sot mund të jenë parë me prioritet ndërtimi i rrugëve apo KESH-i por jo shëndetësia, pasi në ato sektor derdhen më shumë para, ndërsa shëndetësia mbahet me pikatore ndonëse është sektori më problematik”,- pohon Mihal Tase.

Masat

Krizën që ka bllokuar shëndetësinë nuk e sheh se do t’i jepet një zgjidhje emergjente. Por ish-shefi i spitalit më të madhe në vend, Tase, tregon disa nga pikat kyçe që mund të jenë zgjidhje në një të ardhme jo të largët për shëndetësinë. Sipas tij, që të ndërtosh këtë sektor nuk do të mjaftojnë vetëm paratë por duhen politika të qarta dhe për këtë kërkohet të bashkëpunojnë të gjitha forcat politike, në të kundërt, kriza do të vazhdojë të jetë evidente në këtë sektor. Që shëndetësia të dalë nga kriza, Tase pohon se kjo duhet të fillojë pikërisht nga regjistrimi i popullsisë. Madje, edhe personat që punojnë të jenë të regjistruar të gjithë dhe jo të punojnë në të zezë. “Pra, thelbi është që të paguhen Sigurimet Shëndetësore dhe në bazë të sigurimeve që derdh pacienti mund të marrë shërbim, pasi në asnjë vend nuk ofrohet shërbim flas nëse nuk paguan. Nuk mund të funksionojë një sistem i tërë nëse nuk paguhen në mënyrë korrekte këto sigurime”,- pohon Tase duke shtuar se të gjitha këto kërkojnë një kosto politike, ndaj dhe e shikon pothuajse të pamundur realizimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›